Denoncoi falsifikimin e zgjedhjeve, e arrestojnë për shpërdorim detyre

Ish-kryekomunari i Dajçit u denoncua nga pasardhësit pas dënimit të komisionerëve
Ardian Bushi
Ish-kryetari i Komunës Dajç në Lezhë, i cili denoncoi falsifikimin e zgjedhjeve në këtë zonë, vepër penale që u vërtetua edhe nga gjykata, është arrestuar nga policia lokale, pasi përfaqësuesit e PD-së, të cilët drejtojnë njësinë vendore të pretenduar nga Rrok Rroku, e kanë denoncuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Prokuroria dyshon se ai ka abuzuar me dhuratat e bëra për komunën në kohën që Rroku drejtonte Komunën Dajç, për drejtimin e së cilës ka kërkuar sërish mandatin në gjykatë, duke marrë shkas nga dënimi i komisionerëve që falsifikuan zgjedhjet.
Arrestimi i Rrokut
Policia e Lezhës deklaroi zyrtarisht se ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës Dajç të Rrethit të Lezhës. “Arrestimi i tij ka ardhur pas hetimeve të kryera nga ana e seksionit të krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, që prej kohësh kishte nisur verifikimet, bazuar edhe në dokumentacionet e dorëzuara nga përfaqësuesit aktualë të Komunës Dajç”, tha Policia e Lezhës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, Urdhri i Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Lezhë për ndalimin e ish-kryetarit të Komunës Dajç, Rrok Lin Rroku, 55 vjeç, është kryer dy net më parë. Më tej, mësohet se Gjykata e Lezhës, me vendimin Nr. 63 datë 11 mars 2013 ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për Rrok Rrokun, pasi dyshohet se në vitin 2008, duke qenë me detyrë kryetar i Komunës Dajç-Lezhë, ka konsumuar elementet e veprës penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.
Vjedhja e dyshuar
Nga hetimet e kryera mësohet se Rrok Rroku dyshohet për vjedhjen e të paktën gjashtë automjeteve, të cilat kanë qenë donacione të shoqatave të huaja. Sipas të dhënave, shoqatat italiane ia kishin dhuruar ish-kryekomunarit. “Krimi ekonomik në Drejtorinë e Policisë në Lezhë ka provuar vjedhjen e këtyre automjeteve nëpërmjet shkresave të gjetura në komunë, të cilat janë sekuestruar në këtë njësi vendore”, deklaroi policia. Po sipas uniformave blu, Rrok Rroku dyshohet të ketë përvetësuar nga donatorë të huaj, një fadromë, një autobus dhe disa furgonë, që nuk u vunë asnjëherë në shërbim të komunitetit. Prokuroria dyshon që këto mjete janë shitur dhe shuma e përfituar, është përvetësuar nga Rroku. Por, vetë Rroku ka kundërshtuar akuzën, duke u shprehur se arrestimi i tij po kryhet për motive politike dhe nuk ka asnjë të vërtetë në dyshimet e ngritura. Madje, ai e argumenton këtë arrestim edhe me faktin se bëhet pikërisht para zgjedhjeve, pasi Partia Demokratike ka frikë prej opozitës.
Historia e tij
Rrok Rroku ishte kandidat i PS-së në zgjedhjet e fundit vendore në Komunën Dajç, ku humbi me një diferencë prej 300 votash. Në këto kushte, Rroku e kontestoi rezultatin e votimeve, ku denoncoi komisionerët se i kishin manipuluar kutitë e votimit. Pas hetimeve të Prokurorisë së Lezhës, Gjykata e Shkallës Parë në Lezhë dënoi tetë komisionerët me 5.8 vite burg në total. Kjo, pasi u arrit të provohej se të pandehurit Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku, përfaqësues të subjekteve politike PD, PS, LSI dhe PBDNJ, kishin kryer respektivisht veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim dhe “falsifikimin e dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve” e kryer në bashkëpunim. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se shkak për apelimin e vendimit të Shkallës së Parë është bërë shmangia nga akuza për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim për tetë komisionerët. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Apelit në Shkodër, prokurori i çështjes, Ervin Beqiri, ka kërkuar që të lihet në fuqi pretenca e paraqitur prej tij, ku kërkohej dënimi në total me 15 vite burg për komisionerët dhe një gjobë prej 2.4 milionë lekësh të reja. Ndërkaq, Frroku ka kërkuar në gjykatë t’i kthehet mandati, që sipas tij, i është vjedhur nga subjekti politik i PD-së.
SHQIP
Add new comment