Berisha shpërblen këshilltarin e Ilir Metës, i arrestuar për vrasje e trafik droge

Kryeministri Sali Berisha shpërblen këshilltarin e Ilir Metës, i arrestuar për trafik droge dhe përfshirje në bandat kriminale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri ka akorduar 1500 euro për Almir Rrapon, i cili në kohën që u arrestua punonte si këshilltar i Ilir Metës, teksa kryente detyrën si ministër i Jashtëm dhe zv/kryeministër i shtetit shqiptar. Amerikanët arrestuan “diplomatin” e Metës pasi ekzistonin prova të përfshirjes në një prej bandave më mafioz në Nju Jork. Berisha e ka justifikuar dhënien e shpërblimit me një vendim të Gjykatës së Strasburgut, që në fakt ekstradimin e Almir Rrapos drejt SHBA-së e ka cilësuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj. Gjykata e Strasburgu ka gjetur shkelje vetëm në dërgimin e ish-sekretarit të Ilir Metës me procedura të përshpejtuara në Amerikë, pa kaluar më parë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën Europiane.
“Ankesa e Rrapos që rrjedhin nga rreziku i imponimit të dënimit me vdekje në SHBA është e papranueshme. Gjykata vendos se nuk ka pasur shkelje të neneve 2 dhe 3 të Konventës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 13 për shkak të ekstradimit të ankuesit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka pasur shkelje vetëm në dërgimin e tij me procedura të përshpejtuara”, thuhet në vendim.
Loja e diplomatit të Metës
Këshilltari i Ilir Metës nuk la gurë pa lëvizur që të mos ekstradohej në SHBA. Fillimisht, gjatë seancave gjyqësore në të gjitha shkallët, “diplomati” i akuzuar për trafik ndërkombëtar drogë dhe përfshirje në banda kriminale, pretendonte se arrestimi i tij ishte thjesht një gabim.
Por kur në Shqipëri mbërriti dosja e FBI-së, këshilltari i Metës ndërroi taktikën e mbrojtjes. 29-vjeçari filloi të pretendonte se i rrezikohej jeta, pasi për krimet që ai akuzohej, dënohej në Nju Jork nga burgim përjetë deri në dënim me vdekje.
Megjithëse çështja shkoi në të gjitha shkallët e gjyqësorit, në muajin tetor të vitit të 2011, Almir Rrapo ekstradohet, dhe pse avokatët e tij ishin ankuar edhe në Gjykatën e Strasburgut. Kjo e fundit kërkoi informacion për ekstradimin e Rrapos dhe arsyetimi ishte “garancia e jetës” në SHBA.
Almir Rrapo u ekstradua drejtë SHBA-së dhe në përballjen e parë me oficerët e FBI-së ai pranoi gjithçka, duke u shndërruar në të “penduarin” e drejtësisë amerikane.
Rrapo, pjesë e mafies në Amerikë
Almir Rrapo ishte pjesë e një bande që kishte zëvendësuar familjet mafioze italiane në Nju Jork. Këtë ka pohuar ish- diplomati i Ilir Metës, i cili pasi pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë amerikane, rrëfeu se rreth 20 persona ishin pjesë e bandës “Krasniqi”. 30- vjeçari rrëfeu të gjitha krimet në prokurori, madje edhe me detaje dhe episode, duke treguar funksionimin e bandës, që nga trafiqet e drogës dhe vrasjet e ndodhura gjatë viteve. Falë këtyre dëshmive, Rrapo përfitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, çka ndikoi edhe në vendimin përfundimtar. Ai u dënua vetëm me gjashtë vite burg në një kohë që dy bashkëpunëtorët e tij në krime, Bruno dhe Saimir Krasniqi u dënuan me burgim të përjetshëm./l.ç
TEMA
Add new comment