Berisha prezanton ministrat e rinj: Rama të vazhdojë me përçarjet, por po e lënë energjitë

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar mbledhjen e parë me kabinetin e riformatuar pas largimit të LSI nga koalicioni qeverisës. Në fillim në mbledhjes, ai ka prezantuar tre ministrat e rinj që i bashkohen kabinetit qeveritar: Halim Kosova, Visar Zhiti dhe Florion Mima. Ky i fundit ka munguar në mbledhjen e sotme për shkak të një impenjimi pune jashtë shtetit.
Berisha e ka cilësuar kreun e ri të dikasterit të ekonomisë si një reformator dhe njeri i punës, që është mirëpritur nga biznesi. “Shkëlqen me mungesën e tij ministri i ekonomisë, Florion Mima, që është në një detyrë. Ai ka kontribut shumë të rëndësishëm në të gjitha reformat e kryera gjatë këtyre viteve nga qeveria e PD dhe koalicionet e saj, me aftësi profesionale, dinjitet dhe përkushtim të madh. Do vazhdojmë vendosmërisht reformat”,- tha Berisha.
Ndërkohë mjekun Kosova, Berisha e ka cilësuar si një humanist që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë.” Ai ka dëshmuar gjatë këtyre viteve aftësi të shkëlqyera menaxhuese që nuk është shumë e zakonshme në botën medikale, ndaj edhe në këtë aspekt ky sektor udhëhiqet jo vetëm nga një personalitet me kompetencë shkencore, me aftësi profesionale të madhe përkushtim e humanizëm të lartë, por nga një personalitet me aftësi menaxheriale shumë të zhvilluara dhe kam besimin se reformën do ta cojë përpara”, ka thënë Berisha.
Me të njëjtat superlativa ka folur edhe për kreun e ri të Ministrisë së Kulturës, Visar Zhiti. “Visar Zhyti është një përfaqësues i elitës kulturore të vendit por edhe një përfaqësues i shpirtit të qëndresës së kombit shqiptar. Një përfaqësues i shtresës së të përndjekurve politik që kanë qenë dhe mbetet mbështetja kryesore, e pamposhtur e demokracisë, lirisë dhe vlerave të saj dhe i Partisë Demokratike në tërësi”,- tha Berisha.
Vendimet
Qeveria ka vendosur të shtyjë afatin e përdorimit të letrave me vlerë. Në mbledhjen e sotme kryeministri Berisha tha se gjatë kësaj jave do të bëhen dhe amendimet e nevojshme. “Letrat me vlerë nuk janë lekë por janë në të vërtetë detyrim i qeverisë ndaj qytetarit, ndaj të cilit ne qëndrojmë plotësisht. Do të përgatitet vendimin për dyfishimin e përdorimit të letrave me vlerë. Aty ku janë 20 do të bëhen 40, ndërsa aty ku janë 30 do të bëhen 60. Vendimi të vijë në qeveri për të shtyrë afatin e përdorimit deri në gjysmën e parë të mandatit të ri”, u shpreh Berisha.
Një tjetër nismë e qeverisë ishte edhe këshillimi juridik falas për qytetarët në nevojë, ajo e përjashtimit të tokave bujqësore që shiten për bujqësi nga taksa 10 për qind. “Rama le të vazhdojë me përçartjet e tij dhe pak kohë. Dita po afron, energjitë po e lëshojnë, këto janë punët e tij”-, tha Berisha.
Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme, vendimin për heqjen e taksës 10% për tokën që shitet për qëllime bujqësore dhe përgjysmimin e taksës për makinat e përdorura. Duke prezantuar vendimin, kryeministri Berisha, garantoi fermerët se vendimet e qeverisë janë në favor të tyre, ndërsa kërkoi nga ministri i Financave, Ridvan Bode që të shikohen problemet që lidhen me TVSH-në dhe që shqetësojnë fermerët.
Gjithashtu qeveria ratifikoi sot edhe marrëveshjen për gazsjellësin TAP. Kryeministri komentoi shkurt vizitën e tij në Azerbajxhan, duke theksuar se u kthye nga Baku me optimizëm real për një vendim pozitiv për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Gjithashtu sot në qeveri është depozituar dhe p/ligji për përgjysmimin e taksës së makinave të përdorura.
SHQIP
Add new comment