PS konferencë rajonale në Fier, Rama: Berisha po bën fushatë me programin e PS

Postuar në 29 Mars, 2013 14:49

 

Fieri ka qenë ndalesa e radhës e Partisë Socialiste ku prezantoi programin e saj qeverisës, “Rilindje Kombëtare”. Në fjalën e rastit, para mbështetësve socialistë, kreu i PS-së, Edi Rama foli gjatë për programin e opozitës për rritjen ekonomike, punësimin, sistemin e tatimit, rendin dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Jemi mese të kënaqur që po i japim mundësi kryeministrit të vizitojë Shqipërinë, se këto 8 vjet nuk ka qenë në Shqipërinë reale, që vuan varfërinë, papunësinë, korrupsionin, rrënimin e gjithanshëm. Tani po e bën me programin tonë në dorë dhe përmes programit tonë po zbulon edhe çfarë mund të ishte bërë, por tani është shumë vonë. Ky program që është më i detajuari që një parti ka pasur ndonjëherë është një program i shkruar pas një dëgjimi të gjatë me muaj e me muaj të tërë të shqiptarëve në të gjithë Shqipërinë, të grupeve të interesit, sipërmarrësit, grave, të rinjtë, të çdo shqiptari që kërkon me plot të drejtë ndryshimin. Duket sikur shurdhit i erdhën veshët. Mirëpo çdo përpjekje që mund të bëjë kryeministri për tu bërë i votueshëm pas këtyre katër viteve të një rrënimi nuk mund të bëhet i votueshëm”,- tha Rama.

Lideri i socialistë shtoi se PS ka kohë që është angazhuar për ndërtimin deri në detaj të programit të saj për zhvillimin e vendit, i cili sipas tij, ka nevojë për një model të ri. Rama premtoi heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe lehtësimin e barrës së taksave të tjera.

“Kryeministri flet për ekonominë, po nuk përmend rrënimin social të Shqipërisë. Partia Socialiste ka kohë që është angazhuar për formimin e programit të detajuar për zhvillim. Vendi ynë ka nevojë për ndryshim të modelit të zhvillimit. Në vitin 2012 ne kemi dorëzuar në Kuvend nismën për heqjen e TVSH-së”, tha Rama duke shtuar se veç kësaj nisme, me ardhjen në pushtet të socialistëve, shqiptarët do të çlirohen edhe nga barra e taksës së sheshtë, që opozita e quan “taksë e padrejtë që penalizon 95 për qind të shqiptarëve.

Duke u ndalur tek përplasja e fundit tregtare me Kosovën, ku Prishtina bllokoi qumështin e Shqipërisë, ndërsa Tirana u kundërpërgjigj duke bllokuar miellin kosovar, Rama tha se do të bëhet bashkimi doganor për të shmangur situata të tilla. Në këtë konferencë rajonale, folën edhe drejtues të tjerë të lartë të PS-së, përgjegjës të fushave si rendi, arsimi, shëndetësia, bujqësia, etj. Programin e socialistëve për rendin e prezantoi deputeti Saimir Tahiri.

“Krimi sot është një hap para shtetit. Shifrat e veprave kriminale janë shumëfishuar ndërsa Policia e Shtetit nuk bën dot asgjë sepse është e korruptuar. Vrasjet dhe vjedhjet janë shndërruar në fenomen të përditshëm”, tha zoti Tahiri.

Më tej, deputeti socialist, duke iu referuar arrestimit e më pas lirimit nga gjykata për akuzën e trafikut të barnave mjekësore të babait të tij, e cilësoi këtë akt një sulm e presion të pastër të pushtetit që bëhet për t’i mbyllur gojën atij dhe gjithë socialistëve që denoncojnë korrupsionin qeveritar.

“Por as unë dhe asnjë nga kolegët e mi nuk i përulet sulmeve të pushtetit dhe Sali Berisha nuk i shpëton dot daljes para drejtësisë pas 23 qershorit”, tha Tahiri.

Ai deklaroi se me ardhjen në pushtet, Partia Socialiste do të sigurojë strehim dhe punësim për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.