Doris Pack: Bëni zgjedhje të lira dhe pranoni rezultatin. I çuditshëm rikthimi i retorikës nacionaliste pas 20 vitesh

Ish-kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, bën thirrje që udhëheqësit e partive politike në Shqipëri të organizojnë zgjedhje të drejta e të pranojnë rezultatin e tyre ndërsa tërheq vëmendjen se retorika nacionaliste është e dëmshme në rastin e Shqipërisë.
“Përsa u përket zgjedhjeve, sigurisht që ne jemi shqetësuar, deri tani kemi folur gjatë për problemet e tyre, por unë them se duhet të vazhdojmë ta bëjmë. u bëj thirrje të gjithë politikanëve, sidomos kryetarëve të partive, të sillen me të vërtetë si demokratë e evropianë. Ata duhet të bëjnë, para së gjithash, zgjedhje të mira, të lira e të ndershme dhe ta pranojnë rezultatin e tyre. Kjo është gjëja më e rëndësishme”- tha Pack për “AS”.
Sipas eurodeputetes politikanët nuk duhet të punojnë për partinë, por për votuesit e qytetarët
“Jam prej shumë kohësh në politikë, herë në opozitë e herë në qeveri. I kam ndryshuar këto role vërtet shumë shpesh në jetën time. Por nuk kam punuar për partinë, kam punuar për të bërë më të mirën për zgjedhësit e mi, për qytetarët gjermanë, që më kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar. Ideja ime është se nëse mendon të zgjidhesh, kjo do të thotë se njerëzit të mbështesin për të punuar për ata, jo që të merret një post, por për t’i ndihmuar të kenë rrugë të mira, të kenë edukimin e duhur për fëmijët, për t’i zgjidhur atyre problemet që kanë. Dhe kjo gjë pritet të bëhet jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë evropianët, sidomos kur synon të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian“- tha Pack.
Duke komentuar reagimet e Komisionerit Fule për retorikën nacionaliste, edhe ajo nuk e fsheh habinë, pasi Shqipëria, tashmë ka hyrë në rrugën e integrimit evropian.
“Sigurisht që edhe unë jam e shqetësuar dhe nuk arrij ta kuptoj këtë. Kanë kaluar, të paktën, njëzet vjet dhe nuk është dëgjuar të flitet për këtë retorikë nacionaliste. Asnjëherë. Unë kam menduar se kjo nuk do të ndodhte asnjëherë në Shqipëri. Kurse po ndodh tani, njëzet vjet më vonë, kur vendi është futur në rrugën e integrimit evropian. Kjo retorikë nuk është e dobishme. Shumë njerëz jashtë Shqipërisë nuk arrijnë ta kuptojnë këtë. Për dikë kjo mund të jetë me përfitime, por jo për Shqipërinë. Asnjë vend anëtar i BE-së nuk duhet të përdor retorikë nacionaliste“- tha Pack.
TEMA
Add new comment