Tërhiqet PS, pronat e lëna peng në bankë shiten me 30% të vlerës

Socialistët ndryshojnë qëndrim dhe vendosin që të votojnë pro propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për të ulur me 50 për qind vlerën e kolateralit që kredimarrësit lënë peng për kreditë e marra në banka. Dy ditë më parë, në komisionin e Ligjeve ishin pikërisht socialistët ata që këmbëngulën duke detyruar edhe mazhorancën që të hiqte nga drafti i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile propozimin e ekzekutivit që përcaktonte që, të gjitha pasuritë e konfiskuara nga bankat si pasojë e mosshlyerjes së kredive nga kredimarrësit, të shiteshin në raundin e dytë të ankandit me 50 për qind të vlerës reale të tyre. Sipas relatores socialiste të këtij projektligji, Shega Ligori, ky propozim ishte në favor të bankave, por në dëm të qytetarëve të thjeshtë, pasuritë e të cilëve rrezikoheshin të shiteshin për hiçgjë, vetëm e vetëm që bankat të merrnin paratë e dhëna kredi. “Ju thoni që ulet në 50 për qind në mënyrë taksative. Atëherë, ju thoni 20 për qind për ankandin e parë dhe pastaj ulet në 50 për qind në ankandin e dytë. Kjo do të thotë që ju shisni sendin në ankand me 30 për qind të vlerës së vlerësuar nga përmbaruesi gjyqësor, çka është shumë më e ulët sesa banka ka vlerësuar sendin. Një mënyrë diskriminuese kaq të rëndë, këtë gjë ne nga ky rreshti këtej nuk e pranojmë dot”, – tha deputetja Ligori në mbledhjen e komisionit të Ligjeve edhe në emër të kolegëve të tjerë socialistë në këtë komision. Por duket se jo të gjithë në Partinë Socialiste kanë logjikuar në këtë mënyrë, pasi dje në mbledhjen e grupit parlamentar është mbrojtur me forcë e kundërta, pra nevoja për të ulur çmimin e shitjes së kolateralit në ankandin e dytë me 50 për qind të vlerës reale. Dhe ata që kanë kundërshtuar kanë qenë deputetët e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, të cilët të nxitur edhe nga grupet e interesit, në rastin konkret shoqata e bankave, kanë këmbëngulur se kjo është një masë e nevojshme për të shpëtuar sistemin bankar në Shqipëri nga kreditë e këqija. Ndaj, kjo çështje ka shkaktuar jo pak debate gjatë mbledhjes së djeshme ku janë ballafaquar pikërisht këto dy qëndrime. Siç mësohet, deputetët e komisionit të Ligjeve kanë mbrojtur qëndrimin e mbajtur edhe në komision, duke theksuar se kjo dispozitë është diskriminuese për qytetarët, ndërsa deputetët e komisionit të Ekonomisë kanë vlerësuar se duhen parë në këtë rast edhe interesat e bankave, të cilat nuk mund të futen në krizë për shkak të kredive të këqija. Ndërkaq mësohet se ata kanë bërë të ditur se kjo është kërkuar me forcë nga shoqata e bankave, madje sipas tyre, për këtë gjë ka patur ndërhyrje dhe nga vetë Banka Botërore. Kështu, në fund duket se ka fituar varianti i mbrojtur nga deputetët e Ekonomisë dhe grupi ka vendosur që të votojë pro rikthimit të nenit 41 të projektligjit. Megjithatë është lënë mundësia që para se të votohet në Kuvend, përfaqësuesit e komisionit të Ekonomisë dhe ata të Ligjeve të diskutojnë dhe një herë me kolegët e tyre demokratë për të parë mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje më të pranueshme.
MAPO
Add new comment