Petrelë, Rama takon të rinjtë: Reformat do të rilindin sistemin arsimor

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte i pranishëm në Petrelë, ku organizoi një takim me të rinjtë për të prezantuar programin e Rilindjes.
Kreu i opozitës, në fjalën e tij, tha se është i angazhuar që pas fitores së 23 qershorit, qeverisja socialiste t’i japë një rëndësi të veçantë reformimit të sistemit arsimor.
Sipas Ramës, sistemi i tanishëm arsimor nuk garanton asnjë perspektive. “Ne jemi të vendosur që t`i kthejmë shkollat në qendra komunitare.
Ne jemi të vendosur që t`ua kthejmë investimet prindërve tuaj që sakrifikojnë shumë për t`ju çuar juve në shkollë, por njëkohësisht t`ju kthejmë juve, në fund të këtij rrugëtimi, investimin e energjive të kohës dhe të mundit tuaj për t`u pasuruar me dije”, ka theksuar Rama.
Ndërsa u ndal tek jetesa e të rinjve në fshat, kreu i opozitës tha se do tu jepen mundësi atyre që jetojnë në zonat rurale, që përmes tokës të krijojnë edhe mirëqenie, pasi aktualisht kjo sipas tij nuk po ndodh.
“Toka sot nuk u jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë mirëqenie dhe ne duam që toka t`a bëjë këtë. Ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ka më fshatarë të varfër, nuk ekzistojnë fshatarët e varfër.
Sepse toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jete normale për gjeneratat e reja të fshatit” është shprehur Rama.
Në programin tonë ne kemi një zotim, një zotim themelor, që vajzave dhe djemve të këtij vendi t`ju japim arsye të besojnë se ëndrrat dhe shpresat e tyre janë plotësisht të realizueshme nëse së bashku fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe së bashku e kthejmë fitoren në një instrument që të hapi rrugë të reja dhe perspektiva të reja për çdo vajzë dhe djalë të këtij vendi”, përfundoi Rama.
SHEKULLI
Add new comment