MARCA: Shqipëria, një nga 5 “ëndërrimtaret”

E përditshmja spanjolle “Marca” e cilëson ekipin përfaqësues kuqezi, si një nga 5 skuadrat që i ka befasuar të gjithë, me ecurinë e saj në eliminatoret, Brazil 2014.
Në një shkrim të saj sot, “Marca” thotë se Shqipëria, Panamaja, Etiopia, Uzbekistani dhe Islanda janë skuadra që i kanë befasuar të gjithë në këto eliminatore, të cilat, ashtu si asnjëherë tjetër më parë, mund të jenë në gjendje të marrin pjesë në kompeticionin më të madh të futbollit në botë.
Nëse katër vendet e tjera, nuk kanë histori në futboll, pasi futbolli nuk është sporti i tyre i parë, për Shqipërinë “Marca” thotë se është ndryshe.
“Shqipëria është një vend i çmendur për futboll, ashtu si pjesa tjetër e Evropës, por vendi nuk ka mundur të kualifikohet asnjëherë në asnjë nga garat e mëdha ku ka marrë pjesë.”- shkruan e përditshmja spanjolle.
Shqipëria thekson “Marca”, e cila fitoi në Norvegji, mund të kualifikohet në mënyrë direkte, pasi është vetëm dy pikë larg nga kryesuesja e grupit, Zvicra. Ky vend i Evropës Lindore, pavarësisht se është një nga vendet më të varfra të kontinentit të vjetër, ka një shanc të vërtetë për tu kualifikuar në Kupën e Botës.
PANORAMA
Add new comment