Ministrat e rinj pas largimit të LSI-së

Zbardhen emrat që kryeministri Berisha pritet t’i dorëzojë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për të mbushur vendet e lëna bosh në kabinetin qeveritar pas largimit të LSI-së dhe pozicionimit të saj në opozitë.
Aldo Bumçi, aktualisht Ministër Kulture pritet të propozohet për postin e Ministrit të Jashtëm, ndërsa për vendin e lënë bosh në Ministrinë e Kulturës propozohet emri i shkrimtarit Visar Zhiti.
Florion Mima propozohet në postin e Ministrit të Ekonomisë, që mbahej nga Edmond Haxhinasto, ndërsa Halim Kosova propozohet në postin e Ministrit të Shëndetësisë, që mbahej nga Vangjel Tavo.
Ministria e Jashtme, ajo e Ekonomisë dhe Shëndetësia ishin tre dikasteret e që drejtoheshin nga LSI deri para vendimit të kryesisë së kësaj partie për të lënë qeverinë e për t’iu bashkuar koalicionit opozitar.
I vetmi emër që mbetet për t’u zbardhur është ai për postin e zv.kryeministrit që mbahej nga Edmon Haxhinasto, paralelisht me postin e Ministrit të Ekonomisë.
Ndoshta nesër do të jetë rasti për të provuar mazhorancën e re në Parlament, pa LSI-në, mazhorancë për të cilën kryeministri Berisha tha se ekziston, kur foli për riformatimin e qeverisë në bashkëbisedimin me gazetarët.
Mbledhja e fundit e qeverisë në praninë e përfaqësuesve të ekzekutivit kaloi e qetë, pa batuta apo komente mes kolegësh, edhe përpara se të vinte kryeministri.
TOP CHANNEL
Add new comment