Arben Frroku, 50 mijë euro për transferimin e kryekomisarit Lamaj

Postuar në 31 Mars, 2013 04:15

 

Hetimet

SHKB dyshon se biznesmeni u mburr gjatë një dreke

Frroku dyshohet se ka përmendur edhe emrin e zyrtarit të policisë, që i ka dhënë ryshfet

Biznesmeni Arben Frroku, i arrestuar në Greqi për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt të këtij viti dyshohet se ka dhënë 50 mijë euro për transferimin e të ndjerit nga shef i Komisariatit nr. 6 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ky shpërblim duket se është dhënë prej tij për t’u dhënë fund problemeve të krijuara me të për shkak të detyrës së Lamajt, ndërkohë që një informacion i tillë është marrë edhe nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. SHKB-ja po heton këtë informacion, ku mendohet se vetë Frroku e ka deklaruar në një tavolinë, me të njohurit e tij pak kohë para se Lamaj të hiqej nga shef komisariati.

Menjëherë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj në mënyrë mafioze, teksa po parkonte makinën e tij pranë shtëpisë dhe publikimit të fotove të Arben Frrokut me kupolën e policisë, drejtoria e SHKB-së nisi një hetim, me qëllim për të zbuluar sesi biznesmeni u arratis nga Shqipëria, duke kaluar ligjërisht në pikën kufitare të Kapshticës, teksa ishte i shpallur në kërkim policor. Gjatë mbledhjes së informacioneve në lidhje me këtë çështje, oficerëve të SHKB-së u është vënë në dispozicion edhe një informacion, që nuk është konfirmuar, të cilin mendohet se e ka thënë vetë Arben Frroku gjatë një dreke me miq të tij, ku kanë qenë të pranishëm edhe punonjës policie. Ky informacion mendohet se është thënë prej tij vetëm pak ditë para se Dritan Lamaj të hiqej nga shef i komisariatit, që mbulon zonën e Kombinatit, ku kishte shtrirë biznesin e tij Arben Frroku. Në bisedë, Frroku mendohet se është shprehur se i kishte dhënë 50 mijë euro një zyrtari të lartë të policisë, me qëllim që Lamaj të transferohej në një tjetër detyrë. Madje, në atë bisedë mësohet se ai ka përmendur edhe emrin e zyrtarit të policisë, por ky informacion nuk është bërë i ditur nga burimet pranë SHKB-së për shkak të hetimeve të mëtejshme.

Megjithatë, të njëjtat burime shprehen se ky informacion nuk është i konfirmuar, pasi ende nuk është dokumentuar nëse vërtet e ka thënë Frroku apo jo. “Edhe nëse ai e ka thënë, duhet vërtetuar nëse ai ka ndikuar realisht në këtë lëvizje dhe ka paguar paratë, apo ka qenë informacion i rremë prej tij”, shpjegon grupi hetimor pranë SHKB-së. Madje, do të pritet derisa Frroku të ekstradohet në Shqipëri, ku do të merret në pyetje për marrëdhënien e tij me Lamajn dhe do të kërkohen sqarime për këtë informacion të marrë në rrugë operative. Nëse ky informacion do të pranohet prej biznesmenit të arrestuar për vrasje, atëherë do të merret në pyetje edhe zyrtari i policisë, i cili dyshohet se mund të ketë marrë para për këtë transferim.Red. Akt.

 

Deklarata

Arben Frroku dyshohet se ka qenë në një drekë me disa miq të tij, ku ka pasur edhe policë, kur ka folur për transferimin e Lamajt

 

Dyshimet

Deklarata mendohet se u bë prej biznesmenit dy javë para se kryekomisari të transferohej nga Kombinati në Drejtorinë e Përgjithshme

 

Zyrtari

SHKB-ja tha se po heton mbi këtë informacion, por ende nuk ka hetime konkrete ndaj zyrtarit të policisë, që u përfol nga Frroku

 

 

Prokuroria

 

Merren në pyetje personat e

fundit që telefonuan Lamajn

 

Pas sekuestrimit të telefonit të Dritan Lamajt dhe zbardhjes së telefonatave dhe mesazheve të fundit, grupi hetimor ka marrë në pyetje personat e fundit që kanë kontaktuar me të, duke dashur të mbledhë sa më shumë të dhëna mbi gjendjen dhe informacionet që kishte i ndjeri para se të vritej. Madje, një nga personat e marrë në pyetje është në një funksion publik dhe kishte pasur telefonatë me të ndjerin vetëm 10 minuta para vrasjes dhe bashkë kishin lënë takim rreth orës 19:00 të 24 shkurtit. Rreth gjysmë ore pas vrasjes mafioze të Lamajt, personi tjetër, që nuk kishte informacion për vrasjen, i ka dërguar një SMS kryekomisarit, duke e pyetur nëse vonohej shumë. Në këto kushte, policia ka kontaktuar me këtë person për të ditur më shumë rreth marrëdhënieve të kolegut të vrarë me personin në fjalë dhe nëse mund të ndihmonte me ndonjë informacion të mundshëm që Lamaj kishte biseduar me të. Aktualisht, grupi hetimor po punon shumë me dëshmitë e njerëzve, me qëllim që të mbledhë informacione që mund të çojnë në gjetjen e provave të reja për dokumentimin e plotë kësaj ngjarje të rëndë dhe lidhjen e saj me të dyshuarin kryesor të këtij krimi, biznesmenin e arrestuar, Arben Frroku. Sipas grupit hetimor, deri tani ka shumë pak prova për këtë ngjarje, ndërkohë që janë vënë një sërë numrash në përgjim, por edhe prej tyre nuk është “vjedhur” ndonjë informacion me vlerë. Megjithatë, gjykata, si e Shkallës së Parë, ashtu edhe e Shkallës së Dytë, kanë pranuar kërkesën e prokurorisë shqiptare për ekstradimin e biznesmenit nga Greqia në Shqipëri, ku u kap menjëherë pas vrasjes së Lamajt, bashkë me nipin e tij, duke u bazuar vetëm në provat paraprake të siguruara dhe përgjimi i telefonit të Frrokut.

 

 

Verifikimet

 

Mjeti i atentatit, ende

pa emër të një hajduti

 

Hetimet për vrasjen e Dritan Lamajt janë shtrirë njëkohësisht edhe në Durrës për identifikimin dhe kapjen e personit, i cili dyshohet se vodhi makinën, me të cilën u krye vrasja dhe më pas u braktis në Domje, ku u tentua të digjet. Për vjedhjen e kësaj makine, Policia e Durrësit arrestoi të dyshuarin Gentjan Bejtja, për të cilin gjykata i ka dhënë 30 ditë afat prokurorisë për të mbledhur prova të tjera për të. Ai u zbulua nga kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes, që kishin fiksuar targat e makinës së tij, në momentin kur prej saj kishte zbritur personi tjetër dhe kishte hipur në mjetin e vjedhur. Megjithatë, 32-vjeçari Bejtja pretendoi para gjykatës se ai kishte shkuar me një shokun e tij, por pa e ditur se ai do të vidhte makinë. Në këto kushte, policia ende nuk ka mundur të gjejë dhe të arrestojë personin që vodhi drejtpërdrejt mjetin e Fatmir Lilës. Ky i fundit kishte denoncuar që para atentatit vjedhjen e makinë së tij, ndërkohë që kjo u vërtetua edhe nga kamerat e sigurisë. Ndërkaq, Policia e Durrësit ka shoqëruar disa të dyshuar për vjedhjen e kësaj makine, pasi hajduti mund të çojë në emrin e porositësit, ose të blerësit të saj, por ende nuk ka një emër konkret, ndërsa po mbaron afati i dhënë nga gjykata për të ndaluarin tjetër.

 

Automjeti

Hetuesit kanë ngritur edhe skenën e vrasjes, ku pohojnë se kanë qenë tre persona në automjetin tip “BMW”. Ka dyshime se dy prej tyre kanë qenë me maska dhe shoferi pa maskë

Instruktimi

“I arrestuari në Greqi, Jak Jaku, ka pasur një rol kryesor në këtë vrasje. Strehoi vrasësit, gjeti shoferin dhe e ka instruktuar për të lëvizur në zonën ku punonte dhe banonte Lamaj

Përzgjedhja

Zgjedhja e vrasësve me pagesë nga Kosova është bërë për arsye se kryekomisari i njihte mjaft mirë njerëzit e biznesmenit, pasi ata e kishin denoncuar në polici e prokurori për ushtrim dhune

 

Vrasës me pagesë

Ekzekutimi i kryekomisar Dritan Lamajt, vrasësit dyshohet se janë nga Kosova

Prokuroria: Frroku mund t’i ketë organizuar dhe paguar

Ekzekutimi i kryekomisar Dritan Lamajt, pasditen e 24 shkurtit në Tiranë, dyshohet se është bërë nga vrasës me pagesë, të ardhur nga Kosova. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka informacione se i arrestuari në Selanik të Greqisë, biznesmeni Arben Frroku, mund të ketë organizuar dhe paguar këtë persona për të vrarë Lamajn, ndërsa më parë, njerëzit e afërt të tij, i kanë “trajnuar” me rrugët e kryeqytetit. Hetuesit e çështjes kanë informata për disa udhëtime të Frrokut, disa javë para vrasjes, në shtetin e Kosovës, ku mund të ketë “rekrutuar” vrasësit, ndërsa ka bërë edhe “pazaret” përkatëse.

Në sistemin TIMS, janë regjistruar disa kalime në Kosovë, ndërsa familjarët e tij pohojnë se udhëtimet janë bërë për arsye biznesi, duke qenë se aktiviteti i tij ishte shtrirë dhe në shtetin fqinj. Megjithatë, hetuesit kanë të dhëna se nga këto udhëtime janë përzgjedhur edhe vrasësit me pagesë, të cilët kanë jetuar në Tiranë për një kohë të gjatë, relativisht një muaj, duke lëvizur në itineraret që kalonte kryekomisari, për të mësuar rreth taktikave mbrojtëse të Lamajt. Zgjedhja e vrasësve me pagesë është bërë për arsye se kryekomisari i njihte mjaft mirë njerëzit e biznesmenit, pasi ata e kishin denoncuar në polici e prokurori për ushtrim dhune.

 

Bashkëpunëtori

Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme është zbuluar edhe vendi ku strehoheshin këta persona, e cila ishte një banesë e familjarëve të Arben Frrokut. “Kemi dyshime se shtetasit nga Kosova strehoheshin në banesën e Jak Jakut, i arrestuar në Greqi. Ata kanë qëndruar me javë të tëra para vrasjes, dhe janë udhëzuar nga persona të tjerë për lëvizjet që do të bënin në kryeqytet. Jaku ka qenë i njohur i Lamajt, pasi disa herë ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Madje, Jak Jaku e ka denoncuar edhe në prokurori për ushtrim dhune kryekomisarin”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Hetuesit kanë ngritur edhe skenën e vrasjes, ku pohojnë se kanë qenë tre persona në automjetin tip “BMW”. Ka dyshime se dy prej tyre kanë qenë me maska dhe shoferi pa maskë. “I arrestuari në Greqi, Jak Jaku, ka pasur një rol kryesor në këtë vrasje. Megjithëse nuk ka qenë personalisht në automjet, ai, përveçse ka strehuar vrasësit me pagesë, ka gjetur edhe shoferin, duke e instruktuar për të lëvizur në zonën ku punonte dhe banonte Lamaj, me qëllim që të gjenin momentin e përshtatshëm të vrasjes. Kemi dyshime se Lamaj është mbajtur në vëzhgim për disa javë, ndërsa persona të ndryshëm e kanë kontrolluar gjatë gjithë kohës”, vijojnë burimet nga akuza.

Megjithëse vetë biznesmeni e ka mohuar vrasjen, hetuesit kanë gjetur prova se ai ka qenë një nga organizatorët e vrasjes së 24 shkurtit.

Ekzekutorët

Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se tre persona janë ekzekutorët e kryekomisar Dritan Lamajt, teksa dy kanë qenë të maskuar dhe i treti shoferi ka qenë pa maskë, i veshur me të zeza. Një kamerë sigurie ka filmuar pak sekonda para ngjarjes të dyshuarit në automjetin tip “BMW” teksa i drejtoheshin me shpejtësi vendit ku po qëndronte kryekomisari, për të lëshuar ndaj tij breshëri kallashnikovi. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se hetimet janë fokusuar kryesisht te personat që kanë qenë në automjet, pasi ata janë edhe çelësi i kësaj çështjeje. Ka pasur dyshime se Arben Frroku ka qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit po përqendrohen te tabulatet telefonike, po ashtu edhe të antenave të telefonisë së lëvizshme, pasi në këtë mënyrë përcaktohet vendndodhja e biznesmenit në momentin që ka ndodhur vrasja. I akuzuari ka ngritur një alibi, ndërsa familjarët e tij janë vënë në lëvizje për të marrë dëshmi dhe prova në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka analizuar me kujdes provat e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe tek automjeti tip “BMW”. “Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm 4 gëzhoja, ndërsa 5 të tjera janë gjetur te këmbët e sediljes së shoferit të makinës, e cila është përdorur për vrasjen e 24 shkurtit. Pas vrasjes, autorët, të cilët kanë qenë tre, kanë udhëtuar drejt fshatit Domje, ku e kanë braktisur dhe janë larguar, ndoshta në drejtim të Greqisë”, pohojnë burimet nga prokuroria. Hetuesit kanë zbuluar edhe një fakt aspak të favorshëm, teksa zjarrfikësit që kanë shkuar për të shuar zjarrin në automjet kanë prishur provat. “Pas konstatimit nga banorët e zonës të një automjeti të dyshimtë, që ishte në flakë, një zjarrfikëse ka shkuar në vendngjarje. Brenda pak sekondash ka shuar zjarrin, ndërsa ky veprim ka prishur disa prova”, vijojnë burimet nga Krimet e Rënda. Sipas tyre, ka dyshime të forta se i arrestuari në Selanik është organizatori, nisur edhe nga një mesazh telefonik, që i është dërguar një të afërmi, ndërsa provat kryesore, si gjurmë gishtash, ekspertizat e armëve, fije floku apo edhe gëzhoja, duket se nuk i çojnë hetuesit tek emri i Frrokut, por te një vrasje me pagesë. s.ç.

 

Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm 4 gëzhoja, ndërsa 5 të tjera janë gjetur te këmbët e sediljes së shoferit të makinës, e cila është përdorur për vrasjen e 24 shkurtit

 

Tabulatet

Ka pasur dyshime se Arben Frroku ka qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit po përqendrohen te tabulatet telefonike

Hetimet

Ekspertiza

Armët e sekuestruara në banesat e të afërmve të Arben Frrokut nuk rezultojnë të jenë të njëjta me ato që janë përdorur në vendin e ngjarjes ku u vra kryekomisar Dritan Lamaj

Mjekoligjorët

11 plumba kanë prekur trupin e Lamajt, teksa mjekoligjorët kanë përcaktuar se ka pasur 22 plagë, hyrëse dhe dalëse, ndërsa i janë evidentuar edhe disa gërvishtje në fytyrë

SMS-ja

Ka dyshime të forta se i arrestuari në Selanik është organizatori, nisur edhe nga një mesazh telefonik, që i është dërguar një të afërmi: “Kam mbaruar një punë të madhe”

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.