Amerikanët, me numrin më të madh të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it

Postuar në 29 Mars, 2013 06:04

 

Ylli Pata

Përgatitja - Zyrtarë të ambasadës së SHBA janë shpërndarë në çdo kënd të vendit për të parë problemet e listave dhe ngritjes së infrastrukturës

KQZ - Ndihma amerikane do të trajnojë KQZ për të planifikuar të gjithë strategjinë, që të përballojë situata ngërçi si ajo e zgjedhjeve lokale

Vëzhguesit - Koalicioni i vëzhguesve vendorë do të mbështeten nga SHBA për të monitoruar votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar

Grupet - SHBA do të mbështesë me grante të vogla grupe të pafavorizuara të shoqërisë për të marrë pjesë në votim dhe të mos ndikohen nga blerja e votës

Fondi - SHBA kanë akorduar 1 milion dollarë për të gjithë projektin i cili do të menaxhohet nga USAID gjatë gjithë kësaj periudhe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë angazhimin më të madh që kanë pasur ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. E thënë më qartë, procesi i “blinduar” i mbikëqyrjes ndërkombëtare është ideuar, financuar dhe drejtuar nga qeveria e Uashingtonit. Fjala e Hillary Clinton më 1 nëntor në Tiranë, gjatë vizitës së saj si sekretare e Shtetit, nuk ka qenë thjesht një mesazh apo qëndrim, por një angazhim që dje ka marrë formën e saj më të plotë, e në fakt është paralajmëruar nga gazeta “Shqip” shumë kohë më parë. Konkretisht, SHBA do të kenë numrin më të madh të vëzhguesve në terren të OSBE-ODIHR-it, i cili si asnjëherë më parë do të ketë amerikanët si protagonistë të monitorimit dhe hartimit të raportit përfundimtar, që do të përmbajë periudhën parazgjedhore, gjatë zgjedhjeve, numërimin dhe shpalljen e rezultatit. Pas zgjedhjeve të kontestuara të 28 qershorit 2009, SHBA duke qenë se është dhe financuesi më i madh i OSBE-së pati kreun e misionit të ODIHR-it në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, pikërisht të mirënjohurin Jonathan Stonestreet. Ky mision vuri “pikat mbi i”, duke sjellë një precedent të ri, pra analizoi vetëm procesin zgjedhor nga ana teknike dhe nuk u mor me “lustrimin politik të raportit”. Siç dihet, raporti i zgjedhjeve të 2011-s ka rrëzuar vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhur, duke i cilësuar “ekstraligjore” dhe që solli një performancë të re të qëndrimit ndërkombëtar. Ndërkaq, në zgjedhjet e 23 qershorit, që ende nuk dihet se kush do të jetë kreu i misionit vëzhgues, një gjë është e qartë, ai do të jetë një mision i dominuar nga amerikanët dhe pjesa tjetër do të jetë e përbërë nga monitorë nga vendet e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës. Pra nuk do të ketë organizata të nivelit të tretë si Asambleja Parlamentare e OSBE-së apo organizma të tjera. Këtë e bëri të ditur vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili deklaroi dje se “Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me delegacionin më të madh të mundshëm për misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, çka përfaqëson një pjesë të rëndësishme të angazhimit të SHBA brenda asistencës së përgjithshme ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu mirënjohëse për përpjekjet e Delegacionit të BE-së, i udhëhequr nga ambasadori Sequi, dhe Komisioni Europian, siç u demonstrua nga vizita në fillim të javës e Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule. Duhet të njohim gjithashtu asistencën e të tjerëve në bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Europës dhe shtete anëtare individuale europiane, disa prej të cilave janë të përfaqësuara sot këtu”.

Projekti

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpenzuar 1 milion dollarë në një projekt gjigant për monitorimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Një projekt që ka disa faza dhe shumë aktorë që do të shpenzojnë paratë e taksapaguesve amerikanë për të rritur transparencën dhe standardet në votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Në lidhje me situatën parazgjedhore,

ambasada e SHBA ka dërguar njerëzit e saj në të gjithë skajet e Republikës për të parë problemet e organizimit. Në lidhje me fushatën zgjedhore, SHBA do të nxisë debatin publik të hapur kryesisht ndërmjet të rinjve të partive, për të promovuar një klasë të re politike në vend. Tre debate televizive mes tre forumeve rinore të partive do të zhvillohen në televizion të mbështetura nga SHBA. Në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve, SHBA do të japë asistencë teknike për KQZ-në, në mënyrë që të përgatisë një strategji për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve, planifikimin dhe vlerësimin paszgjedhor që të shmangen situata të ngjashme si ato të zgjedhjeve të 2011-s në lidhje me votat e numëruara gabim. SHBA gjithashtu mbështet monitoruesit vendorë në misionin e tyre të vëzhgimit të ditës së votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve, duke dhënë në kohë reale rezultate të marra nga procesverbalet e KZAZ-ve në çdo qark të vendit. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i projektit është mbështetja e komuniteteve të ndryshme si ai i romëve, komunitetit LGBT apo dhe grupe të tjera të pafavorizuara me anë të granteve të vogla që mbështesin ndërgjegjësimin për të rritur pjesëmarrjen dhe ndërgjegjësimin ndaj votës së lirë.

 

Ambasadorja gjermane

Holtkemper: Zgjedhjet, vendimtare për të ardhmen 

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Myler Holtkemper, deklaroi se Shqipëria vazhdon që të jetë një vend, ku shteti ligjor nuk ekziston. Dhe, sipas saj, ky është një ndër kriteret kryesore të BE-së, që Shqipëria ende nuk e plotëson. Ndërkohë, duke folur për situatën parazgjedhore në vend, ajo ka thënë se klima politike është e tensionuar. Për këtë arsye ajo ka kërkuar nga partitë politike që të prezantojnë programe në të mirë të vendit dhe jo të lëshojnë akuza ndaj njëra-tjetrës, duke tensionuar situatën. Ajo është ndalur edhe te propozimi i Berishës për votimin e 16-vjeçarëve, duke thënë se për këto zgjedhje, ky propozim është shumë vonë të vihet në zbatim. “Për sa i përket zgjedhjeve unë në fakt nuk jam parashikuese e fateve, por duke ju kthyer realitetit politik, ai është i dominuar nga tensionet politike për sa i përket tematikës zgjedhore. Zgjedhjet janë vendimtare për sa i përket së ardhmes së një vendi. Ajo çka duhet vlerësuar janë programet e forcave politike, pa qenë konfliktuale dhe pa i personalizuar këto konflikte. Shpresojmë që këto zgjedhje të jenë të ndershme, transparente dhe të fitojë ekipi më i mirë. Vetëm në bazë të shtetit ligjor, Shqipëria do t’ju afrojë njerëzve të vet perspektivën e zhvillimit të vendit. Shteti ligjor është ai që unë do ta shikoja si problemin dhe detyrën më të ngutshme që duhet të realizojë Shqipëria në procesin e integrimit europian të vendit”, tha Holtkemper. Deklaratat e ambasadores gjermane janë bërë nga qyteti i Gjirokastrës, ku ajo është shpallur “Qytetare Nderi”.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.