Sherr për dollinë e rakisë në fejesë, vjehrri plagos dhëndrin

I zoti i shtëpisë ka qëlluar me çifte të fejuarin e vajzës, gjatë ceremonisë. Gjendja e dhëndrit, jashtë rrezikut për jetën.Tiranë Një fejesë ka rrezikuar të kthehet në tragjedi, pas sherrit për dollinë e rakisë. Dhëndri ka përfunduar në spital me plagë në kokë, pasi është plagosur nga vjehrri i tij i dehur. Klodian Ramaliu, 24 vjeç, banues në fshatin Zall-Dajt të Komunës së Dajtit, mbeti i plagosur në kokë pas të shtënave me çifte të vjehrrit të tij, Islam Lusha, 49 vjeç, banues po në fshatin Zall Dajt. Ky i fundit u arrestua nga policia, ndërsa hetuesit bllokuan në cilësinë e provës materiale armën e krimit, një çifte gjahu. Ngjarja ndodhi pasditen e të shtunës rreth orës 16:00, në fshatin Zall-Dajt të komunës së Dajtit, disa kilometra në periferi të Tiranës, në banesën e Islam Lushës, i cili po fejonte vajzën me Klodian Ramaliun. Në pije e sipër, ata nisën të përshëndesnin njëri-tjetrin me dolli dhe duke hedhur batuta e se kush do të ngrinte i pari dollinë e rakisë. Pikërisht në këtë kohë, kur thuajse dreka ishte në konsumim e sipër, babai i vajzës nisi të debatonte me një prej të ftuarve pikërisht për faktin se kush do të ngrinte i pari dollinë e rakisë për nder të miqve të ftuar dhe çiftit. Në këtë kohë në debat është përfshirë edhe dhëndri, i cili ka nisur të debatojë me vjehrrin e tij për dollinë, ndërsa sherri përfshiu thuajse të gjithë të ftuarit dhe të pranishmit. Në grindje e sipër, Islami ka marrë armën e gjahut që mbante me leje në shtëpi dhe ka kërkuar të qëllojë, ndërsa aty pranë i është afruar edhe dhëndri i ri. Ai është munduar të qetësojë situatën në përpjekje për t’i marrë armën vjehrrit të dehur. Ndërkohë ky i fundit ka shkrehur armën në drejtim të tij. Nga shkrepja e saj, disa prej saçmeve zunë në fytyrë dhëndrin 24-vjeçar Klodian Ramaliu. Ky i fundit mori disa plagë që fillimisht ishin serioze dhe menjëherë është nisur në drejtim të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës, ku është shtruar në klinikën e ORL-së. Policia pas marrjes së informacionit mbërriti në fshat dhe pas hetimit të ngjarjes arrestoi vjehrrin me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje. Ky i fundit i pyetur nga policia shprehu pendesë për krimin, duke pohuar se e ka kryer veprimin në gjendje të dehur. Pavarësisht kësaj, miqësia mes dy familjeve nuk është prishur.
MAPO
Add new comment