Tre socialistë mbajnë “gjallë” qeverinë Berisha, LSI-ja është opozita abstenuese

BLEDAR HOTI
Tri votat e deputetëve të larguar nga PS-ja: Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli mbajnë në këmbë qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha. Me 72 vota pro kanë kaluar katër emrat e propozuar me dekret të Presidentit Nishani për të zëvendësuar ministrat e LSI-së. Vetë LSI-ja ka abstenuar me votat e saj për rikompozimin e qeverisë. Duket se ndarja e menjëhershme me mazhorancën ka qenë e vështirë për LSI-në, e cila ka preferuar të abstenojë në ditën e parë si opozitë në Kuvend. Ministrat u kaluan me 72 vota pro, 59 kundër dhe 3 abstenime. Vetëm në një votim pati vetëm 4 abstenime. Rikonfirmimi i mazhorancës ka bërë që opozita të dalë menjëherë nga salla. Në momentin e votimit të ministrave të rinj nuk kanë munguar duartrokitjet e mazhorancës. “Zotërinj deputetë, një mirënjohje të thellë për këtë votë historike, me të cilën ju përmbysët një përpjekje primitive të Edi Ramës për të shkuar në qeveri teknike, me të cilën dështoi. Zotërinj deputetë të PS-së, minorancë e nisët, minorancë e sosët, minorancë ktheheni, minorancë do të mbeteni. Urime”, – deklaroi Kryeministri Berisha, ndërsa deputetët e opozitës po largoheshin nga salla.
Mungojnë Meta, Oketa dhe Prifti
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka munguar në procesin e votimit të ministrave të aleatit të tij të dikurshëm, Kryeministrit Sali Berisha. Në sallë ka rënë në sy mungesa e deputetit të Frymës Demokratike, Gazmend Oketa, dhe të pavarurit Dritan Prifti. Në kampin e majtë binte në sy mungesa e deputetëve Tom Doshi, Olta Xhaçka dhe Ndue Kola. Në këtë proces votimi kanë marrë pjesë 134 deputetë. Në votimin e dekretit të Visar Zhitit si ministër i Kulturës ka rënë në sy abstenimi i socialistit Ndrec Deda. Kundër dekreteve për emërimin e ministrave ka qenë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai e komentoi votën e tij se do të qëndrojë deri në fund të kësaj legjislature në opozitë.
Idrizi voton kundër heqjes së Panaritit
Fillimisht Kuvendi votoi për dekretet e largimit të ministrave Haxhinasto, Panariti dhe Tavo, si dhe të Bumçit nga Dikasteri i Kulturës. Në votimin për heqjen e ministrit të Jashtëm ka rënë në sy vota kundër e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Kjo lidhet me faktin se Panariti si kryediplomat ngriti çështjen çame gjatë vizitës zyrtare në Athinë. Kjo besohet se është edhe arsyeja se pse Idrizi doli kundër shkarkimit të tij.
Dekretet e shkarkimit
Ndërkohë që panoramë tjetër është ofruar me rastet e shkarkimit të ministrave. Socialistët kanë votuar kundër, ndërsa demokratët pro. Por brenda radhëve të së majtës ka pasur dhe prej atyre që kanë votuar pro apo nuk morën pjesë fare në votim. Tre deputetët e LSI-së abstenuan për shkarkimin e Bumçit nga posti i ministrit të Kulturës. Pro largimit të tij ishin Braçe dhe Balla të PS-së, si dhe dy të pavarurit Dogjani dhe Kadeli. Ndërsa socialistët Ruka dhe Braçe, si dhe dy deputetët e LSI-së, Koka dhe Naço votuan pro shkarkimit të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i cili nuk votoi fare në këtë proces. Një votë abstenim erdhi nga socialisti Damian Gjiknuri. Shkarkimi i Haxhinastos mori 75 vota në Kuvend, ku pro largimit të tij ishin dhe disa deputetë të PS-së.
Reagimi i Braçes dhe Olldashit
Mbajtja në këmbë e qeverisë Berisha nga dy socialistët e vetëlarguar nuk i ka pëlqyer pjesës më të madhe të PS-së. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, në rrjetin social “Facebook” shkruan se “Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani janë dy miq të mi. Kemi bërë beteja të përbashkëta gjatë katër viteve më të vështirë të Kuvendit dhe të PS në jetën parlamentare. Ju kam dhënë të drejtë në atë që është konsumuar me ta dhe ndaj tyre, veçmas në çështjen e rikandidimit të tyre (për mua jo parimore, jo statutore, jo transparente, e padobishme). Por, ua kam thënë gjatë këtyre ditëve dhe ua thashë edhe sot: Mund të justifikohet me argumentet tuaja qëndrimi kundër Edi Ramës; por nuk mund të justifikohet kurrë, me asgjë, vota juaj pro ministrave të Sali Berishës. Nuk e pranoj nga asnjë socialist këtë! Do ta refuzoj gjithnjë dhe ndaj kujtdo që do ta bëj, qoftë edhe miku im!”. Ndërsa ministri Sokol Olldashi shprehet se “kjo ishte përgjigjja jonë e parë për të gjithë ata që menduan dhe shpresuan se e futën PD-në në kolaps.
Përgjigjen përfundimtare do ta marrin më 23 qershor”. Kryeministri Berisha nga makina e tij, hapi xhamin dhe ngacmoi socialistët duke iu thënë me të qeshur “ta gëzoni qeverinë!”. Ndërsa Braçe i PS-së iu përgjigj ironisë së kryeministrit se “mbete duke vjedhur, para, prona, deputetë. Rri në këmbë vetëm se vjedh”.
Tabela e dekretit
Shkarkimi i Edmond Haxhinastos nga zv.kryeministër dhe ministri i Ekonomisë
75 pro, 55 kundër, 1 abstenim
Shkarkimi i Edmond Panaritit nga ministër i Jashtëm
74 pro, 59 kundër
Shpëtim Idrizi, PDIU, voton kundër
Shkarkimi i Vangjel Tavos nga ministër i Shëndetësisë
74 pro, 56 kundër, 1 abstenim
Aldo Bumçi shkarkohet nga ministër i Kulturës
72 pro, 57 kundër, 3 abstenim
Emërimet
Myqerem Tafaj, zv.kryeministër dhe ministër i Arsimit
72 pro, 59 kundër, 3 abstenime
Halim Kosova, ministër i Shëndetësisë
72 pro, 59 kundër, 3 abstenime
Kundër PS, 3 abstenime nga LSI: Tavo, Naço dhe Koka
Aldo Bumçi, ministër i Jashtëm
72 pro, 59 kundër, 3 abstenime
Kundër PS, 3 abstenime nga LSI: Tavo, Naço dhe Koka
Florian Mima, ministër i Ekonomisë
72 pro, 59 kundër, 3 abstenime
Kundër PS, 3 abstenime nga LSI: Tavo, Naço dhe Koka
Visar Zhiti, ministër i Kulturës
72 pro, 57 kundër, 4 abstenime
Kundër PS, abstenimet nga LSI: Tavo, Naço dhe Koka dhe Ndrec Deda i PS-së
Munguan
Ilir Meta i LSI-së, Gazmend Oketa i FRD-së, Dritan Prifti i pavarur, Olta Xhaçka, Tom Doshi dhe Ndue Kola të PS-së
Idrizi: Jo pjesë e qeverisë, pa rezolutën çame
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka shpjeguar arsyet e tij se pse nuk ka preferuar të marrë ministra në qeverinë “Berisha”. “Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm dhe i kahershëm, ne nuk pranojmë të bëhemi pjesë e kabinetit qeveritar, para miratimit të Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Ky është qëndrimi ynë parimor! Për sa i përket votimit të sotshëm, padyshim do mbështesim qeverinë. Ne do shohim mundësinë e koalicioneve pas miratimit të rezolutës çame”, tha Idrizi. Në Kuvend, kreu i PDIU-së votoi pro të gjitha dekreteve të Presidentit, me përjashtim të dekretit të shkarkimit të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, për të cilin votoi kundër, si shenjë vlerësimi ndaj rolit të z. Panariti në ndërkombëtarizimin dhe institucionalizimin e çështjes çame.
SHQIP
Add new comment