Tension, negociata dhe paralajmërime përpara votimit për ndryshimin e KQZ-së

Si rregull sot Kuvendi pritet që të votojë propozimin e mazhorancës në pushtet për ndryshimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj synojnë largimin e anëtarit të LSI, Ilirjan Muho nga ky komision.
Në rrjetet sociale kanë nisur që të shpërndajnë paraprakisht një shkresë ku tregohet se Ilirjan Muho është shkarkuar nga ish- presidenti Moisiu kur ishte prokuror.
Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë disa takime me diplomatë në Tiranë, duke shpresuar tek presioni i tyre ndaj kryeministrit Sali Berisha.
Ethem Ruka në një intervistë për Shekullin shprehet se ata që votojnë përkrah Berishës sot, duhet të marrin parasysh pasojat.
Dhe në të vërtetë PD shpreson tek votat e socialistëve të zhgënjyer, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani.
Ende nuk dihet se cili do jetë qëndrimi i tyre, por mediat pranë qeverisë shkruajnë se Berisha i ka 71 votat për të bërë ndryshimet.
Në seancë janë regjistruar plot 120 deputetë për të folur për këtë çështje, duke rrezikuar që ajo të kthehet në një nga seancat më të gjata.
Kurse Dashamir Shehi i LZHK, duke folur për Panoramën, thotë se vërtet Berisha mund të ketë bërë shumë gjëra, por kur bie fjala tek çështja e KQZ-së, ai ka të drejtë.
Beteja po zhvillohet edhe në Uashington, raporton Shqip, pasi opozita ka ndërmarrë një fushatë për të balancuar ndërhyrjet e lobistëve të qeverisë. Kompania Podesta ka nisur prej ditësh fushatën për të mbrojtur ndryshimin e KQZ-së./ep
TEMA
Add new comment