ENIGMA E NJOHJEVE

Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe as Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj nuk e dinë numrin e saktë të njohjeve që i kanë ardhur Kosovës. Ata shpesh pohojnë se gjysma e shteteve të OKB’së e kanë pranuar Kosovën, por askush nuk tregon numrin e saktë.
As Kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka përmendur numrin e saktë të njohjeve që i kanë ardhur deri më tash Kosovës.
Ai në fjalimin e së premtes në Këshillin e Sigurimit të OKB’së ka thënë vetëm se më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë pranuar pavarësinë.
“Kosova tashmë është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, dhe se gjeografia e njohjeve të saj ka dëshmuar se është proces i pandalshëm dhe i pa kthyeshëm”, ka thënë Thaçi para anëtarëve të Organizatës më të madhe botërore.
Aktualisht në OKB janë të anëtarësuara 192 shtete, ndërsa në listën e Ministrisë së Punëve të Jashtme figurojnë 96 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shteti i fundit i regjistruar aty është Saint Kitts dhe Nevis, njohje kjo e ardhur më 28 nëntor 2012
Më 21 gusht të vitit të kaluar, Kryeministri Thaçi kishte falënderuar edhe një vend që nuk e kishte njohur Kosovën asnjëherë.
“Unë sot do të doja të falënderoj Republikën e Çadit dhe Republikën e Malit për marrjen e vendimeve të tyre për të njohur Kosovën”, kishte lexuar fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.
Jahjaga e Pacolli: Pyeteni MPJ’në
Në Zyrën e Atifete Jahjagës nuk janë përgjigjur sa është numri i njohjeve që i kanë ardhur Kosovës prej shkurtit të vitit 2008.
Zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu është pyetur se sa është numri i saktë i njohjeve.
Përgjigja e tij, është: “Drejtojuni Ministrisë së Punëve të Jashtme”
Në pyetjen e dytë se a ka kërkuar ndonjëherë Jahjaga të informohet saktë për numrin e njohjeve, meqë Presidenti është udhëheqës i politikës së jashtme, Vllahiu është përgjigjur duke bërë pyetje.
“Prej kujt duhet të kërkojë Presidentja numrin e saktë të njohjeve?”, ka pyetur Vllahiu në përgjigjen me shkrim.
As në Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë nuk kanë dhënë përgjigje për numrin e saktë të njohjeve.
Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj ka thënë po ashtu se të gjitha përgjigjet mund t’i
merren në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Por, ai ka thënë se numri i njohjeve është më i lartë se sa janë të vendosura në listën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Ne ju konfirmojmë që numri i njohjeve është më i madh, por ketë pyetje, të lutem ia drejtoni MPJ’së pasi qe ata e mbajnë evidencën”, ka thënë Zyberaj, për Express.
As në Komisionin për Politikë të Jashtme nuk e dinë saktë numrin e njohjeve.
Në emër të Kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme, Albin Kurti është përgjigjur Puhie Demaku, zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet qeveritare për numrin e saktë të njohjeve.
“Për të dyja përgjigja është Jo. Arsyet janë këto: Ministri Hoxhaj nuk paraqitet në Komision kur Komisioni e fton. Ne 2012 ishte vetëm një herë”, ka thënë Demaku.
Sipas saj, paqartësitë me numrin e njohjeve vijnë për shkak se është shpërndarë përgjegjësia dhe askush nuk e merr fajin.
“Me shpërndarjen e kompetencave për njohje e punë të jashtme është shpërndarë edhe
faji. Të gjithë bëjnë me gisht nga njeri tjetri e askush nuk jep përgjigje e përgjegjësi”, ka shtuar ajo.
Megjithëkëtë, Ministria e Jashtme vazhdon të mos i pasqyroj të gjitha njohjet që i kanë ardhur Kosovës.
Më herët, Ministri Hoxhaj në një intervistë për Express nuk pati përmend numrin e saktë të njohjeve, duke thënë se janë 96 plus dy njohje.
“Do të thotë gjithsej 96 plus 2”, ishte përgjigjur Hoxhaj.
Ndërkohë, ende mbesin të pasqaruara deri në fund njohjet pa nota verbale të ardhura prej Nigerisë dhe Ugandës, të cilat kontestohen si njohje edhe nga diplomacia amerikane.
Megjithëse këto dy shtete figurojnë si vende që e kanë pranuar Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, Prishtina nuk ka kurrfarë lidhjesh diplomatik me Abujan dhe Kampalan.
Para një jave, Ministria e Jashtme ka njoftuar vetëm se Guajana e ka njohur Kosovën, por pa treguar nëse është njohja e 97, 98 apo 99.
EXPRESS
Add new comment