Flet gruaja e Prrenjasit: Zhduku Julianin kur ika unë

Postuar në 20 Mars, 2013 03:09

 

Valbona është vajza e madhe e 6 fëmijëve të Besnik e Lavdërime Pacit në Fushë-Çidhën të Dibrës. Për 20 muaj ka qenë e martuar, dhe pse jo zyrtarisht, me Ardian Prrenjasin. Ka fjetur me të, ka ngrënë me të, kanë diskutuar dhe faktin se mund të kishin një fëmijë në të ardhmen, por nuk ka ditur asgjë se kush fshihej në të vërtetë pas pamjes së burrit të saj. Herë pas here Valbona Paci përsërit refrenin: “Me mua është sjellë mirë”. Atë që ka ndodhur e ka marrë vesh nga policia kur i arriti në derë, sepse televizori në fshat nuk punonte.

27- vjeçarja tregon se e njihte Julian Çelën, madje i shoqi e dërgonte shpesh në dyqan për t’i blerë ndonjë gjë. Thotë që emrin nuk ia dinte, por kur ka parë fotografinë e tij pasi u zhduk e kishte pyetur të shoqin, i cili ka bërë të paditurin. Në të dy rastet Ardian Prrenjasi e kishte dërguar tek njerëzit e saj, një herë për të bërë letrat për celebrim dhe një herë për të festuar 14 Marsin.

Valbona, si u njohët me Ardianin?

Në gusht të vitit 2011, motra e komshiut tonë erdhi në shtëpi dhe na tha se njihte një djalë në Tiranë dhe se unë mund të martohesha me të. Ajo na e tha qartë dhe prerë: unë e njoh për djalë të mirë dhe të rregullt, por ju mund ta njihni edhe vetë. Mund ta takoni, ta shihni dhe të bisedoni për këtë lidhje serioze. Unë isha martuar dy herë të tjera, një herë 15 vjeçe në Luzni të Dibrës në një familje shumë të varfër. Ika prej andej se nuk kisha bukë për të ngrënë. Pastaj u martova në Maqedoni, por edhe prej andej ika se më rrihnin motrat e burrit. Kështu që e pamë Ardianin dhe krijuam bindje se ishte një njeri normal dhe pranova të martohem.

Po me Ardianin, si ishin marrëdhëniet tuaja?

Kurrë nuk e kam ditur se ai ishte një njeri kaq i lig. Me mua ka pasur sjellje normale, korrekte. Më mbante mjaft mirë. Më blinte rroba dhe ushqime vazhdimisht. Pinte ndonjëherë alkool, por nuk ishte i dhunshëm. Nuk më rrihte kurrë. Kam kaluar 20 muaj me këtë njeri dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Kam mbetur e shtangur kur erdhi Policia këtu në Dibër dhe më dërgoi në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe me thanë se çfarë kishte bërë Ardiani me fëmijë të vegjël.

Ju nuk dini asgjë në lidhje me veprimet kriminale të burrit tuaj?

Në asnjë rast nuk kam pasur dijeni për këto veprime të tij. Kur më thanë se Ardiani i ka marrë jetën Julian Çelës, kam mbetur pa mend. 11-vjeçari vinte në shtëpinë tonë dhe herë pas here Ardiani e dërgonte në dyqane për t’i blerë ndonjë gjë. Katër-pesë ditë para zhdukjes së Julianit, mua më porositi të shkoja në Dibër dhe të përgatisja dokumentet për të zyrtarizuar martesën. U ktheva pas disa ditësh. Më ra në sy mungesa e Julianit. Ai nuk vinte më në shtëpinë tonë. Nuk isha në gjendje të bëja krahasimin e emrit me fëmijën që vinte në shtëpi, për të kuptuar se 11- vjeçari që dilte në televizor ishte Juliani. E pyeta një mbrëmje: Ardian, ku është ai djali që vinte shpesh në shtëpinë tonë? M’u përgjigj se nuk dinte gjë.

PANORAMA

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.