Pas vendimit të Gjykatës, Tahiri: I gatshëm për përballje me pushtetin e korruptuar

Pas lirimit të të atit, deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka deklaruar sot se nuk do të ndalet përballë korrupsionit dhe presioneve të kryeministrit Berisha ndaj tij.
Në një konferencë për shtyp, Tahiri theksoi se vendimi i sotëm i gjykatës tregoi se arrestimi ishte inskenim policor.
“Unë jam i vendosur për t’i qëndruar pranë familjes sime dhe për të kërkuar hetime. Por unë e siguroj Berishën se bashkë me kolegët e mi nuk përkulemi, por jemi të gatshëm të përballemi me këtë pushtet të korruptuar”,- tha Tahiri.
Tahiri ka theksuar se kjo ngjarje i bën më të fortë, ndërkohë që ai që duhet të japë llogari për korrupsion është kryeministri Berisha dhe familjarët e tij.
“Shantazhi ndaj deputëve të opozitës nuk funksion por është një shtysë dhe është edhe një thirrje për qytetetarët që përfshihen në skuadrën e PS-së dhe në përpjekjen tonë për një rilindje shqiptare, për t’i dhënë jetë dhe shpirt rilindjes. Berisha të mos e çojë nëpër mend se do përulem unë, familja ime apo kolegët mi, por do japë llogari për familjen e tij, për djalin tij Shkëlzenin dhe baxhanakun që bëri sikur nuk e njihte dhe fabrikën e vdekjes në Gërdec, për vajzën e tij Argitën dhe paratë e fituara të padeklaruara, për bashkëshorten e tij Lirien, për tenderat me të cilat ka fituar mijëra euro dhe për ministrat e tij. Askush të mos e çojë nëpër mend se do shpëtojnë pa dhënë llogari një për një. Unë jam sot më i përkushtuar në barazinë para ligjit. Nuk resht asnjë minuta bashkë me kolegët”,- shtoi Tahiri.
Ai ka theksuar më tej se në 23 qershor Partia Socialiste së bashku me shqiptarët do të hapim një kapitull të ri për vendin duke i hapur rrugën rilindjes shqiptare.
Gjykata: “Detyrim paraqitje”, për Bashkim Tahirin. Avokati: Akuzohet, vetëm se është babai i Sajmir Tahirit
Gjykatës e Tiranës ka dhënë masën e dënimit, “detyrim paraqitjeje”, për Bashkim Tahirin, të atin e deputetit të PS-së, Saimir Tahiri,i arrestuar 3 ditë më parë nga policia e Tiranës për kontrabandë medikamentesh.
Trupi gjykues ka pranuar kërkesën e prokurorisë për lirimin 62-vjeçarit Bashkim Tahiri ndërsa ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Dritan Gjizën duke shtuar se arrestimi i tyre ka qënë i ligjshëm.
Por ndryshe nga gjykata, avokati mbrojtës i Bashkim Tahirit, Plarent Ndreca e cilësoi si të paligjshëm arrestimin e klientit të tij.
Sipas avokatit arrestimi i 62-vjeçarit është i motivuar politikisht me qëllimin për të denigruar djalin e tij, Saimir Tahiri.
” Nuk ka prova që të implikohet në kontrabandën e medikamenteve. Prova e vetme në këtë çështje, është se Bashkim Tahiri është babai i deputetit të PS-së”,- është shprehur përpara vendimit Avokati.
Dritan Gjiza, Bashkim Tahiri dhe Nadire Taka u arrestuan në 25 mars nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar i Policisë së Tiranës për kontrabandë të mallrave që paguhet akcizë.
Ata akuzohen për kalimin e një sasie ilaçesh kontrabandë nga pika kufitare e Durrësit, sipas policisë me vlerë mbi 10 mijë euro.
Policia, dy versione për arrestimin e “kontrabandistëve”
Nikoleta Kovaçi
-Prokuroria përgjatë dy ditëve të punës mbi materialet e depozituara nga policia për aktin e arrestit në kushtet e flagrancës së të atit të deputetit socialist, Saimir Tahiri dhe të dy personave të tjerë, ka verifikuar mungesë të theksuar të fakteve me anë të të cilave mund të mbanin të izoluar personat e arrestuar. Ndonëse reagimet e njëpasnjëshme të avokatit mbrojtës të Bashkim Tahirit, në lidhje me arsyen e arrestimit të babait të deputetit opozitar, ishin mjaft të ashpra, ka qenë edhe prokuroria që në kërkesën për gjykim paraprak të të arrestuarve të vërejë se në të vërtetë, në momentin e arrestimit nuk ka të bëjë me kontrabandë, por me blerje malli. Asnjë procesverbal policor nuk fakton nëse personi që ka kryer kontrabandën ka qenë Bashkim Tahiri, ndërkohë që materiali për të cilin është akuzuar 62- vjeçari mësohet se i kushton shtetit vetëm 90 mijë lekë të vjetra. Ky dëm është TVSHja e mallit që sipas ekspertëve të Task-Forcë, nuk është deklaruar dhe se ky është i gjithë ‘faji’ i Tahirit, emri i të cilit u lakua jo pak herë në parlament, po ashtu edhe në debate publike, pikërisht për futjen kontrabandë të medikamenteve që më pas i shiste në farmacinë e tij, që gjenden në ambientet e QSUT-së. Ndërkohë që në njërin procesverbal të mbajtur në momentin e ar- restimin tregon se malli i sekuestruar iu kap Bashkim Tahirit, ndërsa në procesverbalin e dytë është konkluduar se medikamentet kontrabandë i kishte shtetasja Taga dhe Tahiri. Gruaja që është konsideruar edhe si ndërmjetësja për policinë, për prokurorinë do të lihet e lirë dhe pa asnjë akuzë, pasi nuk rezulton të jetë e përfshirë fare në akuzë. Njëkohësisht, prokuroria do të paraqesë para gjykatës ditën e sotme edhe fakte të tjera që rrëzojnë pretendimin publik të policisë në lidhje me vlerën e 10 mijë euro- ve, të deklaruara në momentin e arrestimit, sipas të cilëve është vlera në treg e mallit të përfituar nga Tahiri. Vlera e bërë publike nga policia është një shumë e nxjerrë apriori, ndërkohë që nuk është kryer ende një procesverbal në lidhje me vlerën reale që mund të kenë medikamentet. Ende nuk është e qartë se kush nga punonjësit e policisë që ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e arrestimit, ka patur tagër të vendosë çmimin mbi medikamentet, megjithatë ky fakt mbetet për tu verifikuar nga specialistë të kësaj fushe. Kështu, mësohet se avokati mbrojtës i Bashkim Tahirit, Plarent Ndreca kërkon të heqë të gjitha akuzat ndaj klientit të tij ditën e sotme në gjykatë, paçka se pritet të lërë qelinë.
SHEKULLI
Add new comment