S’I TREGOJNË KANDIDATËT

Postuar në 09 Prill, 2013 04:18

 

PDK, LDK dhe Vetëvendosje ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për Kryetar të Prishtinës. Këto parti thonë se ende është herët për ta marrë këtë vendim. Deri më tash dihet vetëm një kandidat - Besnik Tahiri i AAK’së.

Prishtina do të jetë sërish qyteti i cili do të sfidojë të gjitha partitë politike në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Por, tri nga partitë më të mëdha në vend ende nuk e kanë bërë publike emrin e personit të tyre për Prishtinën.

 

Primatin në kryeqytetet kësaj radhe më shumë se çdo herë e do edhe partia e Hashim Thaçit e cila asnjëherë nuk arriti të triumfojë në qytetin që kaherë ka qenë nën udhëheqjen e LDK’së.

Por asnjëra e as tjetra nuk pranojnë se tashmë i kanë të zgjedhur kandidatët e tyre.

Ndërsa deri më tani një gjë të tillë e ka bërë vetëm AAK’ja e Ramush Haradinajt e cila prezantoi të dielën Besnik Tahirin si të përzgjedhurin e tyre.

Në PDK’në e Thaçit thonë se ende nuk është diskutuar për emra konkret dhe se po e presin datën e saktë të zgjedhjeve lokale për ta kumtuar atë.

“Ka vetëm supozime të gazetave që i kemi dëgjuar të gjithë, por kurgjo zyrtare njëherë nuk ka rreth emrit të kandidatit tonë për Prishtinën”, ka thënë Sekretari i PDK’së, Basri Musmurati për Express.

Ndërkohë burime të Express patën thënë se ndër më të përfolurit për të përfaqësuar PDK’në në Kryeqytet, janë Blerand Stavileci, Memli Krasniqi dhe Lirak Çelaj. Ky i fundit fitoi edhe garën për të parin e PDK’së në Degën e saj në Prishtinë muaj më parë, por nuk pati sqaruar nëse do të jetë edhe kandidat për Kryetar Komune nga partia e tij.

Por Musmurati mohoi të ketë ndonjë të përzgjedhur për Prishtinën deri më tani.

“Ne hala nuk kemi vendos kurgjo për këtë punë, po presim njëherë të vendoset se kur do të mbahen saktësisht zgjedhjet dhe kryhet edhe ky muhabet”, tha ai për Express.

Edhe Arben Gashi nga LDK’ja tha pothuajse të njëjtën gjë.

Ai tha se presin që të kryhet gara e brendshme partiake për degën në Prishtinë në mënyrë që kryesia e partisë të përcaktojë personin që do të mund t’i hynte garës për kryeqytet.

“Besoj se ai i cili i fiton zgjedhjet është personi më adekuat që fiton për Prishtinë bindshëm e kush është ai me emër ende nuk e di”, tha Gashi.

E, rreth kandidatit potencial për Prishtinën nuk kanë folur të hënën as përfaqësuesit e subjektit të Albin Kurtit. Ndonëse në disa media kishte dalë emri i Shpend Ahmetit si më adekuati nga VV’ja për garën për kryeqytet.

Anëtari i këtij subjekti politik, Hysen Durmishi tha për Express se kandidati do të varet prej votave të anëtarëve të VV’së në Prishtinë.

Në këtë mënyrë ai tha se do të zgjidhen të gjithë kandidatët për kryetarë komunash.

“Kandidati ynë, sipas statutit, zgjidhet përmes demokracisë së drejtpërdrejtë dhe kjo e mundëson që ai edhe të jetë kandidati më i pranuar për të gjithë anëtarësinë tonë. Praktikë kjo e plotësisht e ndryshme nga subjektet tjera politike ku kandidatët janë njerëz të propozuar përgjithësisht, për të mos thënë gjithmonë, nga liderët partiak”, tha ai.

“Në momentin kur të shpallet data e zgjedhjeve ne do e fillojmë këtë proces dhe emrat do të bëhen publik menjëherë me të përfunduar ky proces”, shtoi Durmishi.

Ndryshe, në Prishtinë që nga pas lufta qeveris partia e Isa Mustafes, e cila sidomos viteve të fundit ka marrë kritika nga më të ndryshmet për keqqeverisje dhe kaos në Kryeqytet.

Së fundi Mustafa u akuzua edhe nga Ministri i ambientit dhe planifikimit hapësinor, Dardan Gashi i cili tha se Kryetari aktual i Prishtinës po lejon jashtëligjshëm legalizimin e objkteve të ndërtuara pa leje.

 

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.