12 qarqet, beteja PS-PD në emra dhe vota

Postuar në 16 Mars, 2013 08:01

 

Çfarë po ndodh në 12 qarqet elektorale të vendit, 100 ditë para zgjedhjeve? Cilat janë shifrat e 2009-s dhe mundësitë për ndryshim të rezultatit? Emrat e vjetër dhe të rinj që janë të sigurt në lista dhe qarqet që do të vendosin fatin e 23 qershorit.  MAPO analizon të 12 zonat, duke përballur shifrat zyrtare të 2009-s me objektivat e tre koalicioneve që priten të jenë në garë dhe zbulon kandidatët kryesorë në gjithë vendin

 

Në qytetin e Durrësit, Partia Demokratike ka hapur mbi 10 zyra elektorale, ku secila prej tyre mbulon 15 deri në 18 qendra votimi. Puna ka filluar që prej janarit, ndërkohë që askush prej atyre që po drejton punën në bazë, nuk di të thotë nëse është kandidat për deputet apo jo. I vetmi mandat i sigurt duket ai i kryetarit të grupit të punës, ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. E gjithë puna e njerëzve kryesorë në Durrës, si Igli Cara, Gjergj Lezhja, Oerd Bylykbashi, Arqile Goreja apo Osman Metalla koordinohet me kryetarin e grupit. I njëjti fenomen si në Durrës, për PD-në po ndodh në të gjitha qarqet e vendit. Përgjigjja nga Berisha, se cilët do të jenë deputetët e ardhshëm në 12 qarqet e vendit, duket se do të vonojë. Berisha ka vendosur që lista përfundimtare e deputetëve do të bëhet publike vetëm në datën 3 maj, afati limit për dorëzimin e listës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një taktikë kjo e ndjekur edhe më parë nga ai, për të shmangur precedentin e pakënaqësisë, që dukshëm po ndodh në kampin tjetër, sa herë që kryetari i kësaj force politike, Edi Rama, prezanton kandidatët rishtarë. Daljet publike të Ramës me pesë kandidatët e rinj dhe sondazhet në disa media me lista jo zyrtare emrash, kanë shtuar ankthin e deputetëve të grupit parlamentar aktual të PS. Aq e dukshme u bë kjo, saqë Berisha dhe të tijtë filluan ta përdorin si argument se Rama nuk respekton forumet dhe deputetët, por po emëron si deputetë besnikët e tij. Përtej asaj që duket, në të dyja forcat politike, situata nuk është e qetë. Demokratë e socialistë i kanë veshët ngritur për të kapur çdo sinjal që vjen nga zyra e Berishës apo ajo e Ramës. Po çfarë po ndodh në 12 qarqet elektorale të vendit, 100 ditë para zgjedhjeve? Cilat janë shifrat e 2009-s dhe mundësitë për ndryshim të rezultatit? Emrat e vjetër dhe të rinj që janë të sigurtë në lista dhe qarqet që do të vendosin fatin e 23 qershorit.  Mapo analizon të 12 zonat, duke përballur shifrat zyrtare të 2009-s me objektivat e tre koalicioneve që priten të jenë në garë dhe zbulon kandidatët kryesorë në gjithë vendin

Tirana

Tirana për Partinë Demokratike pritet të kryesohet nga emra të rinj. Ministri Aldo Bumçi drejton grupin e punës, ndërkohë që listës së saj pritet t’i bashkëngjiten emra të rinj, si Keltis Kruja, Arben Qirjako, Grida Duma, Eno Bozdo, apo edhe Jorida Tabaku. Ndërsa nga PS-ja deri më tash është konfirmuar zyrtarisht emri i Lindita Nikollit, edhe pse shtabi elektoral po drejtohet nga Saimir Tahiri. Në rast se Ilir Meta vendos të garojë në Fier, pritet që Petrit Vasili të jetë në krye të listës së LSI-së në Tiranë. Llogaritë elektorale për Tiranën janë një ekualicion me disa variabla, ku i panjohur mbetet pozicioni i LSI-së. Një koalicion i përfolur LSI- PBDNJ në Tiranë e ka të sigurt një mandat, por mund të marrë edhe një të dytë, nëse arrijnë të marrin 2496 vota të tjera plus. Në këtë rast, ky mandat do t’i hiqej koalicionit të PD-së dhe rezultati do shkonte 15 PD, 15 PS dhe 2 LSI. Pyetja që bëjnë të gjithë për Tiranën është FRD dhe efekti Topi në këtë qark. A mund të marrë ai një mandat apo vetëm dëmton demokratët? Shifrat thonë se pavarësisht ndikimit që mund të ketë FRD, PD e ka zvogëluar gërryerjen me koalicionin që ka bërë me LZHK dhe PDK-në. Pra ka “blinduar” mandatin e saj të 16-të me 10 mijë vota. Në këtë rast, zotit Topi do t’i duhen të mbledhë 10 mijë vota për të hyrë në Kuvendin e ardhshëm.

Durrësi

Në Durrës, PD-ja po punon intensivisht për të shkundur strukturat, komunikuar me njerëzit, ndërsa nuk po lihet pas dore edhe Fushë-Kruja, ku PD-ja në zgjedhjet e fundit lokale pësoi humbje të madhe. Më pak të angazhuar po shihen strukturat e PS-së në këtë qark. Dy ditë më parë, në qytetin e Durrësit u hap zyra e parë elektorale nga PS edhe pse Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së këtij qyteti prej kohësh ka filluar takimet. Por ndryshe nga çdo qark tjetër, hapja e zyrave apo kontakti me njerëzit, pak përkthehet në vota për këtë qark. Burime nga PD e PS pohojnë se Durrësi është i paparashikueshëm, që do të thotë se rezultati këtu është i befasishëm, qoftë për fituesin, ashtu edhe për humbësin. Me gjithë votën e palexuar të durrsakëve përballja në këtë qark do të jetë treshja Eduard Halimi, Blendi Klosi dhe Lefter Koka i LSI-së. Për të siguruar një mandat deputeti, LSI-së në këtë qark i nevojiten edhe votat e PBDNJ-së. Rezultati i zgjedhjeve në 2009-tën ishte 7 deputetë PD, 5 PS dhe 1 LSI.  Në këtë qark pritet të futet në lojë, edhe FRD-ja. Me gjithë respektin që gëzon Gazmend Oketa, PD-ja deri më tani nuk e shikon si rrezik për të ndikuar në rezultatin e dalë nga 2009-a. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur, sa kohë që kjo forcë politike apo edhe AK-ja votohen për herë të parë. Sipas shifrave të 2009  PD mund të humbasë 1 mandat, nëse humbet 7 856 vota, ndërsa PS mund të marrë një mandat tjetër nëse rikuperon 6733 vota. LSI rrezikon të humbasë mandatin vetëm nëse bie me 1 184 vota.

Fieri

Ndryshe nga qarku Durrës, në Fier pritet që gjërat të lëvizin. Edhe pse pa marrëveshje të shkruar, Berisha ka mbledhur rreth vetes partitë e djathta, kryesisht ato me shumë elektorat si LZHK-ja apo PDK-ja, votat e të cilëve shihen si mundësi e mirë për rikuperuar një mandat deputeti. Në zgjedhjet e vitit 2009, LZHK-ja e vetme ka fituar 1993 vota, ndërsa PDK-ja rreth 600 vota. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PDK-ja ishte e rreshtuar nga e majta e po aq edhe PBDNJ-ja. Të dyja këto forca politike nuk janë më në koalicion me PS-në, çka e bën të brishtë peshoren e raportit të vitit 2009, ku PS-ja mori 9 deputetë, PD-ja 6 ndërsa LSI-ja fitoi mandatin përmes Dritan Priftit. Edhe pse PBDNJ-ja nuk ka shumë vota në këtë qark (rreth 200 në 2009-ën) LSI-ja shpreson që bashkë më to të sigurojë mbi 11 mijë vota për një mandat deputeti. Prej kohësh, LSI-ja ka hapur zyrat elektorale në këtë qark, ndërsa vetë Ilir Meta nuk e ka vendosur ende nëse do të garojë në Fier apo Tiranë.  Falë 1993 votave të LZHK-së dhe 593 votave të PDK-së në këtë qark PD shpreson të marrë një mandat më shumë. Por ajo rrezikon gjithashtu të humbasë mandatin e saj të gjashtë, nëse koalicioni do kenë një rënie me rreth dy mijë vota si pasojë e efektit FRD, e pasuar nga një rritje në anën e socialistëve. Ndërsa LSI humbet mandatin që ka nëse pëson rënie me 1056 vota. Në këtë rast rezultati do shkonte PS 9 mandate dhe PD 7. Deri më tash, përballja më e fortë shihet mes Sokol Olldashit që kryeson grupin e punës për këtë qark dhe Gramoz Rucit, i cili në krahun e djathtë në këto zgjedhje do të ketë edhe ish-kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Nga PD-ja po diskutohen gjithashtu emrat e Alfred Rrushajt dhe Albana Vokshit. Edhe PDIU-ja, e cila synon të marrë një mandat deputeti, nuk e ka vendosur ende se me cilin kandidat do të garojë.

Lezha

I vështirë për përmbysje rezultati parashikohet qarku i Lezhës. Aktualisht puna për PD-në drejtohet nga Edi Paloka, në koordinim me deputetët aktualë të këtij qarku. Krahas takimeve, ajo që demokratët po shikojnë me shumë vëmendje është llogaritja e votave dhe pritja e topit nga kundërshtarët. Nga ana e PS-së është bërë e ditur se kryetare e listës do të jetë Mimi Kodheli, ndërkohë që përfliten si kandidatë edhe emrat e Armando Prengës dhe Arben Nokës. Nuk është konfirmuar deri më tash si kandidat për deputet, kryetari i PS-së së Lezhës, Xhovalin Kadeli e po aq edhe Preç Zogaj. Mospërfshirja deri më tani e dy emrave sa më sipër shihet si lajm i mirë për PD-në, ndërkohë që gara mbetet e vështirë edhe pse votave të së djathtës i bashkohen edhe votat e PDK-së. PD-ja mund të shpresojë për ndryshim raporti nga 4 me 3 në 5 me 2 në favor të saj, vetëm nëse votave të PDK-së (rreth 1300), dhe atyre të Preç Zogajt, do t’i bashkohen edhe votat e LSI-së.

Qarku Elbasan

Edhe pse grupi i punës në Elbasan kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, rezultati i zgjedhjeve të 2011 në këtë qark linte shumë për të dëshiruar. Megjithatë, me hapjen e tunelit Tiranë-Elbasan, PD-ja po synon fort të ruajë raportin aktual të deputetëve 7 me 7. Deri më tash nga PD-ja janë angazhuar Arben Imami, Luciano Boci, Zyhbi Hida, Dashnor Sula, Ardian Turku, ndërkohë që përflitet edhe emri i Eduard Selamit. Ndërsa nga PS-ja grupi i punës drejtohet nga Ben Blushi, i cili pasohet me Alfred Pezën, Damian Gjiknurin dhe Taulant Ballën. LSI-ja në këtë qark pritet të përfaqësohet me Edmond Haxhinaston. Marrja e mandatit nga LSI-ja në këtë qark duket e vështirë. Rezultati mund të ndryshojë vetëm nëse LSI-ja bashkë me votat e PBDNJ-së rikuperojnë 1894 vota nga zgjedhjet e kaluara dhe shkojnë në 10 273 vota, ndërsa nuk është llogaritur efekti FRD. Në këtë rast mandatin do ia merrnin PD-së.

Shkodra

Shkodra është një tjetër qark ku nuk priten surpriza në ndryshim raportesh të numrit të deputetëve, përveçse luftë emrash. Deri më tash, krahas Topallit në këtë qark, janë konfirmuar emrat e Arenca Trashanit, Gjok Uldedajt dhe Benet Becit. Ndërkohë që po punojnë edhe figura të tjera të njohura në Shkodër si Astrit Bushati apo Ndue Paluca. Në ambientet e demokratëve qarkullon dhe emri i Tonin Gjurajt, themelues i Pd-së së Shkodrës, aktualisht rektor në UET.  Ndërsa nga PS-ja emrat më të lakuar për kandidatë për deputetë janë Keti Bazhdari, Namik Kopliku, Luan Heta, Ndue Kola, Paulina Hoxha, Paulin Sterkaj, Tom Doshi etj.

Qarku Berat

Genc Pollo do të vijojë të drejtojë punën në këtë qark nga ana e PD-së ndërsa nga PS-ja deri më tash përflitet deputeti Fidel Ylli. Gjithçka mund të lëvizë në këtë qark në varësi të emrave që do të sjellin secila palë. Rezultati ndryshon për një grusht votash dhe më shumë mundësi ka që PS të marrë mandatin e pestë, një më shumë se më 2009-ën. Nga PD-ja përflitet sërish emri i Astrit Velisë i cili mori vota të konsiderueshme në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa nuk neglizhohet edhe faktori LSI. Në këtë qark i deleguari i LSI-së është Nasip Naço. LSI-ja do ta kishte shumë më të sigurt mandatin në rast se do të ishte në koalicion me PBDNJ-në. Të dyja ato do të siguronin rreth 9010 vota të përkthyera në një mandat. Me panoramën e 2009-s, LSI-ja e humbet mandatin vetëm me 34 vota më pak. PD e humbet mandatin e tretë me 383 vota më pak, ndërsa PS e merr mandatin e pestë me 168 vota më shumë, duke ia hequr LSI-së.

 

Qarku Gjirokastër

Në këtë qark, pavarësisht emrave që qarkullojnë, raporti pritet të jetë i njëjtë 3 për PS-në dhe 2 për PD-në. Dyshja më e fortë në këtë qark pritet të jetë Anastas Angjeli nga PS-ja dhe Genc Ruli nga PD-ja. Aktiv në këtë qark janë parë edhe deputetët respektivë Spiro Ksera dhe Arben Ahmetaj. Nga LSI-ja përflitet Vangjel Tavo, i cili me gjithë punën e madhe që mund të bëjë, rezultati nuk do të ishte në favor të tij. LSI dhe PBDNJ mund të marrin një mandat vetëm nëse marrin rreth 5500 vota plus.

Vlora

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi pritet të këtë sërish monopolin e drejtimit të zgjedhjeve nga selia blu në këtë qark. Patozi me Ardian Kollozin kanë deri më tash përballë të vetmen kandidat të zyrtarizuar për këtë qark, Valentina Leskaj.

PS nuk ka përcaktuar ende treshen më të fortë për shkak të kontradiktave që ekzistojnë mes deputetëve aktualë në këtë qark dhe vetë Edi Ramës. Në qarkun e Vlorës, pritet të garojë nga PBDNJ-ja kryetari i saj Vangjel Dule, i cili e ka të sigurt mandatin në rast se garon në koalicion me LSI-në. Pavarësisht vendimit që LSI-ja do të marrë (nëse do të dalë ose jo në koalicion me PBDNJ-në) Vangjel Dule mund të sigurojë edhe i vetëm një mandat, për shkak edhe të marrëveshjes jo zyrtare që ai mund të lidhë me PD-në. PD-ja synon të ruajë katër mandatet e saj, ndërkohe që në lojë në këtë qark futen edhe çamët që synojnë të marrin mandatin e siguruar në zgjedhjet e 2009-ës. Deri më tash, në garë për këtë qark nga PDIU-ja është Dashamir Tahiri. E reja e qarkut të Vlorës është se PS nga ikja e PBDNJ si koalicion zbret në 6 mandate. Që PS të rikthehet në nivelin e 7 mandateve duhet të marrë 5 370 vota më shumë sesa ka aktualisht.

Dibra

FRD-ja synon të jetë faktor edhe në Dibër me kandidimin e Sali Shehut. Por përballë tij do të jetë një tjetër deputet i PD-së, i afërm i tij, Sherefedin Shehu. Deri më tash, burime nga PD-ja shprehen se përfshirja e Sali Shehut nuk mund të rrezikojë rezultatin e zgjedhjeve në këtë qark që është katër deputetë për PD-në dhe dy për PS-në. Krahas Sherefedin Shehut nga PD-ja në këtë qark përflitet edhe emri Selami Xhepës, ndërkohë që aktualisht grupi i punës kryesohet nga Jemin Gjana. Përballë tyre, puna në PS drejtohet nga Shkëlqim Cani. Rezultati mund të ndryshojë vetëm nëse PD humbet 6 mijë vota dhe PS rikuperon 5200 vota duke e çuar rezultatin 3 me 3.

Kukësi

Megjithëse PD-ja shprehet se do të ndryshojë rezultatin në 4 me 0 në favor të saj, kjo duket shumë e vështirë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  Në anën tjetër PS-ja mund të marrë mandatin e dytë vetëm nëse arrin të rikuperojë 5529 vota në krahasim

me 2009 dhe njëkohësisht PD-ja të mos ketë ndryshim rezultati. Në këtë rast hipotetik mandatet do ndaheshin 2 me 2. Grupi i punës në këtë qark do të drejtohet nga Flamur Noka, ndërkohë që është konfirmuar edhe emri i Fatos Hoxhës përballë kandidatit të PS-së, Vexhi Muçmata. Në këtë qark po përflitet edhe emri i Mesila Dodës nga PD-ja edhe pse duket pak e vështirë pasi në listën përfundimtare të këtij qarku, gjithnjë është futur një kandidat i sigurt nga Tropoja. Aktualisht, Mesila Doda po punon në Fier.

Korça

Ridvan Bode vijon të drejtoje grupin e punës nga PD-ja, ndërkohë që emrat e tjerë që përfliten janë Edmond Spaho dhe Fatbardh Kadilli. E pasigurt për një mandat të dytë është Ledina Aliolli. Rezultati në këtë qark nuk pritet të ndryshojë, ndërsa përballë listës së PD-së janë Pandeli Majko që drejton punën, Ylli Ziçishti e Erion Veliaj. Olta Xhaçka deputete e këtij qarku më shumë gjasë pritet që të jetë në listën e Tiranës.

Koalicioni i mundshëm LSI-PBDNJ sjell një pretendim për një mandat në këtë qark, por objektivi i votave duhet arrirë me rreth 3600 që këto dy parti të nxjerrin një mandat. Në këtë rast, nëse votat për dy kampet e mëdha nuk do lëviznin atëherë mandati do t’i hiqej PS-së. Për dy partitë e tjera ndryshimi i rezultatit është thuajse i pamundur.

 

 

 

 

 

 

 

Qarku Berat

 

PD plus aleatët e rinj               27312 vota = 3 mandate

PS plus aleatët e rinj                44882 vota =4 mandate

LSI plus PBDNJ?                   9010 vota = 1 mandat

 

LSI e humbet mandatin vetëm 34 vota me pak ose me 8976

PD e humbet mandatin e tretë me 383 vota më pak ose me 26 929

PS merr mandatin e 5 me 168 vota më shumë ose me 45 050 dhe ia merr LSI

 

 

Qarku Dibër

 

PD plus aleatët e rinj  42902 vota = 4 mandate

PS plus aleatët e rinj  22570 vota = 2 mandate

 

Rezultati ndryshon nëse PD humbet 6 mijë vota dhe PS rikuperon 5200 vota duke e çuar rezultatin 3 me 3.

LSI mund të marrë mandat vetëm nëse merr rreth 6 mijë vota më shumë

 

Qarku Durrës

 

PD plus aleatët e rinj    69281 vota = 7 mandate

PS plus aleatët e rinj     52650 vota = 5 mandate

LSI plus PBDNJ           9960 vota = 1 mandat

 

PD humbet 1 mandat nëse humbet 7856 vota ose arrin të marrë vetëm 61 425 vota

PS mund të marrë një mandat, nëse rikuperon 6733 vota ose arrin të marrë 59 383 vota

LSI rrezikon të humbasë mandatin, vetëm nëse bie me 1184 vota ose në 8776

Rezultati ndryshon nëse PD humbet 3600 vota dhe PS rikuperon 3648

 

 

Qarku Elbasan

 

PD plus aleatët e rinj    71908 vota = 7 mandate

PS plus aleatët e rinj    72582 vota = 7 mandate

LSI plus PBDNJ          8379 vota = 0 mandat

 

Rezultati mund të ndryshojë vetëm nëse LSI plus PBDNJ rikuperojnë 1894 vota dhe shkojnë në 10273 vota. Në këtë rast mandatin do ia merrnin PD-së.

 

Qarku Fier

 

PD plus aleatët e rinj    72370 vota = 7 mandate

PS plus aleatët e rinj    89696 vota = 8 mandate

LSI plus PBDNJ            11023 vota = 1 mandat

 

Falë 1993 votave të LZHK-së dhe 593 votave të PDK-së në këtë qark PD mund të marrë një mandat më shumë në Fier.

LSI humbet mandatin që ka, nëse pëson rënie me 1056 vota. Në këtë rast, rezultati do shkonte PS 9 mandate dhe PD 7.

 

 

Qarku Gjirokastër

 

 

PD plus aleatët e rinj    21138 vota = 2 mandate

PS plus aleatët e rinj     27105 vota = 3 mandate

LSI plus PBDNJ            3594 vota = 0 mandat

 

Rezultati është tepër i vështirë të ndryshojë për secilin nga kampet që janë në garë.

LSI dhe PBDNJ mund të marrin mandat vetëm nëse marrin dhe rreth 5500 vota plus.

PS e humbet mandatin e tretë vetëm nëse humbet 6000 vota në krahasim me 2009.

 

 

Qarku Korçë

 

PD plus aleatët e rinj 63458 vota = 6 mandate

PS plus aleatët e rinj   62443 vota = 6 mandate

LSI plus PBDNJ           6845 vota = 0 mandat

 

LSI dhe PBDNJ i duhen dhe rreth 3600 vota të tjera që të marrin një mandat. Në këtë rast nëse votat për dy kampet e mëdha nuk do lëvizin, atëherë mandati do t’i hiqej PS-së.

 

 

Qarku Kukës

 

PD plus aleatët e rinj         28629 vota = 3 mandate

PS plus aleatët e rinj           13626 vota = 1 mandat

LSI plus PBDNJ                1348 vota = 0 mandat

 

PS mund të marrë mandatin nëse arrin të rikuperojë 5529 vota në krahasim me 2009 dhe nga ana tjetër, PD të mos ketë ndryshim rezultatit. Në këtë rast mandatet do ndaheshin 2 me 2.  Gjithashtu do të kishim barazim mandatesh edhe nëse do kishim një rënie të votave të PD-së në masën 4 mijë votave dhe një rritje të PS-së në masën 2794 votave.

 

 

Qarku Lezhë

 

PD plus aleatët e rinj    38646 vota = 4 mandate

PS plus aleatët e rinj     25299 vota = 3 mandat

LSI plus PBDNJ            1348 vota = 0 mandat

 

 

Qarku Shkodër

 

PD plus aleatët e rinj  71472 vota  = 7 mandate

PS plus aleatët e rinj    40581 vota = 1 mandat

LSI plus PBDNJ            4064 vota = 0 mandat

 

Rezultati në këtë qark është shumë i vështirë të ndryshojë pasi që PD të marrë mandatin e 8 i duhet afërsisht dhe 10 mijë vota të tjera. Ndërkohë që PD ta humbas mandatin e 7 që ka tani dhe atë të marrë PS,  duhet të humbas më shumë se 13 mijë vota.

Nga ana tjetër që LSI dhe PBDNJ të marrin një mandat në këtë qark i duhet dhe afro 5 mijë vota të tjera.

 

Qarku Tiranë

 

PD plus aleatët e rinj            184 134 vota = 16 mandate

PS plus aleatët e rinj            172 417 vota = 15 mandat

LSI plus PBDNJ                   20 493 vota = 1 mandat

 

 

Koalicioni i LSI dhe PBDNJ-së mund të marrë një mandat të dytë, nëse arrijnë të marrin 2496 vota të tjera plus, ose thënë ndryshe nëse marrin 22989 vota. Në këtë rast mandati që do merrnin ato do ti hiqej koalicionit të PD. Pavarësisht ndikimit që mund të ketë FRD në këtë qark duket se PD me koalicionin që ka bërë me LZHK dhe PDK-në e ka blinduar mandatin e saj të 16.

PD do e humbiste mandatin e 16 nëse do kishte një rënie prej 6 mijë votash dhe në anën tjetër, PS do kishte një rritje me 6 mijë vota. Në këtë rast raportet do të ndryshonin 16 PS, 15 PD dhe 1 LSI. PR në këtë qark ka marrë 6131 vota duke siguruar dhe një mandat.

 

 

Qarku Vlorë

 

 

PD plus aleatët e rinj 41871 vota = 5 mandate

PS plus aleatët e rinj 53250 vota = 6 mandat

LSI plus PBDNJ 9878 vota = 1 mandat

 

Në këtë qark rezultati nuk ndryshon pasi do duheshin përmbysja e rezultateve të 2009, ku PD të mund të merrte më shumë vota sesa koalicioni i PS-së për të marrë mandatin e 6.

 

 

MApo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.