Flamuri: Kemi sekuestruar 28 milion euro nga krimi për 4 vjet (po janë zhdukur 1.3 miliard USD këto vite)

Postuar në 19 Prill, 2013 15:19

 

Flamur Noka ka deklaruar se për 4 vjet janë sekuestruar rreth 28 milion euro të aseteve të krimit të organizuar, ndërkohë që pak kohë më parë organizata “Global Financial Integrity”, në raportin e saj bënte me dije se  elita e korruptuar shqiptare ka nxjerrë më shumë se 1.3 miliard dollarë nga Shqipëria.

Ministri i Brendshëm ka përmendur sukseset e institucionit të tij ,teksa ka folur për luftën kundër krimit financiar. Duke përmendur disa statistika të sekuestrimit të aseteve të grupeve kriminale, Noka e ka konsideruar këtë si një arritje të strukturave që ai drejton.

“Ky stad që kemi arritur dhe që po e forcojmë dita-ditës përbën formën më të lartë të luftës dhe goditjes që shteti i jep krimit të organizuar, strukturave të tij, nëpërmjet edhe sekuestrimit të aseteve të përfituara. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera të rendit dhe sigurisë, kanë shënuar progres të jashtëzakonshëm në goditjen, hetimin dhe sekuestrimin e aseteve apo pasurive të fituara nga veprimtaria kriminale”, tha Ministri i Brendshëm, ndërkohë që ambasadori i KE-së, Ettore Sequi ka tërhequr vëmendjen se dënimi i atyre personave që përfshihen në pastrimin e parave mbetet në nivele të ulëta.

Sipas ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, pastrimi i parave është një çështje serioze që po haset edhe në botë dhe edhe Shqipëria në këtë fushë nuk ka imunitet, por theksoi ambasadori Sequi, për të pasur rezultate duhet një bashkëpunim i fortë me organet e hetimit dhe Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ligjit Antimafia duhet të zbatohet me korrektësi.

Në sinkron me ambasadorin e KE-së duket se ishte shefja e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Tatjana Meçe. Sipas saj, nga 210 procedimet për pastrim parash nga 63 autorë të implikuar, kanë marrë dënim vetëm 6 për vitin e shkuar.

Por Flamur Noka thotë krejt të kundërtën. Sipas tij, falë teknikave speciale të hetimit, janë çuar para drejtësisë qindra persona si dhe janë sekuestruar shumë asete kriminale, deklarata këto që më sa duket i beson vetëm Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, pasi situata e krimit financiar është krejt e kundërt në Shqipëri.

Para pak kohësh organizata “Global Financial Integrity”,  në raportin e saj bënte me dije se elita e korruptuar shqiptare  ka nxjerrë më shumë se 1.3 miliard dollarë nga Shqipëria. Clark Gascoigne, zëdhënësi i këtij grupimi me qendër në Uashington deklaroi për agjencinë e lajmeve ‘Balkan Insight’, se qeveria Shqiptare duhet të reagojë për të mos lejuar nxjerrjen e parave në ato vende që konsiderohen parajsa për taksat dhe që ekzistojnë një serë hapash që vendi mund të ndërmarrë. Sipas zëdhënësit të këtij grupimi, ai beson se 60 për qind e kësaj shume vjen nga evazioni fiskal, 35 për qind nga aktiviteti kriminal dhe 5 për qind nga korrupsioni.

Mundësitë për të pastruar para në Shqipëri janë të mëdha për shkak se ekonomia e vendit është informale dhe e bazuar në transaksionet cash. Një raport i fundit i FMN vëren hollësira për mënyrën se si pastrohen paratë në vendin tonë. Sipas Fondit, lehtësira më të mëdha për pastrimin e parave paraqiten më së shumti në agjencitë imobiliare, kazinotë dhe sipërmarrjet private. Gjithashtu pastrimi i parave bëhet edhe në transportimin e parave cash jashtë vendit, ku është i përfshirë edhe sistemi financiar i vendit. Raporti vëren se, megjithëse në Shqipëri ka institucione dhe janë të licencuara aktivitete financiare, ende tregu i këmbimeve mbetet informal. Të tillë cilësohen kambistët që janë një mundësi e pastër për pastrimin e parave. Gjithashtu aktiviteti i kazinove konsiderohet një nga kanalet themelore ku pastrohen paratë në Shqipëri. Në këtë aktivitet ka një mospërputhje ndërmjet bazës ligjore për aktivitetin e kazinove dhe rekomandimeve ndërkombëtare për revokim licencash në rastet ku vërehet pastrimi i parave, thuhet në raportin e FMN-së.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.