Procesi i legalizimit, Rama: Me Berishën në krye nuk përfundon as për 160 vjet

Postuar në 26 Mars, 2013 14:03

 

Partia Socialiste organizoi pasditen e sotme një tryezë kushtuar çështjes së legalizimeve me pjesëmarrjen e banorëve të ndryshëm që prej vitesh janë në pritje të procesit të legalizimit të banesave.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama kritikoi punën e bërë deri tani nga qeveria e djathtë në këtë kuadër, duke theksuar se në 8 vjet qeverisje Partia Demokratike ka legalizuar më pak se 5 për qind të ndërtimeve pa leje dhe se kreu i qeverisë e përdor kartën e legalizimit sa herë që ka zgjedhje, pa dhënë një zgjidhje konkrete të problemit.

“Kryeministri Sali Berisha, gjithmonë në prag të zgjedhjeve u kthehet premtimeve për legalizimet. Që nga viti 2005 deri tani ka legalizuar më pak se 5% të gjithë ndërtimeve pa leje. Që Partia Demokratike të mbarojë procesin e legalizimeve, qytetarët duhet të presin 160 vjet. Procesi i legalizimit të objekteve pa leje duhej të kishte përfunduar tashmë. Me këta që janë në qeveri, do lënë stërnipërit e stërnipërve e stërnipërit e stërnipërve pa u legalizuar”, tha Rama.

Sipas Ramës, PS e la vendin në vitin 2005 me 250 mijë ndërtime të palegalizuara, ndërsa sot ky numër ka shkuar në 400 mijë ndërtime.

Sipas kryesocialistit, konflikti i pazgjidhur me pronat ka shkaktuar sot mbi 8 mijë të vdekur në Shqipëri.
“Se çfarë ndodhi me pronat në Shqipëri, kjo dihet; histori barbare, kaos, falsifikim dokumentesh, kalim pronash nga njëri tek tjetri. Falë firmave në zyra e fatzinjve dhe babëzisë së njerëzve në pushtet, u krijuan konflikte që kanë sjellë 8 mijë të vdekur në Shqipëri, makinacione që i përkasin një historie që na turpëron si vend në mes të Europës”, tha kreu i PS.

Duke kujtuar se PS e ka propozuar të parin projekt për legalizimet që në vitin 2002, lideri i opozitës ka prezantuar mënyrën se si mendon ta zgjidhë këtë çështje të tejzgjatur kur të vijë në pushtet.

“Sot që flasim janë të regjistruara vetëm 60 për qind e pronave në vend. Ne do ta integrojmë procesin e legalizimeve me procesin e regjistrimit të pronave. Ne do legalizojmë me prioritet maksimal qofshin ndërtimet në tokë private apo shtetërore”, ka shtuar Rama.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.