SQAROHEMI BRENDA JAVËS

Postuar në 12 Prill, 2013 04:03

 

Deri në fund të kësaj jave presim të qartësohet pozicioni i Serbisë sa i përket marrëveshjes së ofruar nga BE’ja. Beogradi e ka kuptuar se nuk mund të ketë Republika Srpska në Kosovë dhe kompetenca shtesë për Asociacionin e komunave. Rusia nuk mund të përfshihet në dialogun mes dy palëve pasi kjo është e qartësuar me Rezolutën e OKB’së. Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj flet për Express.

Express: Sa janë shanset të nënshkruhet marrëveshje nga ana e Serbisë?

E. Hoxhaj: Mendoj se procesi dialogut duhet të kuptohet drejtë në formën se si ndodh. Në këtë proces ka tri palë të përfshira: BE, Kosova dhe Serbia. Kuptohet që BE e ka rolin e udhëheqësit dhe lehtësuesit të procesit, përderisa, Kosova dhe Serbia, paralelisht janë në një proces të tillë. Ne presim gjatë ditëve të ardhshme të ketë qartësim të plotë se a do ta pranojë vërtetë Serbia marrëveshjen e propozuar apo jo. Kjo marrëveshje është produkt i tetë raundeve të dialogut dhe pala serbe ka qenë e informuar në detaje për përmbajtjen dhe rezultatet e kësaj marrëveshje. Besojmë se deri në fund të javës do të ketë qartësi për atë se në javën e ardhshme të ketë një lajm nga Beogradi sa i përket marrëveshjes.

Express: Pse Serbia nuk po nënshkruan ? Në fakt, ata kanë ri-aktualizuar kërkesat e tyre për kompetenca shtesë të Asociacionit të Komunave dhe kërkesa të tjera...

E. Hoxhaj: Është vështirë të paragjykohet se cilat janë motivet përfundimtare të Beogradit sa i përket mospranimit të marrëveshjes si të tillë. Ajo se çfarë është diskutuar në Bruksel është në përputhje me Planin e Ahtisaarit, me Kushtetutën e Kosovës dhe iu ofron komunitetit serbë atë shkallë të vetëqeverisjes lokale dhe të drejtat e tyre. Në këtë mënyrë, atyre u mundohet të kenë siguri, zhvillim ekonomik dhe integrim të mirëfilltë në jetën institucionale në jetën socio-ekonomike të Kosovës. Prandaj, asnjë arsye racionale nuk ekziston përveç kuptohet kërkesës së tyre, e cila është e bazuar në krijimin e një Republika Srpska në Veri të Kosovës që do të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative. Por, kjo nuk është pranuar nga Kosova dhe as nga partnerët ndërkombëtarë përfshirë BE’në dhe SHBA’të. Pse nuk po e pranojnë mendoj se përgjigja duhet kërkuar në Beograd dhe jo në Prishtinë.

Express: Si duhet të sillet Kosova në këtë situatë? A duhet BE ta shpërblejë Kosovën dhe ta ndëshkojë Serbinë për shkak se marrëveshje s’po arrihet?

E. Hoxhaj: Kosova gjatë gjashtëmujorit të fundit është treguar se është palë shumë konstruktive, me një frymë europiane, në një proces shumë të ndjeshëm që është normalizimi i raporteve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Për ne padyshim që nuk ka qenë e lehtë fare të ulemi dhe të bisedojmë me Serbinë për çështje të interesit bilateral për shkak të kaluarës tonë të hidhur. Por, ne si lidership i këtij vendi kemi përgjegjësi që ta mbyllim këtë kaptinë të errtë të historisë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ta ri-integrojmë Veriun e Kosovës dhe mbi të gjitha ta lëvizim Kosovën drejt një të ardhme evropiane përmes zhvillimit dhe modernizimit të vendit. Mendoj se BE padyshim se do të duhej ta shpërblen Kosovën për pjesëmarrjen dhe për qasjen shumë konstruktive në një dialog të tillë. Ne presim që në mes të këtij vitit t’ia fillon procesi i hapjes së negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit.

Express: Ivica Dacic ka thënë se në dialogun me Kosovën mund të përfshihet edhe Rusia. Madje, ai tha se edhe Presidenti rus është i gatshëm të ndihmoj në dialog

E. Hoxhaj: Ajo çfarë ka thënë Kryeministri serb nuk përkon me mandatin e dialogut, i cili udhëhiqet prej BE’së dhe mbështetet nga SHBA’të. Në tetor të vitit 2010 është miratuar një rezolutë në OKB, e cila ka qenë rrjedhojë e Opinionit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e ligjshme dhe që pavarësia e Kosovës legalisht është në kuadër të së Drejtës Ndërkombëtare. Në atëbotë, ndërkohë që në këtë rezolutë, Kombet e Bashkuara kanë vendosur që BE të jetë fasilitues të një dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Një dialog që nuk ka të bëjë me statusin dhe nuk ka të bëj me sovranitetin dhe integritetin territorial. Është pothuajse e kotë, e panevojshme dhe vetëm për konsum të brendshëm në Serbi, kërkesa që Rusia të kyçet në një proces të tillë, meqë, dialogu është një çështje evropiane dhe udhëhiqet nga vetë Baronesha Ashton, si Përfaqësuese e Lartë e BE’së.

Express: Ministri i Punëve të Jashtme në largim i Shqipërisë, Edmond Panariti ka paralajmëruar se shpejt Kosovën do ta njohin dy nga pesë vendet e BE’së. Cilat janë këto dy shtete të Unionit që do ta njohin pavarësinë?

E. Hoxhaj: Padyshim se nga pesë vendet e BE’së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ka një qasje skajshmërisht të hapur për një bashkëpunim institucional me disa prej kryeqyteteve të këtyre vendeve. Unë jam shumë i sigurt se këto vende nuk kanë ndonjë argument politik ose juridik që mos ta njohin Republikën e Kosovës. Çështja se kur vendet e tilla, Qeveritë e tyre marrin vendim se kur do ta njohin Kosovën, është çështje e politikës së tyte të jashtme dhe unë nuk mund të prejudikoj se mund të ketë ndonjë vendim të shpejt në një drejtim të tillë. Padyshim se gjatë muajve të fundit kam pasur vizita në Athinë, vitin e kaluar kam qenë në Bratislavë. Ka pasur po ashtu komunikim të rregullt me tri vendet që s’e kanë njohur Kosovën. Ne presim që këto tri vende sikurse e mbështesin të ardhmen evropiane të Kosovës ta mbështesin edhe në rrugën e saj drejt njohjeve. Ndonjë lajm të shpejt nuk mund të ketë.

 

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.