Kuvendi largon Ilirjan Muhon, emëron Klemend Zgurin si anëtar i KQZ-së

Postuar në 15 Prill, 2013 16:00

 

 21: 10-Ambasadori Arvizu pas takimit me kryeministrin Berisha shkon ne Kuvend

Ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu, u takua me kryeministrin Berisha në godinën e kryeministrisë ditën e sotme rreth orës 20:30. 

Takimi me dyer të mbyllura zgjati rreth 45 minuta e më pas ambasadori amerikan u nis për në parlament ku do të ndjekë nga afër vazhdimin e debateve.

Mendohet se ky itinerar i ambasadorit amerikan vjen për shkak të kërkesës që PD ka bërë për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. 

Më herët Arvizu tha nga qyteti i Vlorës se SHBA-të janë kundër kësaj kërkese dhe se rregullat e lojës nuk mund të ndryshojnë tashmë. 

Topalli sulmon Muhon:Na mashtroi me CV,u shkarkua për lidhjet me krimin

Dukë debatuar me kryetaren e  Kuvendit, Jozefina Topalli, Ruçi sqaroi se deputetët e partisë socialiste nuk ka shkuar në seancë plenare për të mbrojtur një emër të përveçëm , por ligjin, Kushtetutën dhe zgjedhjet e ardhshme. Duke iu përgjigjur kryetares për akuzat, Ruçi kujtoi se ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani i cili ka mbuluar dy palë zgjedhje ka qenë i akuzuar dhe i dënuar si nga policia ashtu edhe nga prokuroria e vendit.

 “Zonjë je ngatërruar, ne nuk jemi këtu për të mbrojtur asnjë person, po institucionin ligjor, Kushtetutën, kodin dhe zgjedhjet. Ristani që manipuloi dy palë zgjedhjesh, nuk ka qenë i ndaluar nga policia e shtetit dhe prokuroria. A nuk ka qenë i dënuar nga gjykata e këtij vendi. Lini këto broçkulla dhe referojuni kodit të zgjedhjeve”,- replikoi deputeti socialist, Ruçi.

Halimi: Rama do ti humbasë zgjedhjet

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh gjatë dikutimit të mbajtur në kuvend, se Partia Socialiste po shpreson më kot, që të marrë mazhorancën në KQZ.  “Edi humbet edhe kur merr për veshi presidentin edhe i thotë të votojë për të, edhe kur merr Ilirianin, as me Bamirin as me Ilirianin nuk fiton, prapë do ti humbasë zgjedhjet, si bën derman askush Ramës as Muho”, tha më tej Halimi. 

Kryetarja e Kuvendit akuzoi anëtarin e LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho se ka fshehur  CV, e se është shkarkuar nga detyra për lidhjet e tij me krimin. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të opozitës Fatmir Xhafaj, i cili i konsideroi të paturpëshme deklaratat e Topallit.

Xhafaj:Jam i surprizuar nga paturpësia e Jozefinës

Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj e ka cilësuar deklaratën e kryetares së Kuvendit Topalli, Xhafaj si të paturpshme ndërsa u shpreh se kjo tregon hapur se PD ka mbyllur sytë. 

“Jam i surprizuar nga paturpësia e Jozefinës, ku ishit dje që e miratuat Muhon. Pranoni që keni qenë sylesh apo e përdorët si peng për të mbajtur me doemos pushtetin. Është turpi juaj dy herë”, tha ai më tej.  Ai e konsideroi si akt të paligjshëm nismën e PD për të shkarkuar Ilirian Muhon. “Kanë vënë nenin 14 se s’vinin dot asnjë tjetër. Nëse bëhej fjalë për shkarkimin duhej të përdorej neni 18, po ai këtë procedurë nuk e parashikon në asnjë germë. Ky akt cënon procesin zgjedhor dhe votën e lirë”, tha Xhafaj.

Topalli: Muho u shkarkua për lidhje me krimin. Na mashtroi edhe ne

Kryeparlamentarja Topalli ka lëshuar akuza të ashpra kundrejt Ilirjan Muho-s duke  u shprehur se ai ka mbajtur fshehur CV e tij, pasi është shkarkuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me kërkesë të Kryeprokurorit Dhori Sollaku për lidhje me krimin. Sipas Topallit, anëtari i KQZ ka mashtruar edhe pozitën.

“Ilirjan Muho ka mashtruar parlamentin me CV që nuk tregon që është i shkarkuar nga presidenti me propozim të kryeprokurorit Dhori Sollaku , ai mashtroi edhe në dëgjesën në komision. Nuk ndihesh ti i fyer që të ka mashtruar propozuesi që ke ne koalicion. Propozuesi që ka sjell në KQZ Muhon na ka mashtruar ju dhe ne. Ky është atentati më i madh që i bëhet Parlamentit. Ilirian Muho ka gënjyer dhe mashtruar parlamentin me CV e tij se nuk tregon se është i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të Dhori Sollakut. Seanca dëgjimore, është një akt betimi. Për të Dhori Solllaku ka kërkuar shkarkimin e tij për lidhjen me krimin dhe kriminelet me të rrezikshëm. Ky ëhtë atentati më i madh që i bëhet Parlamentarizmit” u shpreh Topalli. 

Sipas Topallit, mazhoranca është e vendosur të mos lejojë prishjen e balancës në KQ. “Do mjaftonte kaq që propozuesit të kërkonin të falur, që ju që e dinit të kërkonit të falur para publikut, ju i thoni shqiptarëve se KQZ me Muhon që është i shkarkuar, ky jep besim publikut, bën zgjedhjet më të mira e ndershme si vetë ndershmëria e Muhos. Ky është peng i krimineleve, kësaj i thoni ju KQZ e pavarur , ky është turpi i parlamentit, ju ftoj të bashkoheni e të mos ndaheni me maxhorancën për të shkarkuar këtë nga detyra. Harrojeni se do i merrni zgjedhjet në tavolinë, përkundrazi jam plotësisht dakord me ato diplomatë që thonë qeveria ka përgjegjësinë. Nuk mund të jetë balancë e nderuar 5 me 2”, tha Topalli.

Deputeti PS Bello: Ndërkombëtarët ngritën kartonin e verdhë për Berishën

Deputeti Marko Bello deklaroi në parlament se ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje Berishës duke i ngritur kartonin e verdhë. Të ndërpresësh sot nga ky Kuvend nën pretekstin e shumicës e kartonëve një mandat kushtetues do të thotë të mos njohësh alfën e demokracisë. Shumica janë ato që votojnë e marrin mendime. Jo të dashur kolegë kjo nuk është demokracia liberale, as sistemi i vlerave që duhet ndaj trupi diplomatik i huaj i ka bërë thirrje Berishës i ka ngritur kartonin e verdhë. Po bëni si në vitin 1996 që tregoi se një vend që nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme nuk mund të integrohet në Europë”-u shpreh Bello. 

Bushati:Të ulemi për të gjetur një zgjidhje

Ndërkohë kolegu i tij Ditmir Bushati bëri apel që të dyja palët të ulen për të gjetur një zgjidhje. “Ne duhet të hapim një kapitull të ri dhe më erdhi keq që gjerat shkuan kështu. Të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje që na nderon të gjithëve”, tha Bushati në mbyllje të fjalës së tij.  

Malaj: Test per ne, zgjedhjet e lira

Deputeti Malaj tha se test për shqiptarët janë zgjedhjet e lira, e se politikanët  duhet të dëshmojnë që dinë ta bëjnë këtë gjë. “Sot po ndodh 100 % e kundërta e asaj që presin e thonë shqiptarët. Duan më pak vuajtje e papunësi e pak varfëri, kur ndërkohë vlon korrupsioni dhe kapja e shtetit. Testi i parë janë zgjedhjet e ndershme dhe të lira, vendi ka ngecur në vend, kriza politike dhe sociale mund ta dëmtojë dhe me shumë”, u shpreh ndër të tjera Malaj. 

Paloka: Rama kërkon të marrë pushtetin në tavolinë

Deputeti Paloka akuzoi kryetarin e PS-së Edi Rama se po ëndërron që të marr pushtetin duke manipulular. “Edi Rama e di shumë mirë që nuk mund të fitojë zgjedhjet me Sali Berishën. Rama e di shumë mirë që në fund fare do t’ia gjejë Berisha dhe do ta mundi prap. Për këtë arsye kthehet tek ëndrra e tij, të marri pushtet në tavolinë. Gjithë këto kohë ka kërkuar të marri pushtetin në tavolinë, i erdhi rasti të ketë kontrollin e komisioneve dhe të realizojë këtë ëndërr. Shpresa e tij vazhdon të mbetet manipulimi, por ta harrojë”- u shpreh Paloka. Ai theksoi se shkarkimi i Ilirjan Muhos nuk është çështje që, lidhet me nevojën për të shkuar në zgjedhje me një KQZ të balancuar, me 3 anëtarë të opozitës dhe 3 të maxhorancës.

Ahmetaj:Nisma antiligjore

Edhe deputeti i PS-së Arben Ahmetaj  e cilësoi nismën e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së, antiligjore dhe antikushtetuese. 
“Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike. Vazhdojmë me logjikën e balancimit politik të institucioneve, si mundet një KQZ e cila do të jetë në diktatin politik, për të lexuar drejt dhe kushtetueshmërisht mandatet politike që do të dalin nga zgjedhjet. Kjo është frikë, të kesh frikë nga një individ që është betuar në kuvend, në këtë rast është Ilirjan Muho. Ajo që Berisha po bën me KQZ kërkon të zgjasë agoninë e vetes dhe agoninë e shqiptarëve. Gjë që ne nuk do ta lejojmë. Në 23 qershor ju dorëzoni pushtetin në duart e shqiptarëve.”- u shpreh Ahmetaj. 

Dokle: PD është mësuar me vjedhje të votave

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputeti Namik Dokle i cili gjatë fjalës akuzoi Partinë Demokratike për vjedhje të votave. “Problemi i Shqipërisë janë korbat e zinj që u janë sulur institucioneve të pavarura. Të mos lejojmë të shkelet pavarësia e institucioneve. Problemi i PD është gjithmonë se si të vjedhë votat.”- deklaroi Dokle.

Gjiknuri: Berisha po tenton të manipulojë zgjedhjet

Deputeti socialist Damian Gjiknuri akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të manipulojë zgjedhjet përmes kontrollit të KQZ-së.  “Qëllimi i këtij zotërisë është se do KQZ për të zabotuar disa procese. Ky do të zbatojë pikë për pikë skemën që zbatoi me zgjedhjet në Tiranë. Zgjedhjet realisht janë në rrezik, këtij i intereson mbi të gjitha grabitja e certifikatës së zgjedhjeve, që të jetë prap njësoj si në ’97, për të negociuar prap daljen e tij në politikë. Kësaj radhe nuk gjen dot një referencë ligjore. Kësaj radhe nuk ka shanse, po e provokon popullin dhe do të përballet me pasojat. Këtu po dhunohet populli në të drejtat e tij. Tërhiquni kësaj iniciative, pasi pasojat do të jenë të paparashikuara.”- u shpreh Gjiknuri.

Kuvendi nis punimet

Kuvendi nisi me vonesë punimet e seancës plenare ku po po diskutohet, kërkesa e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI. Në fillim të seancës, deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka lexoi relacionin e PD-së, ku renditen arsyet e kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së. Sipas Palokës, prishja e baraspeshës së KQZ-së, pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, përbën kërcënim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. 

“Ndërhyrja duhet bërë pa hezitim. Në emër të grupit parlamentar kërkoj që kjo situatë të zgjidhet nga Kuvendi, në mënyrë që të mos cënohet puna dhe eficenca e KQZ-së. Komisioni i Ligjeve i rekomandon kuvendit të lirojë nga detyra anëtarin e KQZ, Ilirjan Muho, të propozuar nga LSI, dhe të zëvendësohet vakanca e krijuar”- u shpreh Paloka. 

Çfarë pritet nga seanca e sotme

Opozita nuk tërhiqet nga vendimi i saj në lidhje me shkarkimin nga detyra të anëtarit të propozuar prej LSI-së, në KQZ. Ashtu siç dhe paralajmëruan seancën e kaluar, në seancën e sotme plenare deputetët socialistë do të votojnë kundër këtij vendimi të mazhorancës, kjo dhe falë mbështetjes së ndërkombëtarëve gjatë këtyre ditëve. Nga ana e saj, PS-ja e konsideron “puç kushtetues” veprimin e maxhorancës, për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së, Ilirjan Muho, me një kandidaturë nga Partia Republikane, pas largimit të LSI-së nga koalicioni me PD-në. Edhe pse nga Kuvendi është kërkuar që shkarkimi i Muhos të kalohet direkt me votim, pa de-bat, ligjvënësit socialistë pritet që të zhvillojnë diskutime të ashpra në lidhje me këtë çështje, të cilët do të kërkojnë që votimi të shtyhet sërish për seancën e ardhshme. Por nga ana tjetër, edhe mazhoranca duket se nuk do ia arrijë ta mira-tojë lirimin e Ilirian Muhos nga detyra e tij si anëtar i KQZ-së. Kjo për shkak se, sipas një përllogaritjeje të bërë, rezulton se mazhoranca sot në Kuvend në rastin më të mirë pritet të përfaqësohet me 68 deputetë, tre më pak se kuorumi i nevojshëm që votimi të jetë i rregullt. 

Analiza 

Sidoqoftë, vota e ish-deputetëve socialistë Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami, pritet të jetë vendimtare në votimin e sotëm. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli, në një intervistë dhënë dje për mediat, u shpreh se do të votojë edhe zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së në Parlament, nëse do të kërkohet. Sa i përket qëndrimit të deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani në lidhje me këtë çështje, edhe ai pritet ta votojë shkarkimin e Muhos nga KQZ-ja. Kjo për shkak dhe të konfliktit të hapur me kryetarin e PS-së Edi Rama, jo vetën për aleancën e tij me Metën, por dhe me vendimin e PS-së për të mos e rikandiduar atë si deputet në Kukës. Ndërsa, ish-deputeti i PS-së Kastriot Islami pritet ta abstenojë votimin. Kjo nisur nga fakti që pak ditë më parë, Islami i kishte bërë “like” faqes zyrtare të PS-së në rrjetin social “Facebook”. Gjithashtu, Islami njihet dhe si përkrahës i koalicionit të majtë PS-LSI, pasi ka qenë ndër të vetmit në grupin parlamentar të PS-së që shprehu mendimin e tij se PS-ja duhej të bashkohej me LSI-në. Sugjerim ky që solli më pas dhe përjashtimin e tij nga grupi parlamentar socialist në atë kohë. Sa i përket kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, burime pranë kësaj partie shprehen se vota e Dules do të jetë kundër. Kjo për shkak se shkarkimi i Muhos mund të sillte dhe rotacion në radhët e anëtarëve të KQZ-së, ku përfaqësuesit të PBDNJ-së, Jani Jani, do t’i duhej më pas që t’i lironte vendin anëtarit të LSI-së si forcë e dytë opozitare. Sa i përket deputetit tjetër të pavarur, Dritan Priftit, në rast të pjesëmarrjes së tij në seancën e sotme, pritet që ta abstenojë votimin. I fundit në listën e deputetëve të mundshëm, është anëtari i FRD-së Gazmend Oketa, i cili në rast pjesë-marrjeje në punimet e sotme parlamentare, pritet të shprehet kundër shkarkimit nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho. Grupi i PS-së ngarkoi të enjten e kaluar kryetarin e tij, Gramoz Ruçi, që t’i kërkonte Kuvendit shtyrjen e votimit për lirimin e anëtarit të KQZ-së, gjë që u arrit, kjo dhe për shkak se mazhoranca tashmë e brishtë, nuk i kishte votat e duhura për ta votuar shkarkimin nga detyra të Muhos. Nga ana e tij, shefi i selisë rozë, Rama, e ka cilësuar jonormale dhe të paligjshme këtë që kryeministri dhe maxhoranca po bën me KQZ-në. Në mbledhjen e grupit, ai u ka kërkuar prej deputetëve që të qëndrojnë fort në seancën e Kuvendit, duke lënë në ndërgjegjen e tyre edhe reagimin e mundshëm, sipas rastit. Sa i përket numrave në seancën e sotme parlamentare, burime pranë PS-së thanë dje për “Shekulli”-n se “as sot mazhoranca nuk pritet të ketë kuorumin e duhur për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së”.  

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.