Halimi “kërcënon” Dritan Dajtin: Do qëndrosh përjetë në burg

Dritan Dajti do të qëndrojë në burg dhe nuk ka asnjë mundësi të përfitojë nga afatet e paraburgimit. Do që qëndrojë në burg, sado e largët të jetë dita e gjykimit të tij”.
Kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, teksa ka folur për zhbllokimin e procesit të gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar si të autor i vrasjes së katër efektivave të policisë në gusht të vitit 2008.
Procesi, që është kthyer në një prej skandaleve të drejtësisë shqiptare, është i bllokuar për më shumë se 8 muaj.
Dritan Dajti nuk pranon të zgjedhë një avokat, ndërkohë që asnjë mbrojtës ligjor, që ndodhet në listën e avokatëve të Tiranës, nuk merr përsipër mbrojtjen e tij.
Të gjitha tentativat e gjykatës për të zhbllokuar procesin kanë dështuar ndërkohë që Ministri i Drejtësisë ka ofruar një zgjidhje për zhvillimin e procesit gjyqësore, e cila sërish kushtëzohet nga vullneti i Dajtit.
Ministri Halimi tha se pikërisht këtë zgjidhje i kanë ofruar ekspertët anglezë, e që përveçse kohës së largët të dënimit, nuk sjell shpëtimin e Dajtit.
“Se kë avokat zgjedh i pandehuri, kjo është çështje e të pandehurit. Ne marrim përsipër që, cilindo nga 4 mijë avokatë që zgjedh i pandehuri, shteti merr përsipër t’i sigurojë atij pagesën me avokat. Pjesa tjetër është çështje e vullnetit të të pandehurit. Nëse i pandehuri nuk zgjedh dhe nuk bie dakord me këtë avokat, se njërit i pëlqen me flokë të bardha, tjetrit me flokë të zeza, kjo është çështje e të pandehurit, por ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg dhe afatet pezullohen. Vërtet çështja mund të zgjatet, por shmangia nga dënimi është zero. Ka pasur edhe një takim para disa kohësh me ekspertë të ardhur nga Britania për këtë çështje dhe zgjidhja që ata kanë dhënë është pikërisht kjo. Nuk është e nevojshme që të bëjmë asnjë rregullim ligjor për të pasur çdo lloj rasti, ligji është i qartë”,deklaroi Halimi, ndërkohë që një nga ngjarjet më të rënda për policinë shqiptare vazhdon të jetë e pagjykuar.
Seancat në Gjykatën e Krimeve të Rënda dështojnë njëra pas tjetrës për shkak të pamundësisë për të bërë të mundur prezencën e një mbrojtësi në seancë dhe nga ana e trupit gjykues. Për të zhbllokuar këtë situate, në kushtet kur i pandehuri Dritan Dajti nuk merr pjesë në gjykim dhe duhet patjetër ndihma e një mbrojtësi, Gjykata e Krimeve të Rënda ka propozuar disa zgjidhje, por të gjitha kanë dështuar.
Prej dy vjetësh, më shumë se 42 avokatë nuk kanë pranuar të mbrojnë Dajtit çka ka sjellë dhe dështimin e mbi 200 seancave gjyqësore. Por megjithëse procesi është krejtësisht i bllokuar, dhe rasti po kthehet në një nga skandalet e drejtësisë shqiptare, Halimi është shprehur optimist për gjykimin e Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivave të forcave operacionale të Policisë së Shtetit./l.ç
TEMA
Add new comment