VAZHDON SEANCA KUNDËR LIMAJT

Postuar në 10 Prill, 2013 07:35

 

(E plotësuar) Ka filluar pjesa e dytë e seancës.

Prokurori është duke vazhduar me leximin e aktakuzës.

 

Përfundon pjesa e parë

Prokurori ka vazhduar me leximin e pikave të aktakuzës. Aktualisht ka mbërritur në pikën 120, ndërkohë që deri më tani përmbajtja e këtyre pikave ka të bëjë me sms'at e shkëmbyer mes përfaqësuesve të kompanisë 'Tali' respektivisht Florim Zuka dhe asistentit te ish-ministrit Limaj, Endrit Shala. Si dhe disa sms të shkëmbyer mes përfaqësuesit te kompanisë 'Intereuropa', Mehmet Shkodra dhe përfaqësuesve të Ministrisë, përfshirë edhe Fatmir Limaj.

Ndërkohë, Endrit Shala ka ndërprerë prokurorin gjatë leximit të aktakuzës duke u ankuar në fjalët që ai po i lexon si të tijat të shkruara në sms.

"Prokurori me qëllim po përdor gjuhën angleze në sms me ndiku te gjyqtarja. Unë s'kam përdor fjalë të tilla", tha Shala.

Mirëpo, gjyqtarja e ndërpreu fjalën e tij duke thënë se pas leximit të aktakuzës do ta kenë mundësinë e kundërshtimit.

Edhe Avokati mbrojtës, Arianit Koci është ankuar për versionin anglisht te sms-ve.

"Fjala dreq nuk do të thotë fuck", tha Koci.

Në bazë të aktakuzës së lexuar, prokuroria njofton se përmbajtja e sms'ave të kthyer nga Limaj nuk është zbuluar në disa raste akoma. Ndërsa, sms'at kanë të bëjnë me tenderin e Ministrisë së Transportit të fituar nga Kompania 'Tali'.

Ne orën 12:30, gjyqtarja ka vendosur për pushim e drekës. Pas një ore e gjysmë vazhdon pjesa e dyte e seancës.

Përplasen Mbrojtja me Prokurorinë

Seanca e radhës ndaj Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve që dyshohen për krim të organizuar dhe korrupsion, ka nisur sot me përplasjen e avokatit Tomë Gashi dhe Prokurorit të EULEX'it që udhëheqë me hetimet.

Gashi është ankuar në Gjykatë për siç tha presion te jashtëligjshëm që prokurori po bën ndaj tij dhe ekipit mbrojtës te Limaj.

“Dua t’iu njoftoj për një shkresë që prokurori e ka dërguar në OAK për të ndaluar avokatëve të Fatmir Limajt që të deklarohen se rasti i Limajt është politik. Ky është rast politik”, tha Gashi.

Ndërsa, Gjykatësja Ana Adamska Gallant tha se ky nuk është rast politik as jopolitik por rast që është sjellë në gjykatë për t’u zgjidhur.

Tomë Gashi është kundërpërgjigjur sërish duke thënë se Kushtetuta na lejon lirinë e shprehjes dhe asnjëri prej të pandehurve nuk është shpallur fajtor.

“Prokurori të mos tenton asnjëherë në jetën e vet me bë presion kundër meje apo avokatëve të Fatmir Limaj derisa ky vend është i lirë dhe kemi kushtetute. Ky shtet nuk është i okupuar prej EULEX’it as kurrkujt. Ka Zot në këtë shtet dhe ka Kushtetutë. EULEX’i është këtu për me na ndihmu jo me bë presion. Prokurori ka thënë që është gjerman, unë jam avokat shqiptar e une po i them le të dëshmon se ne Gjermani mundet me bë kësi lloj presioni edhe unë ka me pranu që kam gabu”, tha Gashi.

Gjykatësja reagoi sërish.

“Unë jam gjyqtare e EULEX’it dhe une nuk e ndjej veten si okupatore, por këtu jam për të vendosur drejtësi”, tha gjykatësja.

“Pikërisht për këtë thash që ky vend është liruar që nga qershori 1999, asaj kohe prokurorët serb e kanë quajtur terrorist e unë e kam mbrojtur si çlirimtar ndërsa s’kam pas kaq presion”, tha Gashi.

Reagoi edhe Prokurori.

“Prokurorët ndërkombëtar janë krenar të jenë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe janë në gjendje të ndihmojnë qytetaret e Kosovës që të pastrojnë vendin prej krimit te organizuar dhe korrupsionit. Duke mos iu adresuar gjykatës, sepse e njoh ligjin, prokuroria do të vazhdojë me leximin e aktakuzës sepse është e drejtë për opinionin dhe të gjithë të dinë. Dhe nuk lejojmë më ndërprerje tjera”, tha prokurori.

Gjykatësja urdhëroi leximin e aktakuzës, gjë të cilën edhe po e bën prokurori.

Limaj në Gjykatë, fillon seanca

 

Fatmir Limaj ka mbërritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca ka filluar.

Vazhdon seanca kundër Limajt dhe të tjerëve

 

Sot vazhdon seanca ndaj Fatmir Limajt, Demir Limajt, Florim Limajt, Endrit Shalës, Nexhat Krasniqit, Gani Zogajt e Florim Zukajt lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomit (MTPT).

Seanca për deputetin nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, Fatmir Limajn, ka filluar të hënën me leximin e akuzave për të dhe të pandehurit e tjerë. Leximi i akuzës do të vazhdojë edhe të mërkurën me pjesën arsyetuese të saj.

Mbi Limajn dhe të tjerët rëndojnë këto vepra penale: Krim i Organizuar, shpërlaje parash, armëmbajtje pa leje, shpërdorim i detyrës zyrtare, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, lidhje e kontratave të dëmshme, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, keqpërdorim i autorizimeve të ekonomisë, pastrim parash, pengim i provave si dhe mosdeklarim i parave gjatë fushatës.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.