Kuvend, Ruçi: Ka vdekur parlamentarizmi. Patozi: Rama synon të prishë zgjedhjet, por ato do mbahen dhe do i fitojë PD

Seanca e sotme plenare e ka nisur rendin e ditës me diskutimin për pr/ligjin e aderimit të Shqipërisë në Marrëveshjen e Londrës për patentat, por që është kthyer nga opozita në diskutime lidhur me situatën poltike pas shpërbërjes së KQZ.
Dy deputetet e PS, Arta Dade dhe Mimi Kodheli kanë theksuar se përpos kësaj marrëveshjeje, rëndësi parësore në këto momente për vendin tonë ka legjitimiteti i zgjedhjeve dhe mënyrës se si po funksionin parlamenti çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryetares Topalli që i ka paralajmëruar se janë jashtë rendit të ditës.
Patozi: Rama synon të prishë zgjedhjet, por ato do mbahen dhe do i fitojë PD
Ndërkohë, kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi, akuzoi Edi Ramën se po kërkon t’i prishë zgjedhjet dhe se e ka kthyer çështjen e shkarkimit të anëtarit të propozuar nga LSI, Ilirjan Muho, në një çështje shumë të madhe, kur në fakt në historinë e Kuvendit janë shkarkuar edhe zyrtarë më të rëndësishëm se ai.
“Çfarëdo vendimi që të marrë Rama, zgjedhjet do të mbahen, sepse ato janë e drejta kushtetuese e shqiptarëve dhe do i fitojë PD”, tha Patozi.
Ruçi: Keni marrë peng KQZ, në Shqipëri ka vdekur parlamentarizmi
Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi u shpreh se e vetmja temë për të cilën do të flasin deputetët e PS do të jetë çështja e KQZ. pasi sipas tij kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të kushtetutës që cenon zgjedhjet.
“Në vendin tonë shkelet kushtetuta dhe ligji, a ka patentë evropiane më të mirë se këtij vendi i mungojnë gjithçka por më shumë i mungon parlamentarizmi me gjithë këto shantazhe që bëni ju. A ka patentë më të mirë se ky vend nuk vuan nga mungesa e ligjit por nga moszbatimi i ligjit.
“Jemi fiks dy muaj para zgjedhjeve institucioni i kryesor i zgjedhje është inekzistent, ka vdekur Parlamentarizmi dhe besimi i shqiptarëve tek vota e lirë. Si nuk iu vjen marrë para vendit dhe me dërgoni ftesën mua zoti Ruçi plotëso vendet. Cilat vende? Të atij institucioni që përdhoset dhe e morët peng dhe e bëtë të politizuar. I keni mbledhur shifrat e popullit, jeni opozitë me shifrat e popullit. Nuk behet fjalë as ne as ju të keni opozitën por të kemi institucione garante të votës së lirë të shqiptarëve. Kryefjala jonë sot do jen problemet që parashtrova”, tha Ruçi.
Ndërkohë, edhe deputeti Erjon Braçe në fjalën e tij kërkoi që t’i kthehej legjitimiteti Kuvendit dhe KQZ-së, që është cenuar, sipas tij, pas zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI.
“Parlamenti nuk mund të funksionojë në mënyrë të tillë; të papërgjegjshmit që firmosin që janë ministrat nuk vijnë në Kuvend. Në rast se kjo quhet axhendë po zonjë është axhendë personale e mazhorancës suaj dhe ka të bëjë me qëllimet elektorale të partisë suaj. Ky ligj shoqërohet me një relacion. Nëse ka patentë të dytë evropiane dedikuar Shqipërisë janë zgjedhjet e lira dhe të drejta, dhe ju i hodhën në erë seancën që shkoi. Cenuat KQZ, i keni hequr legjitimitetin Kuvendit”, tha Braçe.
Sot Kuvendi diskuton balancen e re ne KQZ
Seanca e sotme plenare e Kuvendit pritet të shoqërohet nga debate të forta mazhorancë-opozitë pas situatës së krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga dorëheqja e dy anëtarëve të propozuar nga opozita, Denar Bibës dhe Albana Shtyllës.
Largimi i dy anëtarëve të PS nga KQZ e la praktikisht PS pa përfaqësim në institucionin më të lartë zgjedhor çka e fut atë në një ngërç që duhet zgjidhur.
Dje, menjëherë pas dorëheqjes së anëtares së dytë të PS në KQZ, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkoi kryetarit të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, paraqitjen e propozimeve për plotësimin e dy vendeve të mbetura bosh.
Por burime të PS bëjnë të ditur se nuk kanë ndërmend të propozojnë emra, ndërsa lideri socialist, Edi Rama, u shpreh pas dorëheqjes së Bibës, se PS nuk ka ndërmend të merret thjesht me zëvendësimin e një emri me një tjetër, por për rikthimin e ligjshmërisë në KQZ.
18 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
SHQIP
Add new comment