Sigurimet e makinave, AMF: Masa për abuzuesit në treg

Postuar në 21 Mars, 2013 03:35

 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është rregullator i tregut të sigurimit, por nuk mund të diktojë çmime për kompanitë. Në një reagim për gazetën, AMF shprehet se ndërhyrja e tij si institucion më shumë lidhet me korrektësinë me të cilën kompanitë shlyejnë detyrimet ndaj qytetarëve për rastin e pagesës së dëmeve.

“Në një treg të lirë, rregullatorët financiarë nuk fokusohen te mbikëqyrja e tarifave, por kjo nuk do të thotë që nuk ka mekanizma për të monitoruar shëndetin financiar të shoqërive të sigurimit. Konkretisht, AMF, si çdo rregullator, fokusin kryesor e mban te provigjonet teknike dhe mjaftueshmëria e kapitalit”, shprehet zyrtarisht AMF.

MASAT

Pas liberalizimit të tregut, çmimet kanë pasur një luhatje të vazhdueshme, sidomos kjo e lidhur me sigurimin e detyrueshëm motorik TPL. Lidhur me këtë, rregullatori duket se do të marrë masa për të mos lejuar që qytetari të jetë ai që edhe pse paguan një policë sigurimi, mos të ketë garanci që do të marrë pas përfitimin nëse do të lindë nevojë. Kryetarja e AMF, Enkeleda Shehi, në reagimin për gazetën shprehet se institucioni që ajo drejton ka pasur në vëmendje mundësitë financiare të shoqërive për të respektuar angazhimet që ato kanë ndaj konsumatorëve dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura me zotëruesit e kontratave të sigurimit.

“AMF ka ndërhyrë vazhdimisht në bazën ligjore që rregullon trajtimin e dëmeve, duke reflektuar herë pas here dhe përmirësime, të cilat janë diktuar nga problematikat që AMF ka hasur gjatë inspektimeve të vazhdueshme pranë shoqërive të sigurimit, me tematikë trajtimin dhe pagesat e dëmeve. Në vazhdimësi, AMF do t’i monitorojë këto praktika dhe po të jetë e nevojshme, do të marrë masa akoma më shtrënguese, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorit”, shprehet Shehi.

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.