Krerët e LSI-së refuzojnë të komentojnë apelet e PSE

Postuar në 01 Prill, 2013 03:42

 

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk pranoi dje të komentojë thirrjet e zyrtarëve të lartë të së majtës europiane për koalicionin ndërmjet PS-së dhe LSI-së përpara zgjedhjeve të 23 qershorit. Të kontaktuar nga “Shqip”, përfaqësues të kësaj partie ngurruan të japin një deklaratë në lidhje me thirrjet e Stanishev dhe Pitellës, duke theksuar se një qëndrim zyrtar për këtë çështje do të jepet gjatë javës në vazhdim. Nga ana tjetër, PS është e qartë në kuadër të plotësimit të kushteve që do të bëjnë të mundur një bashkëpunim mes saj dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka theksuar se socialistët janë të gatshëm për një bashkëpunim me LSI-në në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, por me kushtin që kjo parti të dalë nga bashkëqeverisja me Kryeministrin Berisha, sepse është ende pjesë e mazhorancës qeverisëse. Por pavarësisht kësaj, thirrjet e shpeshta të Edi Ramës për bashkëpunim me LSI-në e Metës nuk kanë munguar dhe janë përsëritur çdo herë që atij i është bërë një pyetje e tillë. LSI do të mbajë Konventën e saj në fund të muajit prill, në të cilën drejtuesit e partisë kanë theksuar se do të marrin vendimin se ç’do të bëjnë për sa i përket bashkëpunimit me qeverinë dhe mundësinë e kalimit në opozitë. Nga deklaratat e zyrtarëve të LSI-së po bëhet gjithmonë e më qartë se kjo parti do të dalë në zgjedhje si pjesë e një poli të qendrës, pa pranuar të jetë palë parazgjedhore me asnjë nga partitë kryesore në vend. Pavarësisht këtij qëndrimi të LSI-së, përfaqësuesit e PD-së shprehen të sigurt se kjo parti do të vijojë bashkëpunimin me mazhorancën aktuale, edhe pse mund të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, u shpreh pak kohë më parë se bashkëpunimi mes dy forcave kishte krijuar një traditë të mirë e cila mund të vijojë dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në fakt, PD dhe LSI në qeverisje kanë treguar një koordinim për çështje ekzekutive dhe kardinale, por herë pas here, sidomos ditët e fundit, kanë pasur përplasje porsa u përket institucioneve të pavarura të shtetit. Rasti më i fundit është ai i mosaprovinmit të LSI-së i emrave që Presidenti Bujar Nishani ka propozuar për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. PD u tërhoq nga vendimi për t’i futur këta emra në seancë plenare pak ditë më parë, nisur dhe nga kundërshtitë që patën përfaqësuesit e LSI-së për emrat.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.