Meta: Nuk ecet në rrugën e Integrimit, duke i bërë karshillëk Perëndimit

PUKË - “Nuk mund të ecet në rrugën e integrimit, duke i bërë karshillëk Perëndimit. Kjo kohë ka përfunduar një herë e mirë. Ne kemi nevojë për një vend, i cili përmirëson standardet e tij demokratike, i cili përmirëson institucionet e tij të pavarura, i cili rrit besimin tek zgjedhjet e lira e të ndershme dhe te respekti i votës së çdo qytetari shqiptar.
Nuk kemi nevojë më për modele, të cilat i takojnë një të kaluare shumë të largët dhe që nuk kanë lidhje jo me Evropën, por as me Ballkanin prej një kohe të gjatë”, ka thënë kreu i LSI-së, Ilir Meta dje në një takim me simpatizantë të LSI-së dhe qytetarë të Pukës.
Duke folur për rastin më të fundit të dhunimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Meta shtoi edhe që “kjo u bë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Perëndimin. Sipas tij, kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i qartë i një pseudomazhorance, që po perëndon me fytyrën dhe mendje nga Lindja”.
Meta ka akuzuar rastin më të fundit të sjelljes së Berishës me Kushtetutën, me Kodin, me KQZ-në. “Veçse përforcon të gjitha argumentet tona, se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, se vendi e ka të pamundur të ecë më shpejt përpara përmes një qendre të vetme politike, që kontrollon të gjitha institucionet, në një shtet demokratik ku ato duhet të jenë të pavarura”.
Ai deklaroi se “unë besoj shumë në përkrahjen tuaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse ne jemi një forcë koherente, ne jemi një forcë, që duam të ndihmojmë vendin dhe qytetarët tanë për të ecur më shpejt përpara”.
SHEKULLI
Add new comment