Pas aleancës me LSI-në, deputetët e PS-së japin votat për dy kode

Postuar në 09 Prill, 2013 08:43

 

Socialistët kanë votuar dje në komisionin e Ligjeve ndryshimet në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile. Rrëzohet propozimi i qeverisë për të ulur në 50 për qind vlerën e objekteve që shiten në ankand dhe që janë konfiskuar nga bankat

 

Opozita ka thyer bojkotin e ligjeve me 3/5-at dhe ka votuar dje Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile, ndërkohë që mazhoranca për t’i shërbyer konsensusit ka pranuar që të heqë nga drafti i qeverisë propozimin e uljes në 50 për qind të vlerës së pronës të konfiskuar nga bankat dhe të nxjerrë në ankand. Bëhet fjalë për një nga propozimet kryesore që përmbante paketa e ndryshimeve në këto dy kode dhe që kërkohej me ngulm nga bankat, si një masë për të ulur sadopak efektin negativ të kredive të këqija.

Debati

Mazhoranca ka rikthyer për diskutim brenda një jave në komisionin e Ligjeve dy projektligjet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë dhe që kërkonin të bënin ndryshime në Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile. Duke qenë se miratimi i këtyre dy kodeve bëhet me shumicë të cilësuar votash, mazhoranca është detyruar që të pranojë kërkesën e opozitës për t’i rikthyer për diskutim, duke qenë se gjatë diskutimit të parë të tyre ajo braktisi mbledhjen. Por edhe dje në nisje të mbledhjes së komisionit të Ligjeve konsensusi është dukur i largët, pasi nënkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se PS nuk do të jepte konsensusin e vet në rast se këto dy nisma nuk do t’i nënshtroheshin një diskutimi të gjerë dhe teknik, çka mazhoranca është shprehur e gatshme t’ia ofrojë që gjatë seancës së djeshme, ku për më shumë se 5 orë ka vijuar debatin teknik për të gjitha nenet e propozuara.

Kolaterali

Gjatë këtij diskutimi palët kanë mundur të gjejnë mirëkuptimin për shumë çështje, ku ekzekutivi, i përfaqësuar nga vetë ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, nuk ka nguruar që të pranojë dhe shumë nga sugjerimet e opozitës. Pika që ka shkaktuar më shumë debat dhe për të cilën nuk është gjetur një konsensus mes opozitës dhe ministrit ka qenë pikërisht neni 41 i Kodit të Procedurës Civile, i cili parashikonte që të ulte në 50 për qind vlerën e shitjes në ankand të një pasurie të konfiskuar nga bankat nga kreditorët që nuk arrijnë dot të shlyejnë detyrimet e kredisë. Sipas deputetes Shegushe Ligori, që ishte dhe në rolin e relatores së socialistëve për këto dy kode, një propozim i tillë është diskriminues dhe penalizues për qytetarët dhe në favor të bankave. “Atëherë, ju thoni 20 për qind për ankandin e parë dhe pastaj ulet në 50 për qind në ankandin e dytë. Kjo do të thotë që ju shisni sendin në ankand me 30 për qind të vlerës së vlerësuar nga përmbaruesi gjyqësor, çka është shumë më e ulët se sa banka ka vlerësuar sendin. Një mënyrë diskriminuese e kaq të rëndë, këtë gjë ne nga ky rreshti këtej nuk e pranojmë dot”, – tha deputetja Shegushe Ligori edhe në emër të kolegëve të tjerë socialistë. Pas një debati për kuptimin e këtij neni, kreu i komisionit, Ilir Rusmali i ka propozuar ministrit që të tërhiqet nga një nen i tillë, kjo edhe për të mos prishur konsensusin me opozitën. “Zoti ministër, unë propozoj që të mos e miratojmë këtë nen, ju bini dakord që ta lëmë siç është në Kod. Biem dakord ta lëmë kështu?” – pyeti Rusmali. Çka nuk është pranuar nga ministri, i cili ka theksuar se kjo është kërkesë e bankave. “Ajo që është propozuar ka ardhur si propozim lidhur me kreditë e këqija. Ky është propozim që bëhet nga shoqata e bankave, jo për t’u rënë në qafë kreditorëve dhe qytetarëve”, – tha Halimi. Por kjo nuk ka bindur komisionin, i cili me konsensusin e të dyja palëve ka vendosur ta heqë këtë nen nga projektligji, duke lënë në fuqi dispozitën aktuale, e cila e ul vlerën e objektit 20 për qind në ankandin e parë dhe 20 për qind në ankandin e dytë. Pavarësisht kësaj, në fund komisioni me shumicën dërmuese të votave ka votuar dy projektligjet, ndërsa i vetmi që ka abstenuar ka qenë deputeti socialist, Armando Subashi.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.