PS, Et’hem Ruka: Konflikti për KQZ-në do të jetë i ashpër

Zgjerimi i së majtës, për deputetin e PS-së Et’hem Ruka, është një garanci më shumë për fitoren e 23 qershorit. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Ruka thekson se nëse nuk duam ta asgjësojmë të majtën e këtij vendi, kur shumica dërmuese e shqiptarëve janë të majtë, atëherë “rikonfigurimi i së majtës është një domosdoshmëri historike”. Sa i përket votimit të sotëm në Kuvend për shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja në KQZ, deputeti i PS-së shpreh dëshirën që kjo nismë të dalë nga axhenda parlamentare. “Nëse po, debati do të jetë thellësisht i ashpër. Kushdo që ta votojë këtë projekt-ligj duhet të marrë parasysh pasojat”- thotë Ruka.
Si e shihni rikonfigurimin e koalicion-it të majtë pas afrimit të LSI-së?
Rikonfigurimi i së majtës, por edhe i së djathtës në krahët e tyre të natyrshëm, është një proces i natyrshëm që një ditë do ta sillte koha. Gjatë këtyre 20 vjetëve linja ndarëse midis të majtës e të djathtës ka interferuar. Dëshiroj të kujtoj se Aleanca Demokratike, e dalë nga e djathta, bashkëpunoi deri në bashkëqeverisje me të majtën. Të njëjtën tentativë bënë edhe demokristianët e Nard Ndokës, të cilët u rreshtuan në frontin opozitar, madje edhe me fjalime të ashpra në grevën e urisë të organizuar nga socialistët në shenjë revolte për ngjarjet e 21 janarit, në bulevardin e “Dëshmorëve të Kombit”. Përçarjet e së majtës janë shfrytëzuar mjeshtërisht nga Berisha, i cili e ka shpëtuar të djathtën disa herë me ndihmën e së majtës. Me ndihmën e disa parlamentarëve të majtë ai zgjodhi ish presidentin e Republikës, Bamir Topin, me ndihmën e LSI-së ai qeverisi për katër vitet e fundit dhe, me ndihmën e disa deputetëve aktualë, të larguar nga grupi parlamentar socialist, miratoi ndryshimet në qeveri dhe pret të votojë ligje për të cilat votat nuk i mjaftojnë. Unë besoj se këto argumente mund ta bëjnë çdo njeri që merret me politikë të arsyetojë para se të merret me etikë dhe emocione. Rikonfigurimi i së majtës është një domosdoshmëri historike, nëse nuk duam ta asgjësojmë pak e nga pak të majtën e këtij vendi, kur shumica dërmuese e shqiptarëve janë të majtë. Ky rikonfigurim erdhi si nevojë e zhvillimeve të brendshme, por edhe e këshillave shumë miqësore të së majtës evropiane. Lëvizjet e mëdha politike, si kjo e ditëve të sotme, për të majtën shqiptare është e natyrshme të kalojnë pro-cesin e tyre digjerues. Në fillim kundër-shtohet, pastaj diskutohet e më në fund pranohet. Ne kishim kohë që kishim bërë një ftesë dhe këtë e dinë të gjithë. Edi Ra-ma në radhë të parë, por edhe Ilir Meta, përtej një kalvari kontradiktash, arritën ta kapërcejnë një të kaluar për të ndërtuar një të ardhme. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i japim jetë kësaj aleance, frytet e së cilës do t’i prekim të gjithë më 23 qershor me rilindjen shqiptare. PS-ja nuk ka hequr dhe nuk do të heqë kurrë dorë nga parimet e saj për të zbardhur 21 janarin dhe për të bërë transparencën e qeverisjes së derisotme. Ky është deklaruar si një zotim publik në bashkëbisedimin e jashtëzakonshëm për hartimin programit të ardhshëm qeverisës.
Çfarë do të sjellë ky zgjerim i së majtës më 23 qershor?
Zgjerimi i së majtës është një garanci më shumë për fitoren e 23 qershorit. Nuk besoj se ka njëri në këtë vend që nuk e kupton se makina e elektorale manipuluese e Sali Berishës nuk do të funksionojë edhe me më shumë rendimet në këto zgjedhje. Kjo makinë është vënë në lëvizje dhe po bën tentativën e parë për të ndryshuar me forcë raportin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E majta ka nevojë të maksimizojë rezultatin për të fituar zgjedhjet, por mbi të gjitha edhe për një siguri më shumë për qeverisjen e ardhshme. Mos harroni se sistemi aktual zgjedhor nuk u jep dy blloqeve politike ndonjë avantazh të madh parlamentar. Rikonfigurimi i së majtës është një garanci më tepër për të siguruar mazhorancën e ardhshme parlamentare, e domosdoshme për realizimin programit për Rilindjen Shqiptare.
LSI-ja në këtë bashkëpunim do të bëjë të mundur maksimizimin e votës dhe mandateve për të majtën, apo do të mbetet në njëjtat nivele elektorale të zgjedhjeve të 2009-ës?
Në terma absolut do të duhet të priten zgjedhjet për të thënë se cili do të jetë kontributi real i çdo force politike në aleancën tonë të majtë. Një gjë është e sigurt, që e majta e bashkuar do të sigurojë më shumë vota se në vitin 2009. E djathta shqiptare e ka konsumuar keqazi mandatin e vet. Ajo vjen në këto zgjedhje vetëm me entuziazmin e klientëve të pushtetit dhe me drobitjen e tejskajshme të bazës së saj sociale, veçanërisht të njerëzve të thjeshtë, të ish pronarëve e ish të përndjekurve, që s’përfituan as-gjë nga premtimet e bëra. Anëtarësia e PD-së është shndërruar në argate e ‘Familjes shtetërore’ dhe klientëve të saj, përgjegjëse për rrënimin ekonomik, korrupsionin galopant, krimet shtetërore dhe degradimin moral e social të shoqërisë shqiptare.
SHEKULLI
Add new comment