Gratë e PDIU: I drejtohemi dhembshurisë së grave shqiptare ndaj genocidit mbi Çamërinë

TIRANË - Forumi i grave të Partisë Drejtësi dhe Integrim me anë të një konference për shtyp mbështet protestën kundër zvarritjes së pajustifikueshme të miratimit të rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame, që do të mbahet ditën e enjte para parlamentit të Shqipërisë.
Ne ftojmë të gjithë bashkombasit tanë, që të dëshmojnë vetëdije dhe krenari kombëtare duke marrë pjesë masivisht në këtë protestë paqësore. Projekt-rezoluta adreson më së miri një tragjedi shqiptare që pret 70 vjet të zgjidhet dhe çdo indiferencë apo vonesë e mëtejshme është e papranueshme. Është e pakuptueshme se si klasa politike shqiptare ka treguar më shumë dinjitet, duke e shtruar çështjen çame me kurajo, që në fillimin e tranzicionit, atëherë kur vendi ynë ishte i mjeruar prej komunizmit, ndërkohë tani që jemi futur në dekadën e tretë të demokracisë, përpjekjet për ta zgjidhur këtë çështje janë duke u penguar.
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk kurseu mijëra gra, pleq e fëmijë dhe rezoluta e propozuar është i vetmi dokument, që vë sadopak në vend këtë padrejtësi të madhe. Prandaj thirrja jonë i drejtohet veçanërisht dhembshurisë së të gjitha grave shqiptare, që në shenjë respekti për viktimat e pafajshme të solidarizohen me ne dhe të marrin pjesë në protestën tonë në ditën e enjte.
SHEKULLI
Add new comment