Taksat on-line, 41 % e bizneseve kanë probleme

Ornela Manjani- Rreth 50 % e bizneseve që operojnë në vend kanë hasur probleme me sistemin on-line të deklarimit. Bëhet fjalë për deklarimin e librit të shitjeve dhe blerjeve, i cili plotësohet çdo ditë nga të gjithë bizneset. Rezultati është produkti i një testi në të kryer në 738 biznese dhe në 150 kompani nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë. Ndërkohë bizneset kanë shprehur vlerësim për shkarkimin e deklaratave tatimore nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Tatimeve. Shkarkimin e deklaratave tatimore e kryejnë rreth 95 % e bizneseve. Rreth 86 për qind e bizneseve deklarojnë se e kanë shumë të lehtë ose të lehtë procedurën e shkarkimit të deklaratave tatimore, ndërsa 11.9 për qind e tyre, nuk e kanë as të lehtë dhe as të vështirë, këtë procedurë. Problemet e hasura gjatë shkarkimit janë të natyrave të ndryshme, por kryesisht ngecje gjatë shkarkimit të deklaratave. Incidenca e problemeve të hasura nuk cenon performancën e procesit nëse kryqëzojmë të dhënat mbi vështirësinë e shkarkimit të deklaratave dhe atyre që shfaqin frekuencën e problemeve Bizneset e përdorin në masë faqen elektronike të tatimeve. Rreth 84 për qind e përdor atë për shërbimet elektronike dhe për informacione të tjera. Vetëm 11 për qind përdorin atë vetëm për shërbimet elektronike. Pra një pjesë shumë e madhe shikon dobi edhe në pjesë të tjera të përmbajtjes së faqes. Deklarimin elektronik të tatimeve e kryejnë rreth 99 % e bizneset VIP. Rreth 80 për qind e të pyeturve deklarojnë se aplikimi i kësaj procedure është i lehtë ose shumë e lehtë, 14 për qind thonë se procedura nuk është as e lehtë e as e vështirë. 5 për qind deklarojnë se është e vështirë ose shumë e vështirë si procedurë. Në lidhje me kohën e harxhuar për të kryer deklarimin elektronik të tatimeve, 79 për qind e të pyeturve deklarojnë se harxhojnë vetëm disa minuta dhe procedura e deklarimit nuk është e gjatë. Ndërsa për ato biznese të cilët harxhojnë disa orë, rreth 20 për qind e tyre, 12 për qind e tyre mendojnë se nuk është e gjatë si procedurë. Vetëm 1 për qind e bizneseve thonë se kjo procedurë iu merr një ditë të tërë pune.
Asistenca e tatimeve
Lidhur me shërbimin elektronik ka asistencë nga drejtoria e tatimeve dhe bizneset e kanë përdorur atë rreth 50 për qind. Rreth 20 për qind prej tyre deklarojnë se ndihma e kërkuar ka qenë e shpejtë nga administrate tatimore, 25 për qind thonë se asistenca e tyre ishte ndihmëse, 9 për qind deklarojnë se ajo ka qenë e vonuar ndërsa 7 për qind deklarojnë se nuk kanë marrë përgjigje nga administrata lidhur me nevojën e tyre për asistencë. Vetëm 1 për qind deklarojnë se ndihma e dhënë ka qenë e paqartë. Kontaktet e tatimorëve me biznesin kanë ardhur në zbritje që nga viti 2010. Kjo shpreh faktin se një prej qëllimeve të shërbimeve elektronike është ulja e korrupsionit nëpërmjet uljes së kontakteve të zyrtarëve të tatimeve me biznesin.
Drafti
Kriza, falimentojnë 6 Dhoma Tregtie
Kriza ekonomike ka gjunjëzuar biznesin. Gjashtë Dhoma Tregtie në të gjithë vendin kanë falimentuar. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, i cili pohoi dje se vetëm gjatë muajve të fundit në të gjithë vendin janë mbyllur 6 dhoma tregtie, nga 12 të tilla që funksionojnë në të gjithë vendin. Këto struktura nuk mund të ushtronin aktivitetin për arsye të mungesës së fondeve, çka sipas Jakës vjen nga deformimi që iu bë ligjit për Dhomat e Tregtisë. Sipas Jakës janë mbyllur Dhomat e Tregtisë në qytetet e Korçës, Dibrës, Elbasanit, Beratit, Kukësit dhe Gjirokastrës. Sipas Jakës, situatën e rëndë që po kalon biznesi e kanë rënduar edhe detyrimet e prapambetura të papaguara nga qeveria. Klima e ashpërsuar mes biznesit dhe tatimeve është një tjetër ngerç me të cilin po përballet biznesi në muajt e fundit. Qeveria shqiptare në dy muajt e fundit ka siguruar më shumë të ardhura nga gjobat që i ka venë biznesit sesa nga deklarimi i të ardhurave dhe pagesat e taksave.
Shkurt, dyfishohen shpenzimet, deficiti jashtë kontrollit
Ministrisë së Financave i dalin shpenzimet janë kontrollit. Në muajin shkurt shpenzimet operative dhe kostoja e borxhit janë dyfishuar, ndërsa të ardhurat kanë shënuar një rritje të lehtë. Deficiti ka dalë jashtë kontrollit, duke kapërcyer parashikimet. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se shpenzimet korrente ishin parashikuar në masën 25. 9 miliardë lekë, por faktikisht për këtë zë janë shpenzuar 50 miliardë lekë. Shpenzimet për borxhin, pagesat për interesat e tij, ishin parashikuar të arrinin në 4. 4 miliardë lekë, por ky zë ka kapur shifrën 7. 9 miliardë lekë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se gjatë muajit shkurt të ardhurat në buxhet llogariten në vlerën 49.6 miliardë lekë, ndërkohë që ishin planifikuar 23.2 miliardë lekë. Deficiti buxhetor ka rritur në 7. 4 miliardë lekë. Ministria e Financave kishte parashikuar në fillim të vitit të ardhurat në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet në 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë. Situata është e trashëguar nga vitit i shkuar ku zëri me mosrealizimin më të lartë ishte Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ku munguan 2. 508 miliardë lekë. Një tjetër tregues negativ është ai i tatimit mbi të ardhurat personale, i cili pasqyron një rezultat negativ në masën 139 milionë lekë. Gjatë vitit të shkuar të ardhurat personale të shqiptareve kanë pësuar rënie dhe ky fakt është pasqyruar edhe në mbledhjen e më pak të ardhurave nga ky zë. Pushteti vendor vijon të pasqyrojë performancë të dobët në mbledhjen e të ardhurave. Ky zë regjistron rezultate negative e për pasojë në buxhetin e shtetit mungojnë 214 milionë lekë. Një tjetër tregues negativ në i pasqyrës së treguesve fiskal të buxhetit të shtetit për vitin 2012 është edhe zëri i Sigurimeve Shoqërore.
SHEKULLI
Add new comment