Prokuroria, eksperiment për arratisjen e Frrokut

Makina me të cilën biznesmeni Arben Frroku është larguar nga Tirana në Greqi mbrëmjen e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, do t’i nënshtrohet një eksperimenti hetimor. Kërkesa është bërë nga grupi hetimor i vrasjes së Lamajt, për të verifikuar me saktësi kohën që i duhet një automjeti të tillë për të kaluar kufirin, duke iu referuar 2 orareve që janë dokumentuar. Policia e Tiranës ka të provuar nëpërmjet pamjeve filmike të kompleksit AML, në Rrugën e Kavajës, orarin kur Arben Frroku ka dalë nga zyrat e tij, me automjetin tip “Mercedez GL”, me targë AA 008 DC, me ngjyrë të bardhë.
Nga pamjet filmike që disponon grupi hetimor, rezulton që Frroku ka dalë nga AML-ja në orën 17:27 të datës 24 shkurt, kur u vra Dritan Lamaj. Orar që edhe ai vetë pretendon se ka dalë nga kompania dhe është nisur menjëherë drejt Greqisë.
Si orar daljeje nga Shqipëria, Policia ka të provuar nëpërmjet sistemit TIMS orën 21:37 të datës 24 shkurt, kohë kur Arben Frroku me automjetin e tij ka kaluar kufirin në vendkalimin e Kapshticës, me destinacion Selanikun. Nga këto dy momente të dokumentuara, rezulton që biznesmeni Frroku, bashkë me kushëririn e tij Jak Jaku, e kanë bërë rrugën Tiranë-Kapshticë për 4 orë e 10 minuta.
EKSPERIMENTI
Nisur nga rruga që kanë përshkuar për të arritur deri në vendkalimin kufitar të Kapshticës, rezulton që makina ka përshkuar rreth 430 kilometra. Nga përllogaritja e distancës dhe kohës rezulton që automjeti “Mercedez GL”, me targë AA 008 DC, ka ecur vazhdimisht me shpejtësi 100-110 kilometra në orë. Referuar këtyre të dhënave të përllogaritura nga ekspertët kriminalistë, do të kryhet edhe eksperimenti hetimor.
Për kryerjen e këtij veprimi procedural, do të angazhohen 4 ekspertë të Policisë së Shtetit, të cilët do të ndjekin “hapat” që ka përshkuar Arben Frroku për të udhëtuar drejt Greqisë. Ata do t’u përmbahen me saktësi orareve, rrugës, por edhe kushteve atmosferike, që duhet të jenë të ngjashme me ato të natës kur u vra kryekomisari Lamaj.
Automjeti i Arben Frrokut, që tashmë është i sekuestruar si provë materiale, do të niset nga kompleksi AML te ishkombinati “Misto Mame” dhe do të vazhdojë udhëtimin drejt pikës së kalimit kufitar në Kapshticë, duke ndjekur të njëjtin itinerar lëvizjeje, siç e ka përshkruar biznesmeni i arrestuar. Në rast se kjo rrugë do të kryhet në më pak kohë sesa është llogaritur nga oraret e dokumentuara, atëherë do të kryhet një tjetër eksperiment që si moment nisjeje nga Tirana do të ketë orën 18:20, kur u vra Dritan Lamaj.
PANORAMA
Add new comment