Nasip Naço: LSI, jo patericë e njërës palë dhe karburant i tjetrës

Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Nasip Naço, vlerëson me pozitivitet bashkëqeverisjen e LSI me PD në këto katër vite. Por, për një nga 4 deputetët e LSI, ka ardhur koha që kjo forcë politike të dalë e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit. Naço thotë se koalicioni me demokratët, pavarësisht sforcimeve ideologjike e programore, ia arriti qëllimit të tij. Lidhur me koalicionet e ardhshme elektorale, ai thekson se personalisht nuk do ishte për të bashkëpunuar me asnjërën prej dy forcave të mëdha politike.
Zoti Naço, jemi thuajse tre muaj para zgjedhjeve, pra gati 4 vjet pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëqeverisjes mes PD dhe LSI-së. Ndaj besoj se është koha për të bërë një bilanc apo analizë të kësaj bashkëqeverisje. Si do ta vlerësonit atë?
Unë besoj se në rrethanat në të cilat u krijua ky koalicion, ia arriti plotësisht qëllimit të vet, gjithmonë po të kemi parasysh rezultatin e vitit 2009, ku koalicioni i PD-së mori 70 deputetë, koalicioni i PS 66 deputetë dhe LSI 4 deputetë. Sigurisht para nesh alternativa ishte nëse do të bashkonim votat me PS-në, siç erdhën dhe ofertat, për ta kaluar vendin në një krizë për 4, 5 apo 6 muaj dhe për të kaluar në zgjedhje të reja të parakohshme, gjë që do sillte një dëm të konsiderueshëm në stabilitetin e vendit, si në aspektin politik ashtu dhe në atë ekonomik. Ne ishim në prag të heqjes së vizave, dhe ishim të ndërgjegjshëm për gjithçka kanë hequr gjithë shqiptarët duke ndenjur për muaj të tërë para ambasadave, para hekurave të tyre, përballë arrogancës e atyre zyrtarëve të ambasadave që nuk jepnin viza për shqiptarët. Ne kishim parasysh kur bëmë koalicion me dhjetëra djem, të rinj dhe vajza që kalonin qoftë me skafe për të ikur për një vend pune në Itali, apo nëpër male për në Greqi apo në vende të tjera të botës. Përballë këtyre neve na u krijuar bindja që duhet t’i jepnim vendit stabilitetin ekonomik dhe politik, të silleshim si politikanë dhe vendosëm për këtë koalicion. Tashmë mendoj se ky koalicion ia arriti qëllimit të vet. Megjithatë, po ta shikosh sloganin tonë në zgjedhjet e këtij viti, është që të ecim më shpejt. Pasi mendojmë se shumë gjëra sigurisht mund të ishin bërë më mirë, si në ekonomi, në miratimin e më shumë ligjeve, apo për ndikimin që duhet të kishim në sistemin gjyqësor.
Unë besoj se në ditët që do vijnë LSI do mbledhë dhe konventën dhe do bëjë një analizë të rëndësishme dhe do të vendosim nëse ne do të jemi më vete apo do të vazhdojmë koalicionin me PD-në.Për ju personalisht, duhet të vazhdojë ky koalicion?
Për mua personalisht, ne duhet të hyjmë të vetëm në këto zgjedhje, pa u bërë me asnjë palë. Flas në emrin tim personal. Sigurisht unë nuk jam deputet i pavarur, jam brenda një force politike, i respektoj vendimet e saj dhe do t’i respektoj vendimet që do të marrë konventa apo institucionet e tjera të rëndësishme që ka LSI. Gjithsesi, a ka pasur gjera që nuk kanë shkuar mirë në këtë bashkëpunim? Pra, çfarë do të veçonit diçka që për LSI-në nuk ka shkuar siç duhet në bashkëqeverisjen me PD-në? Po përmend një datë dhe një fakt, që për ne si LSI është simbolike. Pra, po flas për 28 dhe 29 Nëntorin. PD feston 28 dhe ne festojmë 28 dhe 29. Pra, është një aspekt që na ka ndarë me PD-në.
Ju jeni në pritje të Konventës, por këto ditë në opinionin publik janë hapur fjalë se LSI do tërhiqet shumë shpejt nga qeveria dhe për të dalë e vetme në zgjedhje, mundësisht në një koalicion me PBDNJ-në. Sa të vërteta ka në këtë mes?
Nuk besoj, nuk merrem me thashetheme përsa kohë nuk është shtruar në strukturat e partisë për ta analizuar koalicionin 4-vjeçar me gjakftohtësi për rezultatet që kemi pasur në këta 4 vjet.
Gjithsesi, a do ishte një variant largimi nga qeverisja në këtë fazë, a do kishte logjikë politike dhe elektorale në të njëjtën kohë?
Nuk e di, nuk është shtruar ndonjëherë ky opsion para nesh. Nuk e di nëse do shtrohet, secili do japë mendimin e vet në strukturat e veta dhe do gjykojmë avantazhet dhe disavantazhet që ka kjo.
Po nëse nuk do dilnit të vetëm dhe do duhet të zgjidhnit mes PD-së dhe PSsë si aleate në zgjedhjet e ardhshme, kë do zgjidhnit?
Nuk besoj se do jemi paterica e njërës dhe karburanti i tjetrës. Thashë që mendimi im personal është që të jemi të vetëm në zgjedhje dhe të marrim ato vota që na jep elektorati. Ne kemi qenë pjesë e qeverisjes, por s’kemi qenë gjithë qeveria. Pra, shumë gjëra kemi dashur t’i bëjmë dhe ndryshe, por nuk kemi pasur mundësi për shkak të votave që morëm më 2009. Në rast se rezultati ynë do dyfishohet apo do trefishohet, sigurisht që pesha jonë do jetë më e madhe dhe sigurisht dhe vendimet do të jenë më të mira dhe të drejta në favor të qytetarëve shqiptarë.
Kur flisni se duhet të dilni vetëm, keni parasysh që të dilni vetëm si forcë politike apo me një koalicion tuajin?
Do doja që personalisht këto gjëra t’i parashtroja në Konventë, por në fund vendimi i saj do jetë i detyrueshëm dhe për mua.
Si e parashikoni rezultatin në Berat?
Unë mund të them me siguri të plotë, nuk jam euforik, por LSI është një forcë që është rritur nga viti 2009. Nuk ka qenë ky rezultat i vitit 2009, që u përfaqësua vetëm nga 1 deputet, por të dyja forcat e mëdha politike aq vota na numëruan dhe na lanë sa për të nxjerrë një mandat deputeti. Rezultatet e pushtetit lokal treguan se ne jemi në rritje. Dhe unë mund të them me plot gojë se LSI sot është lokomotiva e së majtës në qarkun e Beratit. Dhe rezultatin do ta dy dhe trefishojmë. Parlamenti të enjten pati në rend të ditës tre dekretet e Presidentit për të emëruar 2 gjyqtarë në Gjykatë Kushtetuese dhe 1 në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që votimi nuk u realizua. U raportua që LSI nuk ishte dakord të votonte pa u përfshirë dhe kandidatura e Artan Hoxhës… Unë kam qenë i pranishëm dje në seancë, ndryshe nga deputetët e tjerë që për arsye të ndryshme nuk ishin. Pra, unë si deputet i LSI-së kam qenë në seancë, nuk pashë që të ishin në rendin e ditës dekretet e Presidentit. Ato kanë kaluar në komision të Ligjeve dhe kanë ardhur për t’u futur në seancë, por unë nuk pashë mbi tavolinë që rendi i ditës të kishte dhe dekretet. Të paktën çfarë kam pasur unë mbi tavolinën time si deputet. Por në të gjitha rastet në këta 4 vjet LSI ka votuar në mënyrë individuale, siç janë dekretet individuale. Nuk ka votuar politikisht asnjëherë, ndryshe nga forcat e tjera politike. Dekretet janë me emra nominalë dhe votimi bëhet nominal në Parlament. Kur u ndryshua rregullorja e Parlamentit, ne nuk e kemi kundërshtuar, ndryshe nga PS. Por në përgjithësi emrat që janë sjellë nga Presidenti janë votuar nga ana jonë, ose unë personalisht që i kam votuar në shumicën e rasteve, sepse kam menduar që janë kandidatura që janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Pastaj vlerësimet e tjerat bëhen nga opinioni publik dhe është çështje vlerësimi dhe jo çështje ligji. Por këto tre dekrete do jenë sërish në seancën e ardhshme në rend të ditës.
Do t’i votojë LSI?
Në momentin që do kem CV-të e tyre në tavolinë, do t’i lexoj, megjithëse pjesën më të madhe të tyre i njoh, dhe do gjykoj, dhe pastaj do vendos në mënyrë nominale.
MAPO
Add new comment