Berisha zgjedh përplasjen, shkarkon Muhon me votat e tre socialistëve

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Ruçi - “Ristani, që drejtoi dy herë komisionin tuaj dhe sot është zëvendësministri juaj, nuk ka qenë i dënuar nga gjykatat e këtij vendi?! Referojuni vendimit të gjykatës”
Gjiknuri - Kjo është një shkelje ligjore me një perversion politik. Kështu po rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe PD-ja po krijon një precedent të rrezikshëm
Blushi - “Ju thoni jeni mazhorancë, ne kemi dalë barazim 70 me 70. Kjo është mazhorancë e dëshpëruar; katër miq tanë janë të zemëruar me ne dhe votojnë si ju”
Meta - “Shqetësimi im është që ju po i vini kazmën standardit të zgjedhjeve, e këtë do ta vuajë imazhi dhe perspektiva e mëtejshme europiane
Xhaçka - Znj. Topalli krenohej këtu që ky informacion kaq i madh i paska shpëtuar. Kjo nuk ka lidhje me logjikën juridike të Kodit, por ka lidhje vetëm me logjikën autoritare të Berishës
Seanca – Deputetët e opozitës braktisën sallën. Bizhga përplaset me Islamin dhe i kërkon të largohet
Bledar Hoti
Mazhoranca nuk tërhiqet përpara kërkesës së ndërkombëtarëve dhe voton për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Në një situatë konflikti, nën syrin e ambasadorit të SHBA-së Arvizu, Berisha, falë katër votave të ish-deputetëve të PS-së dhe LSI-së, Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Dritan Prifti dhe Gjovalin Kadeli, arriti në 73 vota pro, duke shkarkuar Muhon. Fillimisht, përpara se të votohej, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi largimin nga salla për të mos marrë pjesë në votim. Ndërkohë që ky proces ka qenë në një konflikt tepër të madh.
Tensioni
Në momentin që opozita po largohej, një pjesë e mirë e socialistëve kanë rrethuar tre socialistët e ulur në fund të sallës plenare Islamin, Kadelin dhe Dogjanin, duke i kërkuar që të ikin nga seanca, me synimin për të mos realizuar kuorumin e nevojshëm. Socialisti Bizhga ka debatuar ashpër me Islamin, duke i kërkuar ikjen nga salla. Ndërsa disa deputetë të PS-së kanë hequr kartat e tre deputetëve të PS-së. Bizhga i është drejtuar Islamit: “Çohu, mos e shpërdoro votën e PS-së, mos e vjedh votën”. Bejtja, Balla, Bizhga, Shalsi kërkuan që tre deputetët të largoheshin nga salla. Ndërkohë që Garda ka rrethuar në mënyrë të menjëhershme tre deputetët, duke shmangur mundësinë e konfrontimit. Tre deputetët, Islami, Dogjani dhe Kadeli janë detyruar të votojnë me kartë dhe jo në mënyrë elektronike. Prezentë në sallë kanë qenë 73 deputetët e mazhorancës. Oketa i FRD-së nuk mori pjesë, ndërsa të gjithë aleatët e PD-së votuan pro. Së bashku me Priftin, shkarkimi i Muhos u realizua me 73 vota. Në momentin e kryerjes së këtij votimi, ambasadori Arvizu la seancën parlamentare. Pas këtij votimi, deputetët e PS-së, që rrethuan tre të pavarurit, ikën nga seanca. Ndërsa për votimin e Zgurit si anëtar i KQZ-së, Topalli deklaroi 74 vota pro, duke llogaritur dy herë votën e deputetit Lefter Maliqit. I gjithë ky proces votimi u realizua me duartrokitjet e mazhorancës. Ndërsa Berisha në fund të votimit deklaroi se “jam mirënjohës ndaj tre burrave, pasi rrëzuan përpjekjet primitive të opozitës për të rrëzuar qeverinë dy muaj para zgjedhjeve. PD-ja do t’u jetë mirënjohës përherë tre deputetëve dhe do të ketë bashkëpunim afatgjatë”. Ndërsa anëtari i ri i KQZ-së, Klement Zguri, bëri betimin para Parlamentit.
Qëndrimi i PS-së
Partia Socialiste e ka cilësuar këtë nismë si një rikthim të skenarit të vitit 1996 të vjedhjes së votave. Ndërsa për çështjen e faktit se Muho është shkarkuar me dekret të Presidentit, Ruçi i përmendi PD-së rastin Ristani. “Zonjë, je ngatërruar. Ne nuk jemi për të mbrojtur asnjë emër të përveçëm këtu. Ne jemi për të mbrojtur institucionet e pavarura. Ne jemi për të mbrojtur Kushtetutën e vendit. Ne jemi për të mbrojtur Kodin Zgjedhor dhe mbi të gjitha zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Për sa i përket anës morale, zonjë s’ka dy kute për të njëjtën çështje. Sipas jush, Ristani që manipuloi dy palë zgjedhje nuk ka qenë i ndaluar nga Policia e Shtetit dhe nga Prokuroria e vendit?! Ristani që drejtoi dy herë komisionin tuaj dhe sot është zëvendësministri juaj, nuk ka qenë i dënuar nga gjykatat e këtij vendi?! Referojuni vendimit të gjykatës. Lërini këto broçkulla dhe përmbahuni. Jini serioze me propozimin tuaj që keni sjellë në rend të ditës. I lini këto, se janë gjepura”, replikoi Ruçi me Topallin. Më tej iu drejtua: “Unë e kuptoj që i jeni futur detit me këmbë me nismën që keni marrë. S’ka gjethe fiku që ju mbulon! S’ka gjethe rrapi që ju mban, se jeni të mbytur. Përqendrohuni te propozimi, te nisma juaj, që është shkelja e Kushtetutës, që është shkelja e ligjit”. Ndërsa Xhafaj iu drejtua Topallit me shprehjen: “Dëgjova sot patetizmin e Kryetares së Kuvendit, që nuk më surprizoi. Por më surprizoi paturpësia e znj. Topalli: Ku ishit deri dje, kur ju e miratuat Muhon? O keni qenë sylesh dhe s’i keni parë letrat, ose keni qenë peng i nevojës për të marrë pushtetin. Edhe sikur të ishte ashtu siç thoni, ju, atëherë është turpi juaj që nuk bëtë detyrën kur duhej ta bënit dhe keni kurajën sot ta përmendni. Pastaj, znj. kryetare, këtu nuk është kafene, muhabet pazari. Nëse është ashtu siç thoni, bëjeni shkarkimin sipas rregullave. Por me aq sa lexova, s’keni bazë për ta bërë. Problemi është se ju nuk keni numrat, jeni sot një mazhorancë mercenarësh, sepse s’keni numrat tuaj dhe vetëm ato të mercenarëve dhe në emër të tyre doni të dhunoni institucionet e pavarura. Kjo është logjika e hajdutit të votës, të zgjedhjeve”. Deklarata e fortë e ambasadorit të SHBA-së ka qenë dhe arma kryesore e diskutimeve të deputetëve të opozitës. Socialisti Ndrec Deda u shpreh në fjalën e tij se “më parë ka punuar si punonjës policie dhe ka qenë në togën që Berisha urdhëroi për arrestimin e Arben Ristanit, ish-kreut të KQZ-së”. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i kërkoi mazhorancës që të mos shkelë linjën e kuqe, atë të prishjes së marrëdhënieve me aleatin kryesor të SHBA-së. “Po ndodh absurditet juridik në kohën që qeverinë po e drejton Kryeministri Sali Berisha. Kjo është një shkelje ligjore me një perversion politik. Kështu po rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe PD-ja po krijon një precedent të rrezikshëm. Në këtë mënyrë, edhe në të ardhmen do të veprohet në njësoj me institucionet e pavarura”, tha Gjiknuri. Sipas tij, Berisha mban përgjegjësi për situatën e krijuar, kur edhe Brukseli, edhe Uashingtoni, kërkojnë që të mos kryhet zëvendësimi në KQZ pak javë përpara zgjedhjeve.
159 deputetë - Për pesë projektligjet dhe kërkesën për shkarkimin e Muhos u regjistruan 159 deputetë për të diskutuar. Vetëm për çështjen e KQZ-së kishte të regjistruar 108 deputetë, si nga PS-ja dhe nga PD-ja. Kjo ishte tema më e nxehtë e debatit politik
Arvizu - Në orën 21:15, në seancën e Kuvendit është shfaqur ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Ai ka qenë me zëvendësin e tij Jardine, si dhe me sekretaren politike të saj. Më parë ai u takua në selinë e qeverisë me Kryeministrin
SHQIP
Add new comment