Rama pas arrestimit të babait të Sajmir Tahirit: Asnjë s’është mbi ligjin, hetim i pavarur

“Por nuk janë të panjohura sulmet ndaj Tahirit, denoncoi korrupsioni qeveritar”
Kreu i PS, Edi Rama reagoi pas lajmit për arrestimin e babait të deputetit të PS, Sajmir Tahiri për kontrabandë ilaçesh.
Rama theksoi se z. Tahiri duhet të hetohet në mënyrë të pavarur, por nuk përjashtoi mundësi që akuza të jetë politike, duke qenë se sulmet ndaj deputetit Sajmir Tahiri kanë qenë të njëpasnjëshme, pasi ai është një nga personat që ka denoncuar hapur dhe në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë Kupolën drejtuese të Policisë.
“Asnjë shtetas i Republikës së Shqipërisë nuk është mbi ligjin. Zoti Bashkim Tahiri duhet të hetohet deri në fund dhe të gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur, për akuzën që ka ngritur policia.
Fakti që bëhet fjalë për të atin e deputetit Saimir Tahiri, sigurisht nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm. Por, pa asnjë dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar! Sepse dihet botërisht që nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist. I cili është i mirënjohur nga opinioni publik për kurajën dhe këmbënguljen me të cilën ka denoncuar në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë Kupolën drejtuese të Policisë.
Dihen edhe gjyqet e orkestruara në dëm të Saimir Tahirit për akuzat e tij ndaj fëmijëve të kryeministrit. Prandaj natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht, në kohë reale, me një bujë të pazakontë, i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait kryeministër.
Por, sidoqoftë, edhe historia ende shumë e freskët e ndalimit po kaq të bujshëm dhe po për hakmarrje politike të kryebashkiakut të Kavajës, tregon se e vërteta nuk vonon shumë të dalë.
Deri sa të dalë e vërteta ne jemi edhe në qëndrime po ata që kërkojmë vazhdimisht me fjalë barazi para ligjit dhe ndëshkim sipas ligjit për të gjithë. Pa dallim. Edhe nëse bëhet fjalë për kolegë ose të afërm të kolegëve tanë nën akuzë. Po njësoj edhe në këtë rast konkret.
Por cilado qoftë e vërteta që qëndron pas ndalimit nga policia të babait të Saimir Tahirit, kryesocialisti Edi Rama shpreh të gjithë solidaritetin njerëzor, por edhe bindjen e plotë për integritetin moral e politik të deputetit socialist. Saimir Tahiri është njëri prej pjesëtarëve më aktivë të skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe kjo ngjarje as nuk e cenon as nuk e kushtëzon konsideratën e lartë për të”, deklaroi Rama.
SHQIP
Add new comment