Çmimet e reja të trojeve, ulen faturat e legalizimeve

Postuar në 02 Prill, 2013 09:07

 

Blerina Hoxha

Çmimet e reja të trojeve dhe tokave bujqësore po japin efektet zinxhir në të gjitha pagesat e tjera që lidhen me transaksionet e pronësisë. Legalizimet preken nga këto ndryshime, pasi me çmimet e reja që tashmë janë botuar edhe në Fletoren Zyrtare, ata që zotërojnë mbi 500 metër katror truall do të paguajnë shumë herë më pak. Në shumicën e zonave informale, të cilat janë në rrethinat e Tiranës, kjo faturë do të jetë 10 herë më e ulët.

Ulja

Qysh këtë javë fatura e të ardhurave që duhej të vilej nga zotëruesit e objekteve informale është shfryrë ndjeshëm, pas çmimet zyrtare të trojeve dhe tokave bujqësore janë ulur konsiderueshëm. Çmimi i legalizimit lehtësohet sidomos për pjesën që ka në zotërim mbi 500 metër katror, pasi mbi këtë sipërfaqe paguhet me çmime tregu. Dhe këtu ka qenë pikërisht ngërçi i ecurisë normale të procesit të legalizimeve. Pasi shumica e poseduesve të zonave informale jashtë vijave të verdha, por edhe brenda tyre, në disa raste kanë mbi 500 metër katror. Fatura e legalizimit për një banor në Kodër-Kamëz dhe në zonën e Bathores për sipërfaqe deri në 700 metra shkon mbi 100 milionë lekë të vjetra. Kjo është arsyeja pse procesi i legalizimeve nuk po shkon mbarë, edhe pse qeveria ka favorizuar ndjeshëm pagesat për sipërfaqet deri në 300 metër katror. Mirëpo çmimet e reja, të cilat kanë marrë fuqi ligjore javën që shkoi, e lehtësojnë ndjeshëm këtë faturë, e cila për shembullin e mësipërm zbret në më pak se 13 milionë lekë. Kështu nga rreth 200 mijë lekë që ishte një metër katror në zonën e Kodër-Kamzës, ky çmim nuk është më shumë se 23-32 mijë lekë për metër katror.

Efektet

Për ekspertët e legalizimeve çmimet e reja të trojeve në të gjithë vendin do të ndikojnë në përshpejtimin e procesit, pasi të gjithë ata që kanë mbi 500 metër katror do të nxiten të bëjnë pagesat. Por nga ana tjetër, kjo do të sjellë ndikime negative për kompensimin e ish-pronarëve, pasi një vlerë më e ulët arkëtohet. Por kjo duket se shkon në proporcion të drejtë, pasi harta e re e çmimeve të trojeve sjell pikërisht një ulje të vlerës së kompensimit të ish-pronarëve. Për të gjitha sipërfaqet e palegalizuara deri në 300 metër katror pagesa bëhet 70 për qind me letra me vlerë dhe 30 për qind me para në dorë. Ndërsa për sipërfaqet mbi 300 metra katror duhet likuiduar 50 për qind me letër me vlerë dhe 50 për qind me para në dorë. Ndërsa për sipërfaqe mbi 500 metër katror pagesa të bëhet sipas çmimit të tregut, me para në dorë. Procesi i legalizimit këtë vit ka ecur me ritme të shpejta, mirëpo ende është larg objektivit të mazhorancës për të mbyllur këtë proces brenda këtij mandati kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj. Çdo javë publikohen mbi 2000 emra që përfitojnë nga procesi, por pjesa më e madhe e emrave të publikuar nuk kanë marrë ende tapitë.500 Metër katror është sipërfaqja mbi të cilën tarifa e legalizimit paguhet me çmime tregu.10-Fish më i ulët bëhet çmimi i ri i trojeve në zonat informale me çmimet e reja të trojeve që kanë hyrë në fuqi një javë më parë.Bilanci, 103 mijë parcela dhe 65 mijë objekte janë legalizuar.Qeveria pretendon se procesi i legalizimeve do të përfundojë këtë mandat. Sipas ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, deri tani nga 270 mijë aplikime janë kualifikuar 230 mijë, janë përditësuar në terren 140 mijë, është bërë kalimi i pronësisë për 103 mijë parcela, janë dhënë lejet për 65 mijë ndërtime. Olldashi ka pohuar se janë dëmshpërblyer 5458 pronarë me 5.527 miliardë lekë të reja. Ndërkohë që kryetari i PS-së, Edi Rama pohoi këto ditë se do t’u vërë fre ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin. Sipas tij janë të regjistruara vetëm 60% e pronave të këtij vendi, publike dhe private, ndërsa pjesa tjetër prej 40 për qind është e paregjistruar. Kryetari i opozitës paralajmëroi gjithashtu se PS-ja do t’i japë përgjigje njëherë e mirë ndërtimeve pa leje veçanërisht në zonat bregdetare. “Unë di të them këtë. Kush mendon se mund të hedhë kate pas katesh, pas katesh dhe pas katesh, duke u fshehur mbas pushtetarëve të sotëm, është i paralajmëruar se mbas 23 qershorit mund t’i shohë të gjithë ato kate, dhe këtu nuk flas për ata që ndërtojnë kate për të strehuar familjen e tyre, flas për ata që ndërtojnë kate në zemrën e kryeqytetit, flas për ata që ndërtojnë kate në zemrën e atdheut që është bregdeti, t’i shohë ato kate të rrafshuara përtokë, mos çuditet”, – tha Rama.

MAPO

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.