Dosja e prokurorisë: Vrasësi i balerinës u zbulua nga kamerat e lokalit të natës

Tiranë Vrasja e balerinës Sonila Tafa është zbuluar nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja. Pamjet filmike të sekuestruara nga prokuroria, si dhe dëshmitë e personave të pranishëm, kanë zbardhur ngjarjen e rëndë të datës 6 prill, kur në një lokal në periferi të kryeqytetit mbeti e vrarë balerina Sonila Tafa dhe u plagos lehtë shoqja e saj, me inicialet R.K. Pak ditë pas ngjarjes zbardhen dhe detaje nga dosja e prokurorisë, e cila ka mundur të rindërtojë gjithë skenën e krimit që nisi me një konflikt në ambientet e brendshme të lokalit “Dream City” dhe përfundoi në vrasje. Sipas dosjes së prokurorisë, rezulton se për këtë ngjarje policia është sinjalizuar në orën 04:00 të mëngjesit të datës 6 prill, ku dëshmitarët treguan se një person kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të hyrjes së lokalit. “Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe sidomos vlerësimit të pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë, është evidentuar se autori i kësaj ngjarje është shtetasi Artur Kuliçi”- thuhet në dosjen e prokurorisë. I dyshuari ka qëlluar plot gjashtë herë në drejtim të lokalit në momentin kur prej tij kanë qenë duke dalë Sonila Tafa dhe shoqja e saj R.K., si dhe persona të tjerë që ndodheshin me to, të cilët kishin qenë klientë në lokal. “Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka rezultuar se përpara lokalit ‘Dream City’ janë fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës material 6 gëzhoja, në dukje si ato të fishekëve që përdoren nga armët model 64”- thuhet në dosje. Menjëherë pas ngjarjes, sipas prokurorisë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “BMW”. Prokuroria thotë se u saktësua që në momentet e para se automjeti me të cilin ka lëvizur autori ndodhej në banesën e shtetasit T. Bajraktari, ku është ushtruar kontroll nga ana e policisë. “Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit T. Bajraktari dhe gjatë kontrollit, në dhomën e shtetasit Endon Bajraktari është gjetur një armë automatike, pa qytë, me siguresë të hapur, pa krehër në fole”- thuhet në dosje. Menjëherë pas sekuestrimit të armës, policia ka kryer arrestimin e shtetasit Endon Bajraktari, për të cilin prokuroria kërkoi masën e sigurimit “arrest me burg me afat 15 ditë”. Sipas akuzës, Bajraktari është i dyshuar për mbajtje pa leje të armëve luftarake, por mbrojtja e kundërshtoi këtë pretendim. Sipas avokatit të tij mbrojtës, arma është pa qytë, pa karikator, e ndryshkur dhe pa fishekë. Avokati tha se arma nuk është teknikisht e rregullt, pasi nuk realizon qitje. Por pavarësisht argumenteve të mbrojtjes, gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 15 ditë ndaj të dyshuarit, i cili do të paraqitet sërish në gjykatë pas pak ditësh. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së balerinës, Artur Kuliçi, i cili nuk është arrestuar ende. Fillimisht blutë e kryeqytetit thanë se po negociojnë me familjarët e të dyshuarit për vetëdorëzimin e tij, por 16 ditë pas ngjarjes së rëndë ende nuk ka të dhëna për vendndodhjen e të dyshuarit.
MAPO
Add new comment