Raporti i Halimit, 37 prokurorë me shkelje

Postuar në 14 Mars, 2013 04:37

Ministria e Drejtësisë akuzon Prokurorinë se nuk ka marrë parasysh rekomandimet e saj për procedimin e prokurorëve. Ministri Eduard Halimi ka dorëzuar pak ditë më parë në Parlament raportin vjetor të inspektimeve të kryera në organin e akuzës për periudhën 1 shkurt 2012 – 1 shkurt 2013.

Sipas këtij raporti, gjatë periudhës së raportimit janë ushtruar 8 kontrolle, 3 nga të cilat të planifikuara dhe 5 kontrolle mbi bazë ankese. Kontrollet e ushtruara kanë inspektuar veprimtarinë e 9 prokurorive të shkallës së parë dhe veprimtarinë e të paktën 51 prokurorëve.

“Nga 1626 procedime penale të kontrolluara në shkallën e parë janë konstatuar me shkelje 84 procedime, shkelje që u atribuohen 37 prokurorëve, nga të cilët ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 27 prokurorë”, thuhet në raport.

SHKELJET

“Ministria e Drejtësisë ka hartuar 37 rekomandime, nga të cilat 32 me karakter të përgjithshëm, kurse 5 me karakter të posaçëm. Deri në datën e përgatitjes së këtij raporti, prokurori i Përgjithshëm ka reaguar vetëm për dy raste: rekomandimi për fillimin e procedimit disiplinor për 4 prokurorë lidhur me kontrollin e ushtruar në prokuroritë e shkallës së parë Berat dhe Fier duke: (i) pranuar rekomandimin për një prokuror për të cilin është urdhëruar fillimi i procedimit disiplinor dhe ndaj tij është marrë masa disiplinore ‘vërejtje’; (ii) mos e pranuar rekomandimin e ministrit të Drejtësisë për 3 prokurorët e tjerë, pasi nga ana e tyre nuk janë kryer shkelje disiplinore që parashikon neni 31 i ligjit për Prokurorinë”, vijon raporti i ministrit Halimi.

Rasti i dytë kur ka reaguar Prokuroria, sipas Ministrisë, ka qenë për rekomandimin e fillimin të procedimit disiplinor për 2 prokurorë lidhur me kontrollin e ushtruar në prokuroritë e shkallës së parë Durrës dhe Tiranë. Ky rekomandim nuk është pranuar, “pasi nga ana e tyre nuk janë kryer shkelje disiplinore që parashikon neni 32 i ligjit të vitit 2001”.

Ministria raporton gjithashtu se “nga 84 procedimet e konstatuara me shkelje: në 50 raste është konstatuar shkelja e detyrimit ligjor për ndjekjen e një politike të drejtë penale dhe në veçanti e politikës së dënimit; në 12 raste është konstatuar shkelje e detyrimit ligjor për kryerjen e veprimeve të vijueshme e të rregullta hetimore; në 15 raste është konstatuar shkelje e të drejtave themelore të subjekteve për procedim disiplinor; në 12 raste është konstatuar shkelje e detyrimit kushtetues dhe ligjor për fillimin e ndjekjes penale.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.