Evis Kushi: Firmosa mbi letër të bardhë, jo peticionin

Postuar në 26 Mars, 2013 03:57

 

-Evis Kushit dhe pedagogëve të tjerë në Elbasan ua morën firmën mbi një letër të bardhë në mirëbesim dhe ua përdorën për peticionin kundër Ramës për tre ligjet e Statusit. Kjo firmë u përdor sërish kundër Ramës, i cili e ka zgjedhur Kushin në listën e PS-së për Elbasanin. Vetëm një ditë pas prezantimit nga kryesocialisti Edi Rama të kandidates për deputete, Evis Kushi, kjo është vendosur në qendër të sulmeve politike nga mazhoranca.

Reagimi 

"Duke dashur të bëjë politikë kundër një gruaje të sapo futur në politikë, kryetarja e Kuvendit solli sot në vëmendjen e publikut historinë e një firme që unë kam hedhur në mirëbesim, njësoj si edhe kolegë të tjerë në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit”. Kështu ka reaguar pas këtyre akuzave, Kushi, e cila sqaroi se nuk ishte në dijeni se ky peticion ishte një nismë politike. 

“Kam firmosur fare sinqerisht mbi një letër të bardhë pasi m’u tha se ishte fjala për një nisëm jopolitike, ku kërkohej bashkëpunimi i të gjitha forcave politike në funksion të integrimit. Por, fatkeqësisht, ajo nisëm s'ishte aspak jopolitike dhe aspak në frymën e bashkëpunimit që u tha se bota akademike ia kërkonte politikës për të mirën e vendit. Përkundrazi, ishte pjesë e atij politizimi të skajshëm që po e rrënon nga themelet botën akademike duke e kthyer universitetin në një hapësirë asfiksuese për lirinë e të menduarit”, -kështu e shpjegon rrethanën në të cilën ajo dhe kolegët e kanë firmosur peticionin. “Ky politizim skandaloz në dhunim të lirisë akademike, -vazhdon Kushi,- është një nga shumë arsyet që më nxitën t'i them "Po!" ftesës Edi Ramës dhe Partisë Socialiste”. Më tek ajo i drejtohet Topallit: “Sot, duke dëgjuar mirëseardhjen e vrazhdë në politikë që më rezervoi kryetarja e Kuvendit, ndjehem edhe më e motivuar se dje për të luftuar në gjirin e skuadrës për rilindjen e Elbasanit e të gjithë Shqipërisë",  thekson në  deklaratën për mediat anëtarja më e re e skuadrës së PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Evis Kushi është dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

Topalli

Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, deklaroi se Kushi është një prej firmëtarëve që i kërkoi Partisë Socialiste të votojnë 3 ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Shikojeni, është Evis Kushi, deputete e ardhshme në listën e PS-së. Është kundër Edi Ramës, kërkon 3 ligjet. Mos u bëni mish për top sepse ju jeni kolegët e mi. Sepse pas 23 qershorit kur të humbasë përsëri, ai do t'i thotë shqiptarëve se ishte grupi parlamentar që nuk votoi 3 ligjet për marrjen e statusit, sepse ai kërkon të vendosë këto emra që kanë firmosur kundër tij. Në fakt, ai i ka cilësuar si specie të krijuara në laboratorin e Enver Hoxhës, dje tha të kundërtën e asaj që kishte thënë një muaj përpara", u shpreh Topalli.

   SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.