Vendimi zyrtar i BE-së: Zgjedhjet, test thelbësor për integrimin e Shqipërisë

Një ditë para mbajtjes në Luksemburg të Këshillit të pestë të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, janë publikuar disa disa qëndrime të përbashkëta të ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.
Në lidhje me situatën politike, pasi vlerësohet bashkëpunimi mazhorancë-opozitë gjatë vitit 2012 për disa reforma, BE bën thirrje për një dialog të qëndrueshëm e konstruktiv mes palëve, si thelbësor për përmbushjen e agjendës së reformave. Zgjedhja e njëanshme e presidentit, çështja e pazgjidhur e 21 janarit, janë disa nga problemet që rreshton BE-ja në lidhje me Shqipërinë.
Statusi
“Agjenda e reformave duhet ndjekur në mënyrë të pandalshme, për të dhënë rezultate konkrete mbi çështjet e mbetura nga 12 prioritetet kyçe të opinionit dhe për të plotësuar, nëpërmjet një fryme konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, masat kyçe që kërkohen me synimin për të vendosur nëse do të jepet statusi kandidat. Në lidhje me këtë BE thekson rëndësinë e veprimeve të mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë nëpërmjet hetimeve proaktive dhe ndëshkimeve të rasteve të tilla. Sigurimi i kryerjes të suksesshme të zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës do të jetë një test thelbësor për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike."
Presidenti
Zgjedhja e njëanshme e Presidentit, vendimi për çështjen gjyqësore të 21 janarit, apo mënyra si funksionon Parlamenti, janë disa prej shqetësimeve në rritje BE-së në lidhje me pavarësinë e institucioneve.
“BE vëren se zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 ishin në përputhje me Kushtetutën; sidoqoftë ato nuk kënaqën të gjitha pritshmëritë për gjithëpërfshirje.”
21 janari
“BE thekson rëndësinë e respektimit dhe të mosndërhyrjes në punën e institucioneve të pavarura të shtetit, përfshirë gjyqësorin, si elementin kyç të funksionimit të institucioneve demokratike të vendit. BE vëren se prokuroria ka apeluar kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për të shfajësuar të akuzuarit për ngjarjet e çështjes së 21 janarit 2011. BE përsërit se përmbyllja e procedurave të kësaj çështjeje nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, në përputhje me praktikat më të mira dhe pa ndërhyrje të papërshtatshme, është e rëndësisë më të lartë për besueshmërinë e të gjitha institucioneve të shtetit, si dhe për rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.”
Zgjedhjet
Qëndrimi i 27 vendeve anëtare është mbyllur para zhvillimeve të fundit në vend me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në dokument BE-ja bën thirrje për zbatim efikas të kodit të ndryshuar zgjedhor dhe për një administratë zgjedhore larg ndërhyrjeve politike.
“BE përsërit se reforma zgjedhore dhe kryerja e zgjedhjeve janë prioritete kyçe të opinionit. Në këtë kontekst, BE-ja mirëpret ndryshimet konsensuale të Kodit Zgjedhor në korrik të vitit 2012. BE-ja nxit Shqipërinë të marrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin efikas të Kodit të ndryshuar Zgjedhor. Vëmendje e veçantë duhet të kushtohet për të garantuar se organet e administratës zgjedhore i kryejnë në një mënyrë profesionale detyrat e tyre dhe se frenohen nga marrja e vendimeve apo veprimeve që lidhen me zgjedhjet, në bazë konsideratash politike. BE përsërit se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike të vendit, dhe për këtë arsye, një element thelbësor për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE.” /Top Channel/
SHEKULLI
Add new comment