Berisha: Taksa progresive do kulmonte informalitetin

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në një takim me përfaqësues të biznesit të huaj në Shqipëri se taksa progresive do të ishte një akt pabesie ndaj tyre.
“Taksa progresive në Shqipëri do të kulmonte informalitetin, do të ishte mesazhi më i gabuar që do t’u jepnin investitorëve të huaj, do të ishte dhe akt pabesie ndaj jush. Taksa progresive do të ishte goditje shkatërrimtare,” tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se investimet e huaja janë po aq të rëndësishme sa ajri në vendin tonë.
“Investimet e huaja do të thonë punësim dhe u siguroj që qëllimi më madhor i reformave është punësimi i shqiptarëve. Ne do t’i japim një shtytje të madhe punësimit dhe rritjes ekonomike. Duhet të theksoj se vendi ka potenciale të mëdha turistike, minerale dhe gjatë katër viteve që vijnë do të ndërmarrim reforma më të thellë në drejtim të tregut të punës për t’i dhënë fleksibilitetin më të lartë, pasi kriza faktoi se tregu i punës është faktor më vete për thellimin e saj”, deklaroi Berisha.
“Ne po bëjmë gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë. Hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë një rrogë nën 30 mijë lekë. Jemi të gatshëm të vendosim në vend standardet dhe praktikat më të mira që ekzistojnë. Po studiojmë praktika nga Zelanda e Re dhe Singapori që t’i instalojmë në Shqipëri”, deklaroi Berisha, i cili theksoi edhe një herë se vendi ynë e ka përballuar me sukses krizën ekonomike që përfshiu Europën.
“Reformat e marra nga qeveria janë faktuar të suksesshme dhe e mbrojtën Shqipërinë në momentet e krizës së thellë europiane. Partnerët tanë ishin në vështirësi serioze, por ekonomia shqiptare vazhdoi rritjen, edhe pse jo një rritje shumë e madhe”, tha kryeministri./ep
TEMA
Add new comment