Rama në Korçë: Rilindja do fillojë nga depolitizimi i jetës shoqërore, kulturës dhe sportit

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama nga Korça, ku ka prezantuar programin për një “Rilindje Shqiptare” ka akuzuar qeverinë se është ka politizuar tërësisht jetën shoqërore, duke përfshirë edhe sportin. Kryesocialisti iu referua ngjarjes së ndodhur dje në ndeshjen mes Tiranës dhe Skënderbeut, ku sipas tij tifozët e Tiranës u rrahën nga policia pasi bërtitën kundër qeverisë.
Sipas Ramës, më shumë se 95% e punonjësve të policisë vijnë nga një rreth, nga 36 që ka vendi dhe se policia jonë po e provon përditë se është një polici që mbron qeverinë nga populli, dhe jo popullin nga krimi.
Më tej Rama iu referua gjendje së mjerë në të cilën ndodhet mjedisi shqiptar si rrjedhojë e politikave të mbrapshta, duke përfshirë edhe importin e plehrave, ndërkohë që parashtroi si emergjente nevojën për të pastruar mjedisin nga qeset plastike, shishet apo plehrat që kanë përfshirë vendin. Ai deklaroi nismën e PS për mbjelljen e 1 mln pemëve në territorin e vendit si edhe ndërmarrjen e aksioneve për pastrimin e mjedisit nga qeset apo shishet plastike që sipas tij gjenden kudo.
Gjatë paraqitjes së sotme të programit ‘Rilindje’ në qytetin e Korçës, socialistët u ndalën tek jeta kulturore, sporti, trashëgimia kulturore, mjedisi dhe masat e parashikuara në programin e PS për t’i ruajtur dhe zhvilluar ato.
Policia e Shtetit i përgjigjet Ramës: Nuk jemi të politizuar, u shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallime krahinore
Policia e Shtetit përmes një njoftimi për shtyp ka reaguar ndaj akuzave të PS drejtuar strukturave të policisë duke bërë thirrje që të ndalen sulmet dhe trillimet politike të cilat, siç thuhet në njoftim, janë të parat të këtij lloji në mbi 20 vite demokraci, ndaj strukturave dhe punonjësve të saj.
“Policia e Shtetit falë trajnimeve të vazhdueshme, eksperiencës së përftuar në vite, ndihmës dhe asistencës së pakursyer të qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar, tashmë është shndërruar në një shërbim profesional dhe efikas, duke arritur një performancë të shkëlqyer në shërbim të qytetarëve, me arritje dhe progres në luftën kundër krimit dhe garantimit të rendit e të sigurisë publike, fakt ky i konfirmuar dhe në raportet e organizatave dhe agjencive prestigjioze ndërkombëtare në fushën e zbatimit të ligjit dhe më gjerë.
Intensifikimi i masave kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, forcimi i masave për të garantuar rendin e sigurinë publike, bashkëpunimi në nivelet më të larta me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në Europë dhe më gjerë, janë prova më e qartë e rritjes dhe maturimit profesional të Policisë së Shtetit, duke e bërë atë një partnere të denjë të homologeve të saj ndërkombëtar.
Qytetarët e dinë tashmë se niveli i krimeve të rënda ka rënë ndjeshëm që nga viti 2005 e në vijim. Po kështu numri i vjedhjeve me dhunë, armë, është shumë herë më pak se në vitin 2005. Policia ka punuar dhe po punon fort për regjistrimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kjo ka sjellë rritjen e besimit të qytetareve tek uniformat blu. Regjistrimi i veprave penale, dëshmon se tani qytetarët kanë besim tek policia, denoncojnë dhe bashkëpunojnë në luftën ndaj krimit”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e policisë së shtetit hidhen poshtë akuzat e bëra nga kreu i PS për politizim të strukturave të policisë, duke garantuar se policia është në shërbim të të gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallime krahinore. Për transparencë ndaj akuzave të liderit të PS për shpërndarje të pabarabartë krahinore të origjinës së drejtuesve të policisë së shtetit, kjo e fundit vë në dispozicion edhe një listë me emrat e funksionarëve të policisë dhe origjinës së tyre.
“Policia e Shtetit tashmë është e depolitizuar dhe këtë e ka dëshmuar me qëndrimin e saj gjatë proceseve zgjedhore, duke marrë dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve për korrektësinë e zbatimit të ligjit nga ana e të gjithë punonjësve të saj. Kjo është dëshmia më e qartë e standardeve të arritura tashmë nga Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit është në shërbim të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe i bëjmë thirrje subjekteve politike, që të ndalin fushatat e ndërmarra kundër Policisë së Shtetit dhe pjesëtarëve të saj . Angazhimi i policisë është vetëm ndaj qytetarit, në shërbim të tij dhe nuk ka kthim prapa. Policia e Shtetit është e gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Për transparencë lista e drejtuesve aktualë dhe vendi i origjinës së tyre.
Zv/Drejtorët e Përgjithshëm
- Zv/Drejtori i Përgjithshëm kundër Krimit të Organizuar e Krimeve të rënda, Z. Agron Kuliçaj, B.Curri (Kukës)
- Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Z. Muhamet Rrumbullaku, Tiranë
- Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin e Migracionin, Z. Pëllumb Nako, Skrapar (Berat)
- Zv/Drejtore e Përgjithshme për Trajnimin Policor, Zj. Anila Hoxha, Delvinë
- Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse, Z. Dashamir Maçi, Tiranë
Drejtorët e Policisë në Qarqe
- Drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, Z. Bernard Çaushaj, Vlorë
- Drejtor i Policisë së Qarkut Fier, Z. Arjan Bozhaj, Fier
- Drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, Z. Artan Cuku, Peshkopi
- Drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Z. Ajet Ibro, Përmet
- Drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër, Z. Aleks Hajdari, Pukë
- Drejtor i Policisë së Qarkut Berat, Z. Altin Qato, Skrapar, Berat
- Drejtor i Policisë së Qarkut Durrës, Z. Emri Vata, Kukës
- Drejtor i Policisë së Qarkut Korçë, Z. Gjergj Jorgo, Ersekë, Korçë
- Drejtor i Policisë së Qarkut Elbasan, Z. Halit Murataj, Mallakastër, Fier
- Drejtor i Policisë së Qarkut Lezhë, Z. Arben Hajdarmataj, Kukës
- Drejtor i Policisë së Qarkut Kukës, Z. Pëllumb Seferi, Kavajë
- Drejtor i Policisë së Qarkut Dibër, Z. Izet Hysa, Peshkopi
SHQIP
Add new comment