Hetimi, CEZ mbifaturoi 14.000 familje shqiptare

Postuar në 15 Prill, 2013 03:48

 

Kompania CEZ Shpërndarje, e drejtuar nga çekët, ka kryer mbifaturime mbi shpenzimet reale të energjisë për të paktën 14 mijë abonentë. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës është duke hetuar prej më se një viti abuzimet e kryera nga kompania CEZ me mbifaturimet e energjisë ndaj qytetarëve të ndryshëm.

Së paku gjashtë persona janë në hetim deri tani nga Prokuroria, e cila pasi ka kontrolluar pajisjet e matjes së energjisë së shpenzuar, kryesisht në sistemin kompjuterik, ka gjetur shkelje të dukshme. “Sipas hetimeve, mbifaturimet janë realizuar në tri mënyra.

E para nga vetë sistemi i CEZ, ku është konstatuar se ka pasur ndërhyrje në sistemin e matësve, duke manipuluar të dhënat. Mënyra e dytë, ndonëse më e kufizuar në numrin e të prekurve, ka qenë mbifaturimi për banesat e lëna bosh, dhe aplikimi i shpenzimit për garazhet dhe ambientet e përbashkëta, duke i faturuar ato më vete e duke vendosur për to taksë televizori. Mënyra e tretë e mbifaturimit ka qenë ndërhyrja fizike në matësit e energjisë elektrike nga ana e CEZ dhe ndryshimi i të dhënave me qëllim rritjen e shumave që duhej të paguanin qytetarët.

“Këto kanë qenë mënyrat më të përhapura dhe më klasike të abuzimit nga CEZ. Por, hetimi ka gjetur shkelje flagrante që tregojnë se janë llogaritur gabimisht shumë fatura në momentin e fundit gjatë përpunimit të të dhënave. Po kështu është llogaritur dhe është fryrë kamata për ata konsumatorë që nuk kanë paguar në kohë”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas organit të akuzës, CEZ i drejtuar nga çekët e ka pasur politikë të qëllimshme mbifaturimin, pasi rezulton se punonjësit që kanë kryer abuzime të tilla janë shpërblyer me pagë shtesë dhe me udhëtime jashtë shtetit. Hetimet ndaj CEZ kanë nisur pas ankesave të qytetarëve në vitet 2010-2011. Procesi ende po vazhdon, pasi hetimi konsiderohet tepër i vështirë dhe teknik në zbardhjen e mekanizmit të abuzimeve dhe të shumave të dëmit që është shkaktuar.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.