Klima e biznesit, Berisha replikën me përfaqësuesen amerikane

Postuar në 29 Mars, 2013 08:40

 

Përfaqësuesja  e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Filloreta Lui Faber i tha dje kryeministrit Berisha se investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri për shkak të klimës së përkeqësuar të biznesit. Përgjigjet Berisha: Shifrat nuk e tregojnë këtë. Jeni emocionale

Një nga organizatat më të fuqishme të biznesit në vendin tonë, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka guxuar t’i shfaqë hapur kryeministrit Berisha pakënaqësitë për klimën e biznesit në Shqipëri gjatë një takimi që u bë në ambientet e Coca-Colës me disa investitorë të huaj. Gjatë takimit i arreduar në formën e një komunikimi rrethor pa një tryezë në mes, ka mbizotëruar komunikimi i qetë në përgjithësi me bizneset të kënaqura nga politikat e qeverisë. Por nga fundi, ka plasur ajo që biznesi mendon në të vërtetë. Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Filloreta Lui Faber i ka numëruar të gjitha.

 

Dhoma Amerikane

“Ne do të donim të ftonim bizneset amerikane të investonin në Shqipëri për të sjellë dhe prezantuar teknologji të reja, mallra dhe shërbime, investime që çojnë në rritjen e punësimit dhe të ardhurave tatimore për qeverinë. Aktualisht, ne nuk jemi të suksesshëm në këtë përpjekje, për shkak të mjedisit jo të favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, një shqetësim që duhet të adresohet në mënyrë të veçantë nga Ministria e Financave”, – tha përfaqësuesja e Dhomës Amerikane. Në parantezë ajo tha se këtë shqetësim më parë e kishte përcjellë në Ministrinë e Financave. Faber shpjegoi edhe pse Dhoma Amerikane e Tregtisë ka arritur në këtë konkluzion. Sipas saj, probleme të mprehta mbeten rimbursimi i TVSH-së, rritja e bazës së tatimpaguesve, pagesa e taksave për të gjitha entet që zhvillojnë biznes. Faber tha se nuk ka një konsultim real me biznesin për ndryshimet ligjore. “Në fakt ka një Këshill Konsultativ Biznesi, të cilin e përmendin vazhdimisht, ka një Këshill Tatimor që janë këshilla të krijuar për t’u konsultuar me biznesin. Në fakt, kjo nuk ndodh. Një sërë iniciativash të fundit që ka marrë qeveria, duke filluar nga janari i vitit 2013, janë ligje që nuk konsultohen me biznesin”,- shtoi ajo. Një shqetësim tjetër sipas saj mbetën rikontrollet, riinterpretimet e reja ligjore dhe gjobat e mëdha marramendëse që janë marrë.

 

Shpjegimi i Kryeministrit

Unë di që për probleme të anëtarëve të Dhomës së Tregtisë, që ju keni pasur çështje me organin tatimor, ju i jeni drejtuar Kryeministrit dhe keni marrë përgjigje të qartë, i jeni drejtuar ministrit të Financave dhe keni marrë përgjigje të qartë”, – tha Berisha në përgjigje të shqetësimeve të zonjës Faber. “Një gjë duhet ta kemi të qartë. Në çdo vend, organi tatimor është organ tatimor dhe nuk vepron mbi bazën e urdhrit të ministrit dhe as të Kryeministrit, por vepron mbi bazën e Kodit Tatimor, – tha Berisha. Por më duhet t’ju them me keqardhje, – shtoi kryeministri, – që realiteti nuk është ai që ju paraqisni, sepse ka disa konkluzione të tjera ndërkombëtare që janë solide, ndër të cilat është UNCTAD-i, që thotë: ‘Shqipëria është nga ato të pakta vende që ka marrë investime më shumë sesa mund të merrte’. Është UNCTAD-i, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 18-të në botë për tërheqjen e investimeve të huaja. Po ashtu janë një seri institucionesh të tjera botërore, të cilat e rendisin Shqipërinë në dhjetë dhe njëzet vendet e para në botë në këto aspekte: në regjistrimin e biznesit, në garantimin e investimeve të huaja, në lehtësinë e kreditimit, në raportin paga-prodhim. Ndaj edhe për sentimentet personale duhet të jemi të kujdesshëm, se mesazhi që ju i çoni biznesit është absolutisht i pabazuar në realitetin shqiptar”, – reagoi Kryeministri ndaj shqetësimeve të zonjës Faber.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.