Heqja e TVSH për bujqësinë, 150 mln euro minus në buxhet

Me nismat e njëpasnjëshme të qeverisë për lehtësira fiskale duket se buxheti i vitit 2013 deri në fund të mandatit do të katandiset “një thelë”. Ministri i Financave, Ridvan Bode pohoi dje se vetëm heqja e TVSH-së për mjetet dhe inputet bujqësore ka një efekt 150 milionë euro në buxhet. Kjo reformë, sipas ministrit do të nxisë prodhimin, rritjen e të punësuarve dhe nga ana tjetër do vazhdojë të jetë motor i rritjes së ekonomisë. Hyrja në fuqi e ligjeve për përjashtimin e taksës së sheshtë në rrogat deri në 300 mijë lekë, heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, do të krijojë një kosto gati edhe 100 milionë euro të tjera. Kryeministri Berisha pak ditë më parë ka artikuluar një hendek rreth 200 milionë eurosh nga lehtësirat fiskale. Mirëpo pas populizmit të taksave, buxheti i shtetit pritet të vihet në pozitë të vështirë përpara vetëm dy zgjidhjeve, secila me kosto. E para, të shkurtohen shpenzimet. Dhe e dyta, të rritet borxhi dhe të tejkalohet deficiti buxhetor. Shpenzimet e buxhetit 2013, duke përfshirë edhe borxhin 48 miliardë lekë, janë programuar gjithsej 409 miliardë lekë. Me shkurtimet që ka pohuar Kryeministri dje, i bie që ky buxhet të rrudhet edhe me 29 miliardë lekë, duke shkuar në 380 miliardë lekë. Por duke marrë në konsideratë që vitet e fundit nëpërmjet programimeve dhe realizimeve ka pasur një diferencë sistematike prej 200 milionë eurosh, buxheti i këtij viti pritet të jetë më i mjeri i këtij mandati. Kurba e buxhetimit në Ministrinë e Financave tregon për një buxhet në rritje nga viti 2005 deri në vitin 2008. Pas këtij viti buxhetet vjetore vijnë me ulje të ndikuara edhe nga kriza ekonomike që ka përfshirë eurozonën. Por vitet zgjedhore kanë disa karakteristika të veçanta. Realizimi i shpenzimeve shkon në proporcion të zhdrejtë më grumbullimin e të ardhurave. Për shkak se administrata dhe biznesi pësojnë një shkrehje për mbledhjen e taksave, por nga ana tjetër energjitë për shpenzime me efekt elektoral rriten ndjeshëm.
MAPO
Add new comment