Shkodër, Oboti kthehet në ishull

Postuar në 17 Mars, 2013 08:17

 

Në fshatin që është kthyer në Venecian e dytë. Banorët: Qeveria na mashtroi

Ardi Hoti

Një nga zonat ku përmbytja duket se ka krijuar më shumë probleme, si në asnjë zonë të Nënshkodrës, është fshati Obot. Uji mban të izoluar gjithë fshatin me 800 banorë. Në këtë fshat raportohen të përmbytura disa shtëpi, ndërsa gjithçka që është mbjellë është shkatërruar. Në këtë zonë varkat janë e vetmja mënyrë për t’u lidhur me pjesën tjetër të vendit.

Uji ka rrethuar gjithë Obotin, që tashmë është kthyer në një ishull. Në të hyrë të rrugës është krijuar një stacion, që i ngjason një porti të vogël, ku njerëzit me ushqime presin varkat për të hyrë në fshat.

Për kryetarin e komunës, situata është shumë e rëndë. Uji është futur në disa banesa dhe të gjitha të mbjellat e stinës, që janë të shumta, janë shkatërruar. Kryetari i komunës, Xhevat Mollca, shprehet se “tashmë më e rënda për këta banorë është fakti se janë dëmtuar të gjitha të mbjellat. Nëse vitet e kaluara përmbytja ishte në muajin dhjetor, tani përmbytja ndodhi në mars, në kohën më të keqe, pasi të gjitha fushat dhe serrat janë të mbjella. Gjendja në Obot është shumë kritike. Banorët kanë nevojë për gjithçka dhe po bëjmë maksimumin tonë dhe shpresojmë që kjo të mos zgjasë shumë, pasi pasojat do të jenë tepër të mëdha”.

Një shqetësim tepër i madh për banorët e këtyre anëve është dhe fakti se pak para se të ndodhte përmbytja, ata kishin investuar gjithë kapitalin në të mbjellat, të cilat janë shkatërruar plotësisht. Për të hyrë në serra, banorët tashmë përdorin varka.

Ndërkohë, banorë të Obotit janë ata të cilët po përballen me vështirësi shumë të mëdha. Një nga banorët e këtij fshati, Gjon Ndoci, i cili ka dalë me varkë nga fshati për të blerë bukë, miell dhe ujë të pijshëm, shprehet se “ne na mungon gjithçka dhe kemi nevojë për gjithçka”. Ai thotë se përmbytja i gjunjëzoi tashmë përfundimisht. “Mund të quhemi të mbaruar, pasi çdo e mbjellë është shkatërruar. Këtu njerëzit kanë marrë kredi në banka për mbjellë tokat dhe gjithë ai mund dhe sakrificë e banorëve e mori uji. Shpresojmë të ikë uji dhe qeveria të na dëmshpërblejë, se në të kundërt më mirë të na lënë të përmbytur”, thotë Ndoci.

Një tjetër banor i Obotit shprehet i revoltuar se “askush nuk u lajmërua se do të ketë përmbytje. Të gjithë që flasin gënjejnë, madje ne u mashtruam, pasi shtabi emergjencës, në orën tre në lajmet lokale, tha se situata është nën kontroll dhe dy orë më vonë, nisi përmbytja. Është shumë e turpshme kjo situatë dhe ministrat thonë se kemi lajmëruar dhe tallen, duke thënë se po mbytemi nga përrenjtë në një kohë që ka një muaj që bie shi në Shkodër dhe i bëjnë të gjitha shkarkimet për një ditë”.

Banorët që lëvizin vetëm me varka dhe shtëpi të kthyera në ishull e kanë kthyer Obotin në një Venecia të dytë. Të rrethuar nga të gjitha anët prej ujit, në mangësi të ushqimeve dhe ujit të pijshëm, banorët e kësaj ane duket se janë në ditët më të vështira.

Shifra për Obotin

160 shtëpi me 800 banorë janë të izoluar nga uji

1400 ha tokë janë përmbytur

1 metër është niveli i ujit në disa zona

5 shtëpi janë përmbytur nga uji

4.5 ha serra janë përmbytur

30 ha pemë dekorative

900 ha jonxhe

80 ha hasëll

150 metër rrugë e shkatërruar

 

Situata

Problematike mbetet gjendja në pompat e ujit në Qafën e Koshovicës

Qetësohet Vjosa, uji tërhiqet, lë pas të ftohtin dhe llucën

Pakësimi i reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit ka sjellë përmirësimin e situatës në fshatrat e Qarkut të Fierit, të prekur nga përmbytja dy ditë më parë. Edhe pse niveli i lumit Vjosa ka pësuar rënie, qindra hektarë tokash bujqësore janë ende të përmbytura dhe të kthyera në moçalishte. Kështu, gjatë ditës së djeshme vijojnë të mbeten nën ujë tokat bujqësore të fshatrave të Levanit, Ferrasit, Cakranit të Rrethit të Fierit, Heklait, e Kutës në Mallakastër. Burime pranë grupeve të emergjencave civile të ngritura nëpër komunat e prekura, kanë pohuar dje, se situata po shkon drejt normalizimit. Kështu, mësohet se uji ka lëshuar terren duke u tërhequr nga rreth 300 hektarë tokë bujqësore e duke mbajtur të pushtuar 200 hektarë që ndodhen më pranë shtratit të tij. Ndërkaq, mungesa e reshjeve ka lehtësuar edhe lëvizjet e banorëve të fshatrave që u izoluan gjatë ditës së premte. “Vazhdojmë të mbetemi ende të izoluar për sa kohë uji dhe llumi janë ende në oborret e shtëpive tona, por ndryshe nga dje (të premten), sot (të shtunën) kemi mundur që të lëvizim me mjetet apo kafshët për punët tona”, është shprehur një banor i Komunës Levan. Ndërkaq, shefi i emergjencave në prefekturë, Viron Balla, ka deklaruar se grupet e punës po vijojnë të kenë nën kontroll situatën. “Gjendja është përmirësuar ndjeshëm. Ujërat janë tërhequr, ndërsa punonjësit tanë janë në vendet e prekura, ku vijojnë të ndihmojnë ndonjë banor që ka nevojë për transportimin e sendeve të rënda, apo të tjera ndihma të kësaj natyre. Mendojmë se problemet do të vijnë duke u minimizuar deri në tharjen e krejt sipërfaqeve të përmbytura”, ka theksuar Balla, i cili shton se ende nuk mund të evidentohen krejt dëmet e shkaktuara. Më tej Balla ka sqaruar se gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës është arritur të menaxhohet një tentativë e lumit Gjanica, ujërat e së cilës kanë devijuar nga shtrati.

Më e rëndë duket se paraqitet situata në pompat e ujit në Qafën e Koshovicës. Tetë prej pompave vazhdojnë të jenë jashtë përdorimit, për shkak të bllokimit nga lluca. Gjatë ditës së djeshme është dashur që të punojnë vetëm tre prej 11 pompave për të furnizuar me ujë të pijshëm rreth 150 mijë banorë të qytetit të Fierit dhe rrethinave të tij. Burime nga drejtoria e ujësjellësit kanë sqaruar se nuk mund të ndërhyhet deri në tërheqjen e plotë të ujërave. E.H.

Berat

Makina bie në Osum, shpëtohet shoferi

Një makinë përfundoi në ujërat e lumit Osum, por zjarrfikëset arritën të shpëtojnë drejtuesin e saj. Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës në afërsi të lagjes “Goricë” në Berat. Luan Sula po udhëtonte me mjetin e tij “Benz” në drejtim të fshatit Drobonik, kur humbi drejtimin dhe u rrëzua në lumë. Ndihma e menjëhershme e forcave zjarrfikëse bëri që ai të shpëtojë dhe pse mjeti u zhvendos nga rrjedha e lumit disa metra larg.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.