Kukan: Imazhi dhe e ardhmja e Shqipërisë varen nga zgjedhjet e 23 qershorit

Kryetar i Delegacioni në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, ka thënë se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë shumë të rëndësishme për imazhin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
“Imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit, e ardhmja e procesit të integrimit evropian do të varet shumë nga këto zgjedhje : si do organizohen ato, cila do të jetë ecuria dhe si do të pranohen rezultatet e tyre nga forcat që marrin pjesë në këto zgjedhje. Pra, unë mendoj se kjo është plotësisht në përgjegjësinë e politikanëve, nëse ata janë me të vërtetë të interesuar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sigurisht, ata thonë se janë për këtë, por duhet që edhe me sjelljen e tyre të jenë të përgjegjshëm e në përputhje të plotë me këtë rrugë, duke pasur si kryesore në punën e tyre interesat e popullit e të vendit”, tha Eduard Kukan për “AS”.
Ai ka thënë se partitë duhet të ulin tensioned në këtë prag fushate dhe të bashkëpunojnë, ashtu siç bënë me rastin e liberalizimit të vizave.
“Unë jam në dijeni të konflikteve që kanë atje partitë politike. Por po i kthehem prapë asaj që thashë. Kemi gjithashtu edhe shembuj të tjerë. Për shembull, këto parti që nuk kanë besim të njera-tjetra kanë punuar, megjithatë, së bashku për procesin e liberalizimit të vizave. Pra, ky shembull tregon se partitë politike edhe në Shqipëri mund të punojnë së bashku dhe të kenë një sjellje të përgjegjshme kur është fjala për të ndihmuar njerëzit. Pra, kështu është e mundur të arrihen rezultate, ndryshe kjo do të ishte e pamundur. Ne jemi duke ndihmuar dhe këshilluar.Unë jam i bindur se të gjitha institucionet evropiane duan të shohin progres në Shqipëri, por ai mbetet për t’u bërë nga vetë partitë dhe politikanët shqiptarë“, u shpreh Kukan./b.l
TEMA
Add new comment