Bregu-Ramës: Lejo deputetët të votojnë tre ligjet, pasi nuk e dëmton dot fitoren tonë

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka dalë në një konferencë shtypi, ku ka kërkuar nga kreu socialist, Edi Rama, që të lejojë deputetët e kësaj partie të votojnë tre ligjet e mbetura pezull në Kuvend. Apeli i Bregut bëhet kur në fakt Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, u shpreh qartë gjatë vizitës së tij në Tiranë, se çështja e Shqipërisë nuk do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së.
“Sot na ndajnë vetëm 23 ditë nga mbledhja e radhës e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE, ku do të diskutohet zgjerimi i vendeve të Ballkanit, por fatkeqësisht jo Shqipëria, sepse nuk kemi votuar ende 3 ligjet që u vunë kusht për integrimin. Sot, kur kanë ngelur me pak se 8 seanca parlamentare, i bëj thirrje Edi Ramës ta lejojë opozitën në parlament të votojë 3 ligjet, që mbajtën peng statusin për tre vjet. Edi Rama, bllokove për 3 vjet aspiratën evropiane të shqiptarëve, urdhërove opozitën të bojkotojë e të mos votojë vetëm këto 3 ligje, ndërsa ka votuar gjatë kësaj legjislature jo pak, por plot 133 ligje. Sot, kur ke marrë sigurinë se statusi i kandidatit nuk miratohet dot nga BE para zgjedhjeve, sot kur nuk mund të kesh më frikë se përveç reformave madhore, anëtarësimit në NATO e liberalizimit të vizave, kjo qeveri do të hynte në zgjedhje edhe me fitoren e statusit të vendit kandidat, të paktën sot voto tre ligjet”, tha Bregu.
Ajo tha se Rama duhet të heqë dorë nga bllokimi i 3 ligjeve, për të lejuar marrjen e statusit kandidat.
“Në 23 prill është Këshilli i Stabilizim- Asocimit, i fundit takim i palës shqiptare me BE para zgjedhjeve të 23 qershorit, ku, megjithëse si kofini pas të vjeli, ju duhet të tregoni se dini edhe të tërhiqeni nga pengmarrja. Shqipëria e ka merituar denjësisht statusin e vendit kandidat. Të ftoj Edi Rama që të gjesh forcën dhe vullnetin që të heqësh dorë nga bllokimi. Sot humbet edhe më shumë duke këmbëngulur tek bllokimi i votimit të tre ligjeve. Mos mbaj me inate për interesa të ngushta personale siç ke bërë deri më sot. Voto tre ligjet”, u shpreh ajo./b.l
TEMA
Add new comment